Reparti 309 (ish-kampi nr. 5) nga Tërbufi në Ballsh

Nevoja për krijimin e një kampi pune për tharjen e kënetave, solli krijimin e një kampi të ri pune që do të përdorej në bonifikime. Në bazë të urdhrit nr. 1620, datë 21.12.1955 kampi nr. 5 (pa u krijuar akoma), mori numrin 309. Urdhri hyri në fuqi më 1 janar 1956. Kjo do të thotë se praktikisht reparti nuk e mori kurrë në të vërtetë numrin 5. Emërimi i komandantit të parë të kampit, Vangjel Rrëmbeci, u bë me urdhrin e ministrit, nr. 2095, datë 26.6.1956. Komandanti i kampit ishte, sipas udhëheqjes, “njeri me përgatitje dhe përvojë si drejtues me partishmëri”, siç cilësoheshin në atë kohë përgjithësisht njerëzit e këtij kallëpi. Nga historiku i repartit 309, lihet të kuptohet se kampi nr. 5 ka dalë nga radhët e kampit nr. 4, si pasojë e mbingarkesës së tij, pa përjashtuar shtimin me të burgosur edhe nga repartet e tjera.

Në Myzeqe, vitet 1956-1958

Synimi i krijimit të repartit ishte tharja e kënetës së Tërbufit në Rrethin e Lushnjës. Kontingjenti që përbënte këtë kamp ishte i përbërë i gjithi nga “armiq të popullit”. Për tharjen e kënetës ishte caktuar një afat kohor që duhej zbatuar nga të dënuarit. Po ashtu në këtë kohë vëmendja ishte e madhe nga arratisjet e mundshme të “armiqve”. Vetë drejtuesit e kampit në shënimet e tyre pranonin se ishte çështje shumë e vështirë vendndodhja e kampit, pasi ishte i mbushur me ujë, driza e kallamishte, ndërsa rrethimi i jashtëm i kampit ishte i vështirë. Nga ana tjetër nuk flitej fare për ndonjë kusht të të dënuarve politikë të destinuar për të qenë skllevër të një regjimi që vetëquhej “pushtet popullor”.

Në organikën e kampit ishin edhe të dënuarit “monarko-fashistët” grekë. Këta ishin të ndarë nga pjesa tjetër e të dënuarve shqiptarë pavarësisht se shërbenin brenda një territori si këneta e Tërbufit. Disa prej efektivit të grekëve të këtij reparti në vitin 1956 shihet që janë vendosur në Burrel.

Në vitin 1956 duke qenë në Tërbuf reparti kishte rreth 700 të burgosur. Në vitin 1957 në kamp ishin 566 të dënuar politikë dhe asnjë ordiner. Po në këtë kohë vijnë edhe të burgosurit ordinerë. Raportet e kohës thonë se në kamp furnizimet ishin të pakta dhe për këtë kishte ndihmuar “matja e keqe” e peshës së tyre. Në Tërbuf punohej në 5 brigada pune, ndërsa ishin krijuar 4 kaushë. Refat Çaushaj, Agim Vrioni, Kapo Leka, Mark Gjon Nikolli, Musa Koshena, Qani Dervishi, Sabaudin Resuli, Gjon Përjaku, Abdurrahman Leka etj., evidentoheshin si të burgosur problematikë. Komentet e të burgosurve kishin brenda tyre shpresë te demokracitë perëndimore dhe urrejtje ndaj regjimit komunist.

Në muajin dhjetor 1956 në frontin e punës për ndërtimin e godinave, në kohën e bërjes së apelit për t’u larguar nga fronti i punës, 5 të dënuar u fshehën në ndërtesa me qëllim arratisje. Por nga kontrolli i plotë dhe vigjilenca e rojës së brendshme u diktuan dhe u kapën. Në një prej të dhënave të vitit 1957 thuhet se në kamp ishin 7 grekë, 18 jugosllavë dhe 24 gra.

Punimet për hapjen e kanalit të Tërbufit ecnin me vështirësi. Regjimi është përpjekur në këtë kohë të krijojë një tjetër sabotim kënete si rasti i Maliqit në vitin 1946, por nuk është zgjatur shumë. Fillimisht lëshohen akuzat për cilësinë e kavos së ekskavatorëve (raporti i datës 25.4.1957) dhe më pas për ndryshim të projektit e punë të dobët në hapjen e kanalit (raporti i datës 16.10.1957).

Inxhinieri i parë elektrik i Shqipërisë, ish-drejtori i përgjithshëm i postave, i dënuar pse ishte vetëm një muaj ministër i Punëve Botore në vitin 1943, Ndoc Naraçi, vuante dënimin në Tërbuf. Pasi kishte vuajtur për 15 vjet nëpër burgje, më 3.2.1957 ai bënte një kërkesë për falje dënimi, në të cilën, midis të tjerash, shkruante:

Që nga viti 1945 e deri sot jam marrë gjithnjë me punë që më kanë caktuar drejtoritë e ndryshme të burgjeve dhe kampeve duke kryer me nder si punë krahu edhe punë teknike me vullnetin më të mirë dhe duke vënë të gjitha forcat e mia pa asnjë kursim dhe për këtë jam lavdëruar vazhdimisht nga autoritetet përkatëse. Edhe tani ndodhem me detyrën e përgjegjësit teknik. Nga ana tjetër burgimi i gjatë jo vetëm më ka lodhur, mbasi nuk kam pasur ndonjë ndihmë dhe jam i kaluar nga mosha, por gruaja ime edhe ajo e kaluar nga mosha duke qenë pa asnjë ndihmë si e huaj (polake) është në gjendje fare të mjerueshme dhe ka punuar me krahë qysh nga viti 1945 për të siguruar kafshatën e gojës dhe tani e sëmurë nuk është më në gjendje të vazhdojë punën. Për këtë arsye i lutem nxehtësisht asaj Gjykate të Lartë që të marrë në shqyrtim çështjen time dhe duke marrë parasysh se unë kam kryer pjesën më të madhe të dënimit, të vendosë lirimin tim para kohe me kusht”.

Megjithëse DPB Lushnjë vlerësonte qëndrimin e mirë në punë të Naraçit dhe mospërfilljen politike të tij, jepte mendimin që ai të mos falej.

Në prill 1957 grekët e dënuar organizuan një revoltë duke ndërmarrë edhe një grevë urie. Ata refuzuan kategorikisht marrjen e ushqimit, praninë e rojeve të brendshme, me kërkesën kryesore atë të riatdhesimit në vendin e lindjes. Kjo gjë paraqitej e pamundur, pasi jo vetëm ishin dënuar në Shqipëri, por edhe qeveria e tyre nuk kishte paraqitur kërkesë riatdhesimi pranë qeverisë shqiptare. Komanda e repartit e ndihmuar nga kryetari i Degës së Kampeve dhe Burgjeve Qamil Mane, dhe kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Lushnjë Nuçi Tira, ndërmori një aksion duke i lidhur në vend 10 persona ndër më organizatorët, ndërsa të tjerët ia kaloi gjyqit për ridënim.

Sipas raportit të datës 2.4.1958 në kampin e Tërbufit ishin 527 të burgosur, të ndarë në 5 brigada pune e 3 kaushë. “Përbërja e kampit është krejtësisht me elementë armiq dhe të rrezikshëm, të cilët kanë filluar një aktivitet të gjerë armiqësor si organizim, tendencë arratisje, propagandë etj.”, - thuhet në këtë raport.

Në mars 1958 kampi u zhvendos nga Tërbufi në Bubullimë. Raportohet për 490 të burgosur politikë.

Grekët ngelën në mbeturinat e kampit në Tërbuf. Për të ruajtur këta, shërbenin 12 ushtarë dhe 1 oficer. Atyre u ishte lënë një radio, si dhe u lexohej shtypi përditë. Fjala ishte për të qëndruar disa ditë, por në fakt kjo ishte tejkaluar. Kampi i grekëve është mbyllur më 11.11.1958. Si punëtor operativ i Sigurimit për grekët ishte minoritari Jorgo Kareco.

Në qershor 1958 punimet për tharjen e kënetës mbaruan. Në këtë mënyrë u kërkua zhvendosja e kampit.

Këneta e Thumanës, vitet 1958-1961

Më 1 maj 1958 doli urdhri i ministrit që urdhëronte zhvendosjen e kampit nr. 309 nga Bubullima e Lushnjës për në Mamurras të Krujës, gjë që u realizua më 3 qershor 1958.

Për zhvendosjen e të burgosurve u përdorën makinat e ndërmarrjes së bonifikimit në Durrës, të shoqëruara nga 4 motoçikleta. Masa sigurie ishin marrë gjithë rrugës

“veçanërisht në qytetin e Kavajës”. 3 oficerë, 10 policë dhe 17 ushtarë ishin trupa e kampit që zhvendosej në vendin e ri. Për sigurimin e autokolonës ishin 25 kamionë “Skoda”, 35 kamionë “Zis”, 1 veturë. Shoqëronin zhvendosjen e më shumë se 500 të dënuarve drejt vendit të ri të punës 13 oficerë, 26 policë, 92 ushtarë, 3 qen. Në këtë shoqërim ishin të gatshëm 11 mitraloza, 20 pushkë, 111 automatikë. Sipas planit, të burgosurit do të zgjoheshin nga gjumi në orën 200. Largësia përllogaritej 120 kilometra.

Pasi u morën masat për ndërtimin e kampit të ri, në korrik 1958 kampi ishte gati në Mamurras (Bushnesh) të Krujës, afër repartit nr. 305. Këtu do të kryente punime për tharjen e kënetës së Thumanës. Sipas organizatorëve të kampit, terreni paraqitej i vështirë, pasi afër kënetës ishin pyjet. Kjo gjë mund t’u jepte shkak të burgosurve për arratisje.

Me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, në gusht 1958 reparti u zhvendos në Gjorm të rrethit të Krujës në vazhdim të tharjes së kënetës. Në vjeshtë 1958 reparti është në Thumanë. Të dënuarit ordinerë i kishin nisur në Tiranë. Në vitin 1958 në kamp punonin 540 të dënuar politikë dhe asnjë ordiner.

Sipas të dhënave të vitit 1959 në kamp punonin 742 të dënuar. Në shkurt të vitit 1959 u dha urdhër nga ana e komandës për të nxjerrë 11 të dënuar nga vendbanimi i tyre për të transportuar dru në kuzhinën e repartit jashtë rrethimit. Tre nga të dënuarit shfrytëzojnë dobësinë e sigurimit të tyre, që ruheshin me roje të pakta, shfrytëzojnë rastin dhe arratisen. Qëllohen nga rojet, por ata vazhduan largimin e tyre derisa njëri prej tyre u vra. Dy të tjerët u kapën.

Në gusht të vitit 1960, kur forcat e dënuara ktheheshin nga fronti i punës, një i dënuar shfrytëzon një rrugë në afërsi të rrugës së tyre dhe del jashtë rrethimit të rojeve me mendimin për t’u arratisur duke u paraqitur si punëtor i lirë, por ushtari që e kishte diktuar veproi me shpejtësi duke e plagosur.

Në vitin 1960 të dhënat e pakta flasin për 624 të burgosur, të gjithë politikë, ndër të cilët vetëm 5 të huaj.

Më 26.12.1960 u nënshkrua kontrata midis drejtorit të Ndërmarrjes së Bonifikimit, Miço Veshi dhe përfaqësuesit të MPB-së, Qamil Mane, miratuar nga ministrat përkatës Josif Pashko dhe Mihallaq Ziçishti (në emër të ministrit) për aktivizimin në punë të 700 të dënuarve në tre fronte pune. Quhej normale që fronti i punës të ishte 4 kilometra larg nga kampi dhe vetëm pas saj do të përdorej transport nga ndërmarrja.

Në Laç për ndërtime dhe për hekurudhën, vitet 1961-1962

Pas përfundimit edhe të kësaj pune, reparti u zhvendos në vitin 1961 në Laç për ndërtimin e objekteve të këtij qyteti të ri industrial dhe hekurudhën. Kishte 13 vjet që regjimi nuk kishte bërë përurime hekurudhe. Të fundit e kishin ndërtuar në një pjesë të mirë të burgosurit. Kështu për hekurudhën Vorë-Laç me gjatë si 30 km, e cila u përurua më 1 maj 1963, kontribuuan edhe të burgosurit e këtij reparti. Në vitin 1961 raportohej për rreth 600 të dënuar që punonin.

Me të burgosurit zhvilloheshin tema të tilla në vitin 1958: “11 janari, dita e shpalljes së republikës”, “40-vjetori i ushtrisë sovjetike”, “Ushtria sovjetike, faktor kryesor mbi shkatërrimin e fashizmit”, “Shkenca sovjetike, më e përparuara në botës (mbi sputnikët)”, “Mbi rrugën luftarake të ushtrisë sonë popullore”, “Roli i Partisë së Punës së Shqipërisë, për krijimin, udhëheqjen, edukimin dhe modernizimin e ushtrisë sonë popullore”.

Më 23.2.1961, mundën të arratisen të dënuarit Mark Frrok Nikolla, Latif Hamja dhe Nikoll Syziu. Të parin e vrau një nënoficer, ndërsa dy të tjerët u ridënuan.

Në Tiranë, për ndërtime, vitet 1962-1963

Me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme në qershor 1962 reparti u vendos në Tiranë për ndërtimin e pallateve “Puna”. Ndërtimi i këtyre apartamenteve të banimit ishte një tjetër punë e lodhshme që bëhej me mundin dhe djersën e atyre që mendonin ndryshe nga regjimi.

Në fillim të nëntorit 1962 në repart punonin 535 të dënuar politikë dhe asnjë ordiner.

Në vitin 1963 në frontin e punës fshihet një i dënuar me qëllim arratisjeje, por u diktua nga oficeri i frontit të punës, i cili jep alarmin dhe vazhdon kontrollin. Përfundimisht i dënuari nuk dorëzohet dhe plagoset nga rojet e jashtme.

Në Rubik, maj-dhjetor 1963

Në maj 1963 kishte ardhur plan ndërtimi i uzinës së përpunimit të bakrit në Rubik. Reparti u bë gati për zhvendosje. U bë gati urdhri i ministrit dhe lëvizja e re ishte gati të bëhej.

Më 19 nëntor 1961, të dënuarit Demir Sinan Shkoza, Ahmet Hoxha dhe Kujtim Alia, kishin vrojtuar orën e ndërrimit të shërbimit, si dhe pakujdesitë e tyre dhe gjendjen jo të mirë, u përgatitën për arratisje duke sulmuar telin e rrethimit, të cilin e ishin zbërthyer më përpara dhe u arratisën duke shfrytëzuar të gjitha këto dobësi. Njëkohësisht rojet ishin vonuar. Roja edhe pse qëlloi mbi ta, veproi në mënyrë të tronditur, jo sipas rregullave të caktuara. Edhe pse u dha alarmi mbi arratisjen e 3 të dënuarve, nga ana e oficerit roje dhe e të gjithë efektivit u veprua në mënyrë të çoroditur. Kështu që të dënuarit u larguan nga vendbanimi dhe përfundimisht u kapën nga populli. Demir Shkoza u pushkatua, ndërsa të tjerët morën dënimet e rastit. Reparti nuk qëndroi shumë kohë këtu, pasi në këtë vend erdhi reparti 307. Me urdhrin nr. 3347, datë 17.12.1963, reparti u zhvendos nga Rubiku në Laç. 6 makina “Skoda”, 7 “Zis” bënë zhvendosjen e kampit.

Në Laç, vitet 1963-1967

Në dhjetor 1963 reparti u vendos në Laç për të ndërtuar uzinën e superfosfatit të këtij qyteti. Në vitin 1964 repartet 309 dhe 323 janë në një komandë të vetme në Laç. Në muajin prill 1964 një i dënuar i afrohet tabelës për të provuar rojën, nëse e vrojtonte atë pjesë sektori të frontit të punës, por roja, duke qenë vigjilent e ndalon, i bën paralajmërim për t’u kthyer mbrapa dhe njofton oficerin e rojës. E meta kryesore e këtij rasti është sepse nga ana e oficerit të rojës nuk u vlerësua raportimi i rojës dhe nuk u mor asnjë masë. Kështu që i dënuari,m në orën 2200, studioi përsëri mundësinë e arratisjes në afërsi të postbllokut, ku hynin e dilnin makinat, shfrytëzon rastin dhe merr një makinë e largohet nga fronti i punës. Mbasi kalon postbllokun, rrëzon makinën dhe ikën në drejtim të paditur në Tiranë, pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore duke u ankuar se dënimi i tij ishte i padrejtë.

Në gusht 1964 një i dënuar tenton të arratiset duke kaluar zonën e ndaluar, por ushtari e qëllon dhe e vret pa i bërë paralajmërim, gjë që ishte në kundërshtim dhe për këtë ushtari u dënua me 4 vjet burg. Më 24.8.1964 vritet brenda kampit pa arsye, pa paralajmërim, i dënuari Eqrem Zeko nga Gjirokastra. Kjo vrasje la përshtypje të thellë te të dënuarit, aq sa regjimi u detyrua të procedojë rojën që e vrau. Vendimi i gjykatës u kritikua nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, i cili theksonte se ushtari Rami nga Mborja e Korçës, i vitlindjes 1944, ishte ushtar i ri dhe i shkathët. Zëvendësministri shfaqte mendimin se ai nuk duhej të dënohej, pasi dënimi demoralizonte trupën e ushtarëve dhe kufizonte veprime të tilla në të ardhmen.

Më 5.11.1965 i dënuari Mark Cuf Marku, duke u fshehur te një makinë që kishte ardhur brenda kampit realizoi arratisjen. I spiunuar nga një qytetar, ai diktohet në urën e Bahçallëkut dhe më pas vritet nga policia. Kufoma e Markut sillet në kamp si mjet presioni ndaj të dënuarve të tjerë. Komandanti i kampit fton të dënuarit e tjerë ta pështyjnë, por një prej tyre, ulet në gjunjë dhe e puth.

Më 2.7.1965 i dënuari Qerim Izet Çaushi, duke mos duruar dot kushtet e këqija të burgut, izolimin, punën e rëndë, bën vetëvrasje duke u hedhur nga lartësia e tarracës. Më parë kishte hequr rrobat e trupit duke mbetur vetëm me të mbathura e kanotiere. Hidhet me kokë poshtë e vdes në vend. Këto veprime i dënuari i kishte shfaqur disa herë nëpërmjet thyerjes së rregullave të brendshme, për të cilin ishin marrë masa disiplinore. Megjithatë komanda e repartit nuk e jep këtë fakt në njoftimin e vdekjes.

Në vitet 1964-1965 komanda e reparteve 309 dhe 323 ka qenë e përbashkët në Laç. Në vitin 1965 reparti kishte gati 700 të burgosur. Nuk jepen detaje, nëse ishin politikë apo ordinerë.

Më 3 janar 1966 i dënuari Kiço Budo, duke marrë rrobat e shpërndara në oborr, futet në zonën e ndaluar dhe kalon drejt telit, ku nga ana e rojës paralajmërohet, qëllohet dhe plagoset.

Më 3.12.1966 ditën kur po merrte detyrën komandanti i ri Sulejman Manoku, në vend të Azbi Lamçes, e kur ky repart kishte rreth 700 të dënuar, të dënuarit Sazan Hadëri, Naun Kondakçiu dhe Murat Marta rrëmbyen një makinë dhe u arratisën. Ky veprim alarmoi udhëheqjen e kampit, pasi hodhi në erë për pak minuta të ashtuquajturën “vigjilencë revolucionare”. Jashtë rrethimit u arrit të vritej Naun Kondakçiu e të kapen dy të tjerët.

 

Në Vlorë, vitet 1967-1972

Më 10.4.1967 reparti u zhvendos në bonifikimin e fushës së Vlorës. Punimet në vitin 1967 nuk shiheshin si me ritmet e duhura. Në fundin e vitit 1967 në kamp ishte krijuar një gjendje “mjaft e rëndë”. Elementi antikomunist qëndronte e për këtë arsye “disa krerë të grupeve” si Pjetër Arbnori, Pandeli Varesi, Demush Muça, Pajo Islami, Mustafa Sadiku u shpërndanë në kampe e burgje të tjera. Të dënuar të tjerë si Halim Xhelo, Ahmet Thaçi, Kosta Fili, Gramoz Spahiu etj., ishin zhvendosur sipas të njëjtit parim.

Në vitin 1968 ishte planifikuar që në rast gjendje të jashtëzakonshme të burgosurit e këtij reparti të zhvendoseshin nga Vlora në Aranitas të Mallakastrës. Por një plan tjetër ishte edhe për në Sarandë. Në vitin 1969 këtu punonin 340 të dënuar politikë.

Në prill 1968 një i dënuar tenton të arratiset nga vendbanimi duke u hedhur nga telat, duke përfituar nga mungesa e vigjilencës së rojeve që nuk ishin në gatishmëri të plotë, por ky i dënuar u kap nga dy ushtarë të tjerë, të cilët u përleshën fytazi me të.

Gjatë qëndrimit në Skrofotinë, pranë rrugës kombëtare Vlorë-Fier, 10 km larg nga Ura e Mifolit në drejtim të Vlorës, reparti punoi në një terren të vështirë te kriporja, ku hapeshin kanale të thella. Në Vlorë ka pasur edhe një kamp të madh pune, në Skrofotinë, kriporja e Vlorës. Ky kamp ka pasur si funksion shkripëzimin e tokave, për t’i përdorur për toka buke, por që dështoi si projekt. Komisar ishte Kiço Gjançi.

Në këtë zonë u kryen punime të mëdha. U ndërtua një argjinaturë e përbërë prej 8 kilometra e gjatë që ndante kriporen nga këneta. Në vitin 1970 këtu punonin 340 të burgosur.

Ballsh, vitet 1972-1983

Reparti u zhvendos në Ballsh. Në këtë qytet do të ndërtohej uzina e përpunimit të naftës, një prej më të mëdhave në vend. Me urdhrin nr. 114, datë 31.1.1972, reparti 309 Vlorë, 325 Lezhë dhe nënreparti 301/1 Bulqizë u suprimuan. Të gjitha këto reparte formuan repartin 309 Ballsh, ku do të ndërtohej Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës. Urdhri kishte hyrë në fuqi më 1.4.1972. Në një shkresë të datës 24.4.1973, Dega e Punëve të Brendshme Fier, listonte të burgosur “elementë armiq të kategorisë së parë” 110 persona, ndër të cilët Dom Nikoll Troshani, Dom Frano Ilija, Dom Ndoc Sahatçija, Nasho Gërxho, Avni Zhiti, Hamdi Hasko, Haki Slatina, Mustafa Bylyshi (i riatdhesuar) etj.

Më 13 shtator 1974, ora 1530, i dënuari Durim Zylfo Veledi, i cili kishte tendenca arratisjeje, largohet nga vendi i punës, i krijon mundësi vetes për t’u maskuar sipas terrenit me kulpra e gjethe, kalon një kanal dhe del nën telin e rrethimit të frontit të punës. Qëllohet nga dy drejtime nga rojet e frontit të punës dhe ngelet i vrarë.

Më 12 maj 1975, 5 të dënuar që ishin në dhomat e izolimit (regjim burgu) kishin punuar për më se një muaj për hapjen e një tuneli 12 metra të gjatë dhe 1,5 metra të thellë në dysheme. Si rezultat i kësaj, 4 prej tyre u arratisën, ndërsa i pesti nuk mundi, pasi dëgjoi alarmin që dha roja i sigurimit të jashtëm. Të dënuarit u kapën më pas. Për vitin 1975 reparti grumbulloi rreth 900 të burgosur. Në vitin 1976 në repartin 309 punonin 550 të dënuar politikë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre përbëhej nga 82 persona.

Por reparti nuk është marrë vetëm me ndërtime në uzinën e Ballshit. Sipas dokumenteve të vitit 1977 ata ndërtonin edhe apartamente banimi në qytetin e Ballshit.

Në vitin 1977 në repartin 309 punonin gjithsej 570 të burgosur.

Reparti në Ballsh ishte zgjeruar edhe me repartet 309/1, 309/2 dhe 309/3. Statistika e datës 2.9.1977 tregonte se një numër i madh të sëmurësh ishin regjistruar edhe zyrtarisht në këtë kamp të rëndë pune. Sipas viteve kur sillet raporti, kemi këtë numër të sëmurësh:

- Viti 1972, 304 të sëmurë.

- Viti 1973, 338 të sëmurë.

- Viti 1974, 247 të sëmurë.

- Viti 1975, 325 të sëmurë.

- Viti 1976, 423 të sëmurë.

Vetëm gjatë ndërtimeve në Ballsh, sipas të dhënave për skicën e varrezës së Panahorit vdiqën 93 të dënuar. Sipas informacionit të datës 26.11.1977, në repart ishin 633 të burgosur shqiptarë dhe 39 të huaj të dënuar për krime kundër shtetit. Për vitin 1978 konsiderohej shqetësuese vonesa në lidhjen e kontratës me ndërmarrjen që ndërtonte uzinën pasi fondi i investimit të saj ishte vetëm 500.000 lekë. Për rrjedhojë, në vitet 1977-1979 nuk kishte kontrata të lidhura me ndërmarrje.

Dashnor Mamaqi, Andon Sheti, Vasil Kati, Vaid Lame, Milto Vako, Llazar Lubonja, Teki Biçoku, Galip Sojli, Gëzim Peshkëpia, Dom Aleks Baqli, Fatos Lubonja, ishin disa prej të burgosurve të këtushëm. Në këtë kamp qëndronte edhe Gaqo Sotir Peci. Regjimi komunist nuk e kishte për gjë burgosjen e fëmijëve që kishin kontribuuar aq shumë për Shqipërinë.

Gëzim Peshkëpia ka qenë prej të dënuarve të pakët që kanë shkruar për këtë kamp. Ai dëshmon se teksa në kamp ishte vendosur televizori në vitin 1980, të dënuarit kishin parë ngjashmërinë e kampit të Mathauzenit me atë të burgjeve shqiptare.

Në vitin 1979 uzina e naftës u vu në shfrytëzim. Ishte planifikuar që të burgosurit të punonin për tharjen e kënetës së Karavastasë, shkripëzimin e tokave bregdetare, por kjo gjë nuk u bë. Pushteti vendor i Ballshit kërkoi ndërtimin e disa pallateve. U ndërtuan 4 pallate në Ballsh, si dhe u riparua shtrati i lumit Gjanica.

Kleriku Zef Pllumi vuajti burgjet në Spaç, kriporen e Vlorës, Ballsh, Zejmen dhe Shëvasi. Në Ballsh ai së bashku me Gëzim Peshkëpinë punonin lulishtarë (bahçevanë).

Komisioni i Planit të Shtetit rekomandoi në vitin 1979, që të dënuarit për krime kundër shtetit të punonin në punët bujqësore, në tre fronte pune:

1- Shpyllëzimin e masivit Fterrë Çorraj Sarandë. Do punohej në një sipërfaqe  prej 1.300 hektarësh, për të cilat kërkohej një fuqi punëtore prej mbi 1.000 të dënuarish. Do përfitoheshin nga puna mbjellja e 280.000 rrënjëve ullinj, 130.000 rrënjëve agrume dhe 20.000 rrënjëve dru frutore.

2- NBSH-ja Rremas Lushnjë, 2.430 hektarë tokë, për të cilat duheshin deri në 700 veta. Nuk kishte ujë të pijshëm dhe ishte vend i zhveshur.

3- NBSH Povelçë Fier. Objekti i punës ishin 4.280 hektarë tokë, zonë ish-kënetë e për këtë duheshin 1.000-1.600 forca pune. Në të tre rastet parashikohej një kohë pune prej 10 vjetësh. Me urdhrin nr. 4, datë 6.1.1983, reparti u shkri. Reparti 309 u mbyll më 8.3.1983. Të burgosurit në këtë datë u zhvendosën në repartet 302 dhe 303. Për në repartin 302 ishin 19 mjete: 11 “Ifa” me të burgosur, 4 “Skoda” për rrobat e pajimet, 3 “Gaze” për ushtarët dhe 1 ambulancë. Për repartin 303: 3 “Ifa” me të burgosur, 5 “Skoda” për rrobat e pajimet, 2 “Gaze” për ushtarët. Reparti kishte krijuar regjistrin e të vdekurve. Gjatë viteve 1956-1982 në këtë repart vdiqën me sëmundje të ndryshme 118 të dënuar politikë. Varreza e fundit që dëshmon vuajtjet e të dënuarve të këtij kampi ishte ajo në fshatin Panahor të Ballshit. Profesionet e komandantëve e komisarëve të kampit kanë qenë kryesisht bujk, murator e baxhoxhi. Arsimi i tyre fillonte nga ai fillor e ngjitej te ndonjëri tek arsimi i mesëm.

Vitet e repartit 309:

1956-1958 Tërbuf, Bubullimë, tharje kënete

1958-1961 Gjorm Krujë, Bushnesh, Thumanë, tharje kënete

1961-1962 Laç, ndërtim banesash dhe pjesërisht hekurudhën Vorë-Milot

1962-1963 Tiranë, ndërtim banesash, blloku “Puna”

1963 Rubik, uzina e bakrit

1963-1967 Laç, uzina e superfosfatit

1967-1972 Vlorë, kriporja e Skrofotinës

1972-1983 Ballsh, rafineria e naftës

 

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.

Të Internuarit