10 mars 1944/ Letra e Mehmet Shehut: Në Martanesh pushkatuam 25 xhandarë e ballistë

0
0
blank

Një letër e Mehmet Shehut drejtuar Shtabit të Përgjithshëm për veprime në Shqipërinë e mesme e të veriut, ku flitet për armiqësinë që kish hasur brigada partizane, në krahina të tëra, gjatë marshimit të saj, por edhe për vrasjet që ajo kishte kryer ndër shqiptarë

Teksti i letrës:

Prej Llënge e deri në Martanesh, përmes Gollobordës, kemi marshuar të bllokuar nga të gjithë anët duke e çarë rrugën me forcë. Në Martanesh luftuam 6 orë me forcat reaksionare. Prej Gurit të Bardhë e deri në Pezë kemi ardhur pa luftë, porse prej Skrapari e deri në Vakumonë kemi ecur kurdoherë mbi borë e vetëm aty na zuri këmba tokë. Humbjet tona kanë qenë këto: 3 të vrarë e 2 të plagosur.

Gjatë luftimeve kemi vrarë gjermanë e ballistë dhe në Martanesh pushkatuam 25 xhandarë e ballistë, në Qafë të Krrabës 2 ballistë e 1 toger xhandaro-ballist. Galip Sojli me Muzaferin (Orozi) na u shkëputën dashas, dezertuan, në Skuterrë.

Në Mokër forcat partizane të vendit i lamë shumë të dobëta, të demoralizuara, në panik, të sëmura nga mania e ilegalitetit, por edhe armiku jo i organizuar mirë dhe i paaftë që të përballojë forcat e Batalionit “Reshit Çollaku” po qe se këto marrin kurajë e dalin ilegalisht nga zgallna e Llëngës.

Prej Skroske e deri në Llëngë (Çermenikë) krahina ku reaksioni është më i organizuar se kudo.

Në Gollobordë ka reaksion të organizuar e asnjë partizan në këmbë. E gjithë Dibra e organizuar me Ballin dhe ikja e Haxhiut ka qenë gabim trashanik. Vendi i Haxhiut ka qenë Dibra, edhe ilegal sikur të rrinte dhe jo Panariti, sado që është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Martaneshi i organizuar nga Balli, reaksioni në kulm, sa që guxuan e luftuan me ne për 6 orë, asnjë partizan. Mati krejt zogist e s’arfërmi do të jetë e pamundur jetesa ose kalimi i partizanëve, sepse s’afërmi zogistët po hapin zjarr kundër nesh.

Krahinat e Dajtit, të Shëngjergjit dhe të Zaranikës, qëndrojnë me dy karrige, i nënshtrohen çdo force, reaksioni i paorganizuar. Porse “Lila” po bën muajin e mjaltit në ilegalitet me të dashurën e tij, e nuk pashë në të as një proekupacion për të riparuar atë gjendje kaotike. “Lila” nuk ka tash veç 6 shokë.

Mbasi mbërrita në Shëngjergj ku gjeta “Lilën” e nuk gjeta shokët që kërkoja, nën përgjegjësinë tinë çela letrën e Haxhiut që i drejtohesh Shtabit të Përgjithshëm, sepse mendova mos kishte ndonjë porosi që duhej kryer e shokët e ikur nuk kishin mundësi ta kryenin, kështu ta kryeja unë (p.sh. emërimi i “Lilës” si komisar i Brigadës 7 e porosia që të vinte “Lila” në Skrapar me ne). Sipas asaj letre rezulton se juve mendoni ta çoni Brigadën e 1-rë ose ndonjë brigadë tjetër në këtë gjendje. E unë nuk marr asnjë përgjegjësi, në rast se urdhëroni pjesën tjetër (Tukun) të kapërcejë Shkumbinin në këto kondita. Ne prandaj po qëndrojmë këto 10 ditë këtu për të parë gjendjen e po na lejoi gjendje, ju lajmërojmë ne. Tuku mjafton të vijë në Tomorricë e në Sulovë e atje të presë. Sot çdo brigadë që të futet në Çermenikë, Polis ose Dumre, 100% do të asgjësohet[1].



[1] AQSH, F.41/AP, V.1944, D.80, fleta 8-10/1

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here