Pasi miniera e Spaçit ishte konsoliduar si përvojë pune, një tjetë minierë do hapej për shfrytëzimin e mineralit jo shumë larg Spaçit. Miniera ishte përzgjedhur në Qafë-Bari të Pukës. Nevojat për fuqi punëtore të rrethit, sillnin domosdoshmërinë e marrjes së “punëtorëve të detyruar”. Qëllimi kryesor do të ishte nxjerrja e bakrit nga një fuqi punëtore prej 250-300 punëtorësh. Përveçse kaq, regjimi hapte një tjetër kamp pune të izoluar. I vendosur mes malesh, vendi i piketuar për “repart riedukimi” do shtonte tmerret e rrëfimet për vendet ku të burgosurit detyroheshin të punonin.

Me 4 qershor 1982, Këshilli i Ministrave mori vendimin nr. 139, për hapjen e repartit 311 Qafë-Bari. Sipas planit të miratuar më 10.7.1982 mbaroi kantieri ndërsa më 25.7.1982 përfundoi rrethimi. Sipas shkresës së datës 11.6.1982 të zëvendësministrit të Industrisë e Minierave Martin Cukalla, reparti duhej të fillonte nga puna më 1.8.1982. 200 mijë copë tulla, një personel prej 75 vetash (36 ushtarë shërbimi) dhe deri 300 të burgosur të ndërgjegjes do të përbënin atë që do të njihej më vonë si “Reparti i edukimit nr. 311 Qafë-Bari, Pukë”.

Qafë-Bari u bë një prej kampeve më të tmerrshëm të komunizmit, i ngritur për të shfrytëzuar punën e të burgosurve politikë për të sjellë fitime të leverdishme për regjimin e atëhershëm. Makina e diktaturës, por edhe ekonomia socialiste kishin nevojë për “karburantin” që dilte nga mundi i personave të destinuar për të vuajtur e punuar angari.

Kjo punë përbënte edhe thelbin e hapjes dhe mbajtjes në këmbë të kampit të Qafë-Barit, vend ku njeriu hynte e nuk dinte nëse do të dilte apo jo, pasi puna që do të bënte kishte rreziqet e një miniere primitive.

Edhe kohë më parë, regjimi komunist ishte kritikuar në organizmat ndërkombëtare për punën e detyruar me të cilën dënonte të burgosurit politikë, porse të gjitha këto kishin shkuar në vesh të shurdhër.

Në mbështetje të kërkesës zyrtare datë 27.3.1982 të Drejtorisë së Ndërmarrjes Minierave Fushë Arrëz, kërkesave verbale të Ministrisë së Industrisë dhe porosive të kryetarit të Këshillit të Ministrave, për të ndërtuar e ngritur në minierën e Qafë-Barit repartin e riedukimit me qëllim që kjo minierë të shfrytëzohet me punëtorë të detyruar ngrihet reparti në fjalë... Vendi ku kërkohet të ngrihet reparti është mjaft i përshtatshëm në një gropë midis kodrash, ka ujë të bollshëm, energji elektrike dhe për banim mund të shfrytëzohen godinat ekzistuese me disa shtesa e përmirësime që duhet të bëhen”, - shkruante ndër të tjera drejtori i Drejtorisë së Zbatim Vendimeve Penale, Kasem Kaçi. Datë të saktë për hapjen e repartit nuk ka, por besohet se ai mund të jetë hapur në gusht 1982. Kjo sepse raportimet e para zënë fill për këtë periudhë. Kësisoj vetëm në gusht-dhjetor 1982 prej kushteve të rënda të punës ishin bërë 2.895 vizita ambulatore dhe 254 mjekime çka tregonte shkallën e lartë të aksidenteve. Në dhjetor 1982 në repart ndodheshin 242 të dënuar, ndërsa kapaciteti ishte ndërtuar për të mbajtur 300 të dënuar.

Në shkurt 1983 një i dënuar, nisur nga kushtet e vështira, i shkruan letër Enver Hoxhës. Agroni që shkruante këtë letër ishte dënuar për faje politike qysh në moshën 16-vjeçare në vitin 1980. Ai ishte dënuar me 11 vjet burg. Dënimin e kishte nisur në Spaç, por më vonë ishte zhvendosur në Qafë-Bari, ku punonte në nxjerrjen e piritit. Në letër ai shkruan se frontet e punës ishin të mbushura me ujë, se futeshin në vende ku nuk dilte minerali, se punonin dy turne, se rriheshin barbarisht, se nuk ushqeheshin dhe se nuk laheshin kurrë me ujë të ngrohtë. “Komanda ka futur terrorin duke rrahur çdo ditë të dënuarit me kamxhik në dorë në mënyrë çnjerëzore”, - shkruante ndër të tjera Agroni. Kamxhiku quhej nga komanda si “zorra e trashë”. “Kjo minierë nuk është kamp pune dhe riedukimi, por një kamp shfarosje”, duke i bërë të dënuarit të “pavlefshëm si njerëz” nëse dilnin që andej, pasi nuk kishte “ligj që i mbronte”. Agroni kishte guxuar kështu të shkruante se edhe nëse dilte nga burgu, dyshonte se do të mund të ishte i aftë për të vazhduar jetën. Në 9-mujorin e vitit 1983 është rritur forca prodhuese, ndërsa thuhej se ishin nxjerrë 82.595 tonë bakër. Vështirësitë kishin qenë të mëdha dhe ishte punuar me “sforcim të madh”. Punonin në minierë 230 të burgosur nga 275 që duhej ta bënin këtë punë. Të dënuarit e tjerë punonin mbi sipërfaqe. Personeli teknik nuk ndihmonte, bile brigadierët e lirë iknin para kohe nga puna.

Në vitin 1983 evidentoheshin si të dënuar problematikë: Din Thaçi, Pjetër Mark Ndreca, Arqile Zoto, Nuro Hoti, Fetah Hasan etj.

Në shënimin e datës 8.2.1983, shënohej se në kamp ishin 340 të dënuar. Prej tyre ishin 13 bashkëpunëtorë (5 agjentë e 8 informatorë). Brenda kampit ndiqeshin në përpunim aktiv 10 të burgosur.

Pas inspektimit të Prokurorisë së Përgjithshme, në repart ishin kontaktuar të gjitha shqetësimet e ngritura në letrën e një të dënuari. Në një dhomë 3 x 4 metra flinin deri 16 të burgosur, nga 6 që ishte norma.

Më 13.10.1984, i dënuari Jani Nasho Pano teksa ishte liruar nga burgu me plotësim kohe kishte qerasur me një pije të fortë një oficer dhe një nënoficer të kampit në kafen e fshatit. Ky veprim ishte denoncuar dhe ishte cilësuar si “zbutje e luftës së klasave”, pasi kafeja, ponçi dhe fërneti rrezikonin formimin e dy ushtarakëve. Për të dy u morën masa uljeje në detyrë, por në relacionin e paraqitur, ministri Hekuran Isai shënonte se kishte “baza për ndjekje ligjore”.

Në janar 1984 në repart ishin 448 të dënuar prej të cilëve 291 punonin nën tokë. 178 të dënuar ishin përsëritës. Rritja e numrit të të burgosurve e dallon vitin 1984 nga viti i mëparshëm. Përgjithësisht shifra ruhet në muajt e tjera të vitit, ndërsa në korrik zbret në 392 veta. Në fund të vitit 1984 në repart ishin 380 të dënuar.

Kampi, sipas raportit të datës 22.4.1984, kishte 435 të dënuar. këtu shërbenin 30 policë dhe 55 ushtarë. Ndiqeshin në përpunim aktiv 2A gjithsej 21 të dënuar. Në kamp kishte 13 bashkëpunëtorë (prej të cilëve 4 agjentë). Punonin në tre turne 231 të burgosur të ndarë në 6 brigada (3 prodhimi, 1 kërkimi, 1 e ndihmës së brendshme, 1 e ndihmës së jashtme). 160 të dënuar rrinin në regjim burgu.

Në vitin 1985 në kamp punonin 391 të dënuar politikë dhe asnjë i dënuar ordiner. Këtë vit, si 9-mujor ishte nxjerrë 26.580 tonë mineral, ose 143%. Në fund të vitit 1985, nga rritja e kërkesës për mineral të dënuarit shkuan në 400 veta, ndërsa në minierë punonin 260 të burgosur.

Në 10 muajt e parë të vitit 1986 ishin realizuar 180.181 tonë bakër, duke tejkaluar ndjeshëm normën. Por komanda bëhej qesharake, kur deklaronte se kishte kursyer 10 kv bukë nga ajo që duhej të hanin të dënuarit. Pra rritje plani me ulje të bukës. Në fund të janarit 1986 në repart ishin 363 të dënuar, në mes të vitit 260 dhe në fund të vitit 304 të dënuar. Gjatë vitit 1987 në repart punonin rreth 300 të dënuar politikë.

Në një statistikë sipas rretheve dilte se për akuzën e agjitacionit nga Tirana ishin 14 të dënuar dhe nga Elbasani 11 të tillë. Rrethet e tjera ishin nën këtë akuzë. Për sa i takon arratisjes, në vend të parë ishte Shkodra me 40 të dënuar e pastaj me radhë Tirana 35, Durrësi 24, Saranda 22, Dibra 20, Korça 17 etj. Në fund të vitit 1988 në repart ishin 377 të dënuar. 21% e përbënin të dënuarit për agjitacion e 66% për arratisje. Të tjerat nga pak. Rreth 47% e të dënuarve i përkisnin moshës 18-30 vjeç.

Në fund të vitit 1988 në repart ishin 365 të dënuar. në gjashtëmujorin e parë të vitit 1989 komanda raportonte se kishte nxjerrë 90.000 tonë bakër përfshi këtu 5.000 tonë mbi planin. Ishin kryer 850 metra linearë punime. Raportohej një shumë prej 300 të dënuarish.

Gjatë vitit 1990 ka disa raportime për gjendjen në repart, si pasojë edhe e ndryshimeve që kishin ndodhur. Në janar 1990 në kamp ishin 340 të dënuar prej të cilëve punonin 173 veta në minierë. Në janar-gusht 1990 në repart janë rreth 314-326 të dënuar. me ndryshimet e vitit 1990, gjendja fillon të ndryshojë. Në qershor 1990 punojnë në minierë 35 veta, ndërsa në gusht 25 të tillë. Për arsye se prodhimi në minierë ra ndjeshëm, autoritetet e panë të arsyeshme që të merrnin punëtorë në Qafë-Bari e t’i hiqnin të dënuarit prej andej.

Në korrik 1990 evidentoheshin 182 të dënuar politikë dhe 114 të dënuar ordinerë. Me urdhrin nr. 1876, datë 10.9.1990 të ministrit, “për arsye të lirimit të mjediseve për punonjësit e lirë”, reparti 311 u zhvendos përkohësisht në repartin 321 Burrel. Të dënuarit do qëndronin në repartin nr. 311 deri në mbarim të punimeve në repartin 318. Plani i masave për zhvendosjen është miratuar më 10.9.1990 (koha e zhvendosjes). Megjithatë, për shkak të zhvillimit të ngjarjeve, të burgosurit ngelën në Burrel, vend ku edhe u liruan në fillim të vitit 1991.

Kuadri drejtues i kampit kishte qenë në fillim me arsim fillor, profesion bazë bujk. Pas vitit 1985 ai ishte me arsim policor

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.