100-vjetori i parlamentarizmit/ Esat Myftari, deputeti kosovar që i shpëtoi genocidit serb, por u burgos nga komunistët  

0
486
blank

Kur deputeti i burgosur politik, i drejtohej sallës së Kuvendit të parë të pluralizmit, atje ku kishte përballë ish-anëtarë të byrosë politike, ish-ministra të diktaturës, persekutorët e tij, hetues e gjyqtarë të kohës së komunizmit: Ju lutem kini durim dhe nëse me këto që do të them i prishet komoditeti ndokujt, atij do t’i kujtoj faktin e hidhur se të tjerët, dhe këta janë me mijëra, janë detyruar me dekada të tëra të presin në errësirë, në vetmi, në mendime galerish e ankthe intime, për t’u bindur më në fund bashkë me Shekspirin se nata, sado e gjatë, ka agimin e vet.

 Nga Luljeta Progni

Kanë nisur këto ditë festimet për 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar. Kujto.al ka zgjedhur të ktheje në kujtesë fjalime të deputetëve të parlamentit shqiptar në kohë të ndryshme, por veçanërisht ata që vinin nga burgjet komuniste drejt e në sallën e Kuvendit të Shqipërisë së viteve 1990-1991. Esat Myftari ishte njëri prej tyre. Kishte ardhur nga Kosova në vitin 1963, i detyruar për arratisje për shkak të përndjekjes që i bënte regjimi blankserb për shkak se ishte gazetar në të përditshmen e Kosovës, Rilindja. Esat Myftari punoi si mësues në Shëngjin të Lezhës deri në vitin 1976, kohë kur u arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Në zgjedhjet e  para pluraliste të 31 marsit të vitit 1991, u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e  Shqipërisë. Ishte pjesë aktive në jetën parlamentare dhe mbahet mend si një ndër deputetët që ka mbajtur fjalimet më të bukura në atë sallë. Një prej tyre ishte edhe fjalimi në seancën e 3 gushtit kur kuvendi po diskutonte për të shpallur të pafajshëm apo për të anmistuar të burgosurit politikë. Në fund të atij fjalimi, Esat Myftari propozoi që të mundësohej nga shteti një media e dedikuar për ish-të përnjekurit politik, ku të mund të rrëfehej historia e plotë e krimeve të komunizmit. Prej asaj kohe, kanë kaluar 30 vjet. Propozimi i deputetit kosovar nuk u jetësua dhe  historitë e ish-të përndjekurve politikë u shkruan nëpër media të ndryshme deri në shkurt të vitit 2016, kur u themelua platforma kujto.al, arkiva online e krimeve të diktaturës komuniste. Një hapësirë që i dedikohet rishkrimit të historisë së kohës së diktaturës.

Më poshtë botohet i plotë fjalimi i Esat Myftari në seancën e 3 gushtit të vitit 1991, në debatin për faljen apo anmistinë për të burgosurit politikë të diktaturës komuniste.

Seancë parlamentare 3 gusht 1991

Esat Myftari

Të nderuar deputetë!

Ditën e sotme, kur po trajtojmë fatin e të burgosurve politikë, unë e quaj ditë të shënuar, meqenëse kam njëfarë bindjeje se me këtë akt po bëjmë ndarjen edhe nga diktatura. Që të vinim deri këtu, u desh të kapërcehej një kalvar i gjatë dhe për brezat e ardhshëm besoj i paimagjinueshëm. Ju lutem kini durim dhe nëse me këto që do të them i prishet komoditeti ndokujt, atij do t’i kujtoj faktin e hidhur se të tjerët, dhe këta janë me mijëra, janë detyruar me dekada të tëra të presin në errësirë, në vetmi, në mendime galerish e ankthe intime, për t’u bindur më në fund, bashkë me Shekspirin, se nata, sado e gjatë, ka agimin e vet.

Diktatura komuniste, e huajtur nga arsenali rus dhe e aplikuar nga elita partiake shqiptare, shkaktoi viktima të panumërta. Disa prej tyre nuk e gëzuan kurrë qoftë edhe lirinë fizike, lirinë primitive. Atyre iu mbyllën sytë përgjithmonë o nën peshën e blloqeve që binin mbi kurrizin e tyre të përkulur, o ndër këneta, o në skutat e kapanoneve duke sjellë me vegimet e tyre për të fundit herë fytyrat e fëmijëve, prindërve, bashkëshorteve e miqve. Pjesa tjetër edhe arriti të dilte prej burgjeve, por kjo ishte një liri e rreme. Lirimi i tyre më parë do të thoshte përballim i një burgu të ri, në shumë pikëpamje edhe më përfike, se zbatohej nga një kolektivitet i trembur, i indoktrinuar, më falni, shpesh edhe mazoist.  Shkëndija e figurës së Enver Hoxhës dhe veglës së tij të verbër e të bindur, Sigurimit, nuk qëndron e gjitha te dënimi sesa tek absolutizimi i dënimit duke mos u lënë njerëzve aftësinë, dinjitetin, reflektimin. Diktatura që i çon gjërat deri në ekstremet më të përçudnueshme, kudo, pa vetëm dy kategori njerëzish: skllevër të bindur ose rebelë prapa hekurave. Dhe harroi se midis këtyre dy ekstremeve jetonte një mori qytetarësh që zbatoi filozofinë subile të mosqenies në asnjërën prej këtyre dy ekstremeve. Dhe këta, mendoj unë, janë ata që e mbajtën gjallë këtë Shqipëri.

blankDuke shprehur respektin për të dënuarin politikë, nuk kam ndër mend aspak që atij t’i atribuoj virtyte të jashtëzakonshme. I jashtëzakonshëm tek ai qe fati i tij dhe sa më i kulturuar të ketë qenë ky i burgosur, aq më e madhe qe vuajtja e tij shpirtërore, se ai shikonte më thellë në të kaluarën e kombit tonë, se tek ai vlonte ndryshe dëshira për të marrë pjesë në modulimin e Shqipërisë, se ai kishte mjaft pika referimi, të cilat e bënin të ulërinte nga dëshpërimi. Për diktatorin këta ishin armiqtë më të mëdhenj potencialë dhe si të tillë duheshin gozhduar diku. Kështu Shqipëria, nga Veriu në Jug u mbush me kampe, ku u angazhua një ushtri e vërtetë hafijesh e gardianësh, të cilët studionin me zell inkuizicioni çdo mendim heretik që nuk kishte si të disiplinohej në kallëpet zyrtare. Bota u skandalizua me fatin e Nelson Mandelës, por që të mos ju mërzis, mund t’ju sjell dhjetëra fate të tilla, me të cilat mund ta servirte botën Shqipëria jonë. Në këtë aspekt të zi Shqipëria e Enver Hoxhës është unikale. Në Romën e lashtë, kur konsujt nuk merreshin vesh midis tyre dhe gjendja kritike kërkonte qetësim pa zgjidhje, i jepej mandati diktatorit që të vinte rregull. Po ky mandat zgjaste vetëm 6 muaj. Kurse mandati uzurpues i Enver Hoxhës zgjati pothuaj gjysmë shekulli dhe i dha fund vetëm vdekja natyrore. Këndej bëhet më i kthjellët ai peizazh jo vetëm i vuajtjeve, por edhe i humbjeve kombëtare. Sa inxhinierë, mjekë, mësues, letrarë e oficerë u shkëputën në vlugun e krijimtarisë së tyre dhe u kthyen në tellallë të shekullit të 20-të. Këta edhe sot e kësaj dite ende janë qytetarë të margjinalizuar, në pamundësi për t’u integruar në jetën politike, sociale, kulturore.

E di nga përvoja vetjake se me asgjë nuk mund të kompensohen humbjet e tyre, asgjë nuk mund të restaurojë normalitetin e dikurshëm. S’po them lumturinë, mbasi ajo ishte privilegj i një kaste gjakpirëse. Por që kjo shoqëri, ky shtet e ky vend duhet të bëjnë gjithçka që ata të ndiejnë jo vetëm simpatinë tonë, por edhe përkrahjen tonë konkrete, kjo është jashtë çdo dyshimi. Me këtë mendoj se mund të shlyejmë edhe një pjesë të borxhit. Nuk do ta teproja po të thosha se edhe frika jonë, e njerëzve të lirë, edhe tërheqja jonë në guaskën e interesit vetjak, madje në raste të caktuara edhe hyjnizimi i diktaturës për disa përfitime meskine, janë bërë herë-herë piedestal i vetë diktaturës.

Dëshiroj t’ju tërheq vëmendjen edhe për një aspekt tjetër. Këta mijëra të dënuar kaluan nëpër një hetuesi arbitrare, ku u manipuluan faktet, njerëzit, rrethanat, u prek deri në rrënim të plotë familja e farefisi, fëmijët, adoleshentët, me synimin e vetëm që të  shkulej e famshmja deklaratë e dëshmitarit, e cila sot shërben si bazë e refuzimit të pafajësisë. Desha t’ju ndërhyj vetëm për një moment, meqenëse këtu bëhet një trajtim doktrinar i çështjes nëse u duhet dhënë pafajësia apo amnistia të burgosurve politikë. Do t’ju tregoj një praktikë që po përdoret deri më sot. Mijëra janë qytetarët ish-të burgosur që kanë bërë lutje për pafajësi. Përgjigjja uniforme është:  “Jeni dënuar sipas dëshmive të dëshmitarëve, prandaj s’keni ç’kërkoni më pafajësi”.

blankKapitulli i presioneve dhe i izolimeve të paraburgimit, ai i torturave gjatë hetuesisë, i trajtimeve mesjetare nëpër kampe e burgje, ridënimet, këto monstruozitete brenda monstruozitetit, mjerisht për një kohë të gjatë e bënë Shqipërinë tonë të shenjtë simbol dhune e anakronizmi, aq sa ndonjë cinik kërkoi madje të na mbante si rezervat të komunizmit të dështuar në shkallë botërore. Prandaj çështja që po shqyrtojmë rrok probleme komplekse. Kemi aty brenda viktimën, mbi të cilën ndërtoi jetën e vet dëshmitari i rremë, nganjëherë edhe pa të keq, hetuesin persadist e me ndërgjegje të lëndueme, shumë gjyqtarë që nuk kishin si të zbërthenin deri në fund ligjin arbitrar dhe ndoshta ndonjëri prej tyre mallkonte çastin kur zgjodhi si vokacion të tij jurisprudencën.

Të gjitha këto momente lipset të trajtohen në mënyrë meritore, pasi kështu do të shmangeshin shumë paragjykime e keqkuptime. Mirëpo këto kundërvënie kanë në vetvete farën e përçarjes, meqë nga njëra anë kemi afër gjysmë milion të burgosur, të dënuar e të persekutuar dhe nga ana tjetër një aparat të stërmadh dhune me përçuesit e materializuesit e tij. Kryediktatori Enver Hoxha e asimiloi më mirë se kushdo tjetër modelin negativ të Makiavelit, sipas të cilit një diktator “i urtë” di ta përmirësojë veten e vet duke shkarkuar mbi ta njëkohësisht edhe përgjegjësinë e vet. Atëherë ç’na mbetet, hakmarrja? Kjo do të ishte pa dyshim këshillë magjistrice.

Në shumë raste na takon të ndjekim, jo për formë, shembullin e vegjëlisë. Në një fshat të Lezhës ish-dëshmitarë pranuan gabimet e tyre dhe u kërkuan të falur viktimave, kurse këta të fundit vlerësuan pendesën e tyre si një gjest moral. Pajtimi u bë. Ai që mbeti jashtë e që do të mbetet përherë jashtë këtij pajtimi qe diktatori dhe shpura e tij. Ata do të vihen përpara gjyqit të historisë si xhelatë. Veglat e tyre ndërklanore a nuk janë një ndëshkim si të thuash hyjnor? Megjithëkëtë, të tjerë do të vijnë dhe raporti i zotit Genc Ruli vetëm sa i çoi një kind perdes, prapa së cilës kushdo tashmë sheh një jetë batanale, ndien aromë seksi e gjaku, orgji pashallarësh të kuq, së fundi ato i polli Lindja epshore dhe jo Perëndimi racional.

Propozoj që burgu i Burrelit, kjo basti e kombit tonë, të kthehet në muze, ku të shënohen emrat e atyre që vdiqën apo varën veten. Propozoj, gjithashtu, që të burgosurit politikë të kenë organin e tyre, ku të botohen memorialet e tyre dhe të gjitha materialet që do të ndriçojnë një epokë të tërë, sepse edhe vetë historia jonë do të rishkruhet.

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here