Letra e shqiptarëve të ndaluara nga Sigurimi i Shtetit për të shkuar në vendmbërritje tregojnë gjendjen e rëndë ekonomike të tyre në vitin 1953. Letrat e ndaluara nga Kontrolli Postar (KP) janë zbardhur në mënyrën më të keqe gjuhësore dhe janë dërguar si materiale operative në degët e punëve të brendshme përkatëse.
Pavarësisht se kishin kaluar 9 vjet nga mbarimi i luftës së përbotshme, gjendja e shqiptarëve duket sikur është në gjendje lufte. Kërkesa kryesore që vihet re është ajo për bukë. Populli ndjehet i rrezikuar nga mungesa e të ardhurave si dhe nga tatimet e rënda që kishte vënë qeveria komuniste. Në atë kohë, vendi ishte i përfshirë në sistemin e triskëtimit të ushqimit. Popullsia e cilësuar si “kulakë” ishte vënë përpara detyrimeve të rënda fiskale, disa herë më shumë nga popullsia e zakonshme. Kjo sillte shumë herë burgosjen e saj apo marrjen e asaj pak toke bujqësore që i kishin lënë. Gjithsesi, Shqipëria këtë uri nuk e përjetoi as në vitet e luftës.
-Mustafa Hoxha nga Bozhgradi, Bilisht për Ismail Bozhgradin në Australi: “Jemi në rrezik për ushqim. Sot që po të shkruaj, jemi pa bukë, pa gjellë e pa asgjë tjetër. Jemi në rrezik. Para një jave dola të lypja te daja e në vende të tjera. Domethënë mos pyet se si jemi bërë. Sot i mbaruam ato e jemi për një kafshatë bukë”.
-Hëna Ramadani nga Floqi, Korçë, për Qerim Panaritin në SHBA: “Sot që po të shkruaj këtë letër, jemi pa bukë! Ti do thuash pse jemi pa bukë? Jemi se nuk kemi qe dhe toka është pa punuar e pa mbjellë. Po të duash, na ndihmo nga ca që të na shpëtosh jetën”.
-Lefteri Trako nga Korça, për Ollga Pandon në SHBA: “Lufta e shkretë na mbylli rrugët, po do kishim ardhur andej dhe nuk do vuanim kështu. Marika është bërë si skelet”.
-Gafuro Kiço nga Dhivri, Delvinë, për Grigor Kiçon në SHBA: “Kemi shumë nevojë për bukë. Si do bëjmë, Perëndia e di. Deri sa të marrim nga ju, si do të bëjmë?! Shpresat janë te ju. Në rast se na priten ndihmat nga ju, jemi të vdekur”.
-Petro Bogdani (i arratisur) nga Argjentina i shkruan Todo Taqos në Tren të Bilishtit: “Unë ndodhem në Argjentinë, por ju i thoni familjes time që ndodhem në Greqi. Nga Greqia kam ikur në vitin 1951. Keni të drejtë të torturoni familjen time se sistemi i qelbur, i kuq i shitur te një popull gomar rus që sundon një popull latin, që nuk ka qenë asnjëherë dakord me të”.
-Taqo Strusho nga Qyteza, Korçë për Vasil Stamce në Kanada: “Shyqyr që kalova një kohë të shkurtër në burg në kohën e Koçit, por ai është akoma. Përse ishim në burg, do të shkruaj herë tjetër, por ai që na e bëri këtë ia paçim borxh. Më parë punëtori merrte 2 lekë në ditë dhe bereqeti ishte çerek leku kilogrami. Tani marr 90 lekë dhe kilogrami është 100 lekë”.
-Olimbi Caloni, nga Poliçani, Gjirokastër për Jorgji Haxhin në SHBA: “Dërgoni ato dollarët që keni të mbyllur sepse kemi varfëri të madhe dhe uri. Populli këtu po vuan nga uria.
-Eftalia Greko nga Sanatoriumi Korçë për Theodhor Buzukon në SHBA: “Nuk e besonim që të sëmureshim pas 15 vjetëve, por gripi që kaloi vjet mbushi sanatoriumet, sepse populli është i telendisur (koçekë e lëkurë) nga mungesa e ushqimeve.
-Krisanthi Haxhi nga Skore, Gjirokastër për George Haxhin në SHBA: “ Duhet t’i paguajmë shtetit 100 dollarë, 135 kilogram grurë, 30 kg elb, 15 kg fasule, 53 kg mish, 160 vezë, 3 3 kg lesh. Ku do t’i gjejmë këto. Ne vuajmë nga uria, prandaj t’i shkruaj që t’i dish. Punojmë dhe asgjë nuk bëjmë. Nuk kemi pare gjendje. Gjendja e këtushme është e paparashikueshme, punë dhe uri. Populli vuan me thes”.
-Piro Tamburi nga Përmeti për Koço Hotovën në Turqi: “Të kam shkruar edhe më parë për shtrenjtësinë këtu. Gjithë këto mundime dhe vuajtje për ne sikur të ishim prishësit e botës. Jo që nuk dimë t’i kemi bërë keq njeriu, por këto qenë kusuret për ne. Punojmë vetëm për të ngrënë një copë bukë misri dhe asgjë tjetër se të blesh një palë rroba nuk bëhen paratë. Është vetë një dyqan që shet me flori”.
-Elisaveta Stefanidhi, nga Lugar, Gjirokastër për Nikolla Stefanidhin në Argjentinë: “Hallet tona janë të mëdha. Më mungon çdo gjë. Të gjithë ata që kanë (njerëz) në Amerikë mund të marrin ndonjë send, ndërsa ne asgjë. Sivjet kemi thatësirë dhe si duket do të vuajmë për bukë”.
-Athina Shtupi, nga Jergucati, Gjirokastër për Kristo Shtupin në SHBA: “Djali ynë Kristo! Po vuaj për bukë. Vuajmë shumë, shumë! Ju lutem mos na lini të vuajmë për bukë dhe të mbetemi në rrugë”.
-Marianthi Stupi, nga Jergucati, Gjirokastër për Panajot Tzerxallon në SHBA: “Vajzat i kam të zbathura për një copë bukë. Shumë ju lutem më dërgoni ca dollarë që të marr pak bukë, bukë, bukë.
-Vasiliqi Aleksi, nga Jorgucati, Gjirokastër për Kristo Sutxes në SHBA: Hallet tona janë të mëdha. Na mungon çdo gjë, ndërsa në dyqanin e dollarëve gjen çdo send. Vangjeli punon në Gjirokastër e në rast se kalon normën mund të sigurojë ushqimet. Në të kundërt do mbetet pa bukë. Jemi bërë mos më keq. Na hëngri mërzia e familjes sepse që nga 14 vjeç e lart na i rekrutojnë djemtë dhe vajzat për 6 muaj punë vullnetare. Hajde nxirre vajzën që të kërcej me djemtë. S’kam çfarë t’u shkruaj tjetër. E ekuptoni vetë.
-Spiro Basho për Kosta Bashon: Duke mos patur për të paguar, kemi frikë mos na marrin lopën. Jemi dhe pa bukë. Kemi shumë frikë, kurse për të tjerat nuk pyesim pse nuk mund t’i blejmë.
-Jorgji Shtupenos, Jergucat, Gjirokastër për Kosta Stupin në SHBA: “Letrën e shkruaj me lot në sy. Çfarë nuk kemi parë: uri, zhveshje, zbathje. Të gjitha na mungojnë. Prandaj ju lutem shumë, na dërgoni 5-10 dollarë që të marr ndonjë çikë misër që të hamë se nuk kemi bukë.
-Sofia Kristo nga Gjirokastra për Nich Hoxhopullos në SHBA: Kemi dhe të shkretën Kako këtu. Është katandisur e shkresa mos më keq. Vuan për bukë. Vjen dhe e ushqej unë. Sivjet s’kemi, jemi shumë ngushtë për bukë. Të gjithë ata që kanë dollarë marrin, kurse të tjerët...”.
-Dhespina Qipo, nga Rehova, Kolonjë për Bin Lazar në SHBA: “Juve atje jeni shqerra dhe shkoni me kryq të ballë, por këtu jemi ujqër dhe shejtanë”.
-Spiro Basho nga Derviçani, Gjirokastër për Kosta Bashon në SHBA: “Këto kohët e fundit janë mërzitur shumë nga buka. Lëre pastaj që na vjen dhe pashka. Duhen rroba, këpucë, etj.
-Athina Culu nga Derviçani, Gjirokastër për Kosta Mesho në SHBA: “Jemi dëshpëruar shumë se kemi mbetur pa bukë dhe kemi marrë hua. Kemi arritur në një kohë të keqe që nuk e kemi parë asnjëherë. Nuk do kishim nevojë sepse kishim arat dhe grurin, por tani kemi kashtë e kasolle. Ç’të të them, si mos më keq. Do thuash ti se kemi vreshtat. Më mirë t’i merrnin se kanë shumë taksa e kështu punojmë për të tjerët. Por të më ketë në qafë nëna ime dhe burri im që nuk ngulën këmbë si Kosta, por e bënte hiq e mos e këput. Ti thuash të më dërgojë të hollat për huan e tretë shtetërore se kam vënë firma në tre këshilla. I kërkojnë paratë me këmbëngulje dhe na kanë vënë afat deri në 3 muaj.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.