Kampi i Bedenit | |
---|---|
Informacione | |
Emri: | Kampi i Bedenit |
Vendndodhja: | Kavajë |
Viti i Ndërtimit: | 1948 |
Viti i Mbylljes: | 1950 |
Një tjetër vend i tmerrshëm për të burgosurit politik ishte Kampi i Bedenit në Kavajë, ku duhej ndërtuar një kanal që niste nga zona kënetore e Bedenit (quhej edhe këneta e Zhabjakut) e përfundonte në lumin e Shkumbinit. Kanali do të lironte fushën nga uji. Në prill deri më 28 nëntor 1948 u punua për hapjen e kanalit. Të burgosurit erdhën nga burgjet e Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit si dhe disa nga këneta e Maliqit. Ata u vendosën në baraka të sajuara për disa muaj punë. Patër Zef Pllumi, i ri atëherë, ishte një ndër të burgosurit e ardhur nga Shkodra që punoi në këtë kamp. Ishte interesant fakti se këtu punuan në një brigadë të vetme 29 priftërinj katolikë të ardhur të gjithë nga burgu i Shkodrës. Këta ishin: Mikel Koliqi, Tom Laca, Nikollë Shelqeti, Nikollë Laska, Rrok Fisku, Nikollë Mazreku, Ndue Suma, Ndue Soku, Mark Hasi, Zef Pllumi, Vlash Muçaj, Pal Gjini, Injac Gjoka, Gegë Luma, Agostin Ashiku, Donat Kurti, Çiril Cani (75 vjeç), Frano Kiri, Dionis Makaj, Karlo Serreqi, Leon Kabashi, Aleks Baqli, Filip Mazreku, Mëhill Miraj, Mark Harapi, Jak Gardini, Anton Luli dhe Alfonc Çuni. Nuk kishte vend në botë që kishte vënë kaq shumë priftërinj në një kamp të tillë pune të rëndë. Një tjetër i dënuar ishte edhe Sami Repishti.
“Arritëm në kamp në orët e vona të mbasdrekës, zbritëm njeni pas tjetrit, e në rresht e mbas numërimit hymë brenda nga porta e madhe. Kampi ishte vendosur në faqe kodre, e shikonte mbi një fushë të mulueme, aty-këtu, me pellgje uji, një kënetë gjysmë e thame, që ma vonë morëm vesh se quhej këneta e Bedenit, Kavajë”, - shkruan Sami Repishti.
“Pamja më jepte idenë e galerave skllavëruese: puna në kanal, oficerët mbikëqyrës, policët me dru që rrihnin punëtorët, sidomos ata që guxonin me gritë kokën ose pushofshin me marrë frymë”, - vijon Repishti.
Puna e parë ishte zhdukja e një kodrine të vogël afër Shkumbinit. Të dënuarit punonin 8 orë në ditë, por shtohej një orë “për nder të shokut Stalin”, e pas saj një orë “për nder të shokut Tito”, e në fund një orë “për komandantin, shokun Enver”. Kushtet e jetesës në kamp ishin të gjitha të këqija. Ushqimi në atë Shqipëri të varfër nuk mund të ishte i mirë për pjesën që persekutohej më shumë. Kur të burgosurit i ishin ankuar komandantit të kampit se uji ishte i pisët, ai ishte përgjigjur: “Ju po e shihni se gjella që merrni është aq e hollë, saqë po ta lini të ftohet, zëvendëson ujin”.
Në një raport të datës 28.7.1948 të organizatës së komunistëve të Kavajës thuhej se të burgosurit ishin “shfrytëzuar deri në palcë”, megjithëse hasnin në probleme se toka ishte e fortë e me gurë. Morali i të burgosurve vlerësohej “shumë i dobët”. Vetëm një i burgosur kishte thënë se anglo-amerikanët do zbarkonin dhe qeveria komuniste do rrëzohej, sepse edhe me Jugosllavinë i kishin prishur marrëdhëniet. Për këto fjalë ky i dënuar u lidh në shtyllë për 30 minuta dhe u la në diell në datën 24.7.1948.
“Në punë marrin pjesë për çdo ditë 790-800 të burgosur. Rendimenti i tyre është i mirë. Norma që është caktuar vazhdon të tejkalohet, megjithëse vendi është i fortë. 5 kurse kundra analfabetizmit ndiqen nga 128 veta. 70% e kursantëve kanë përfituar mjaft mirë. 5 kurse profesionale ndiqen nga 171 veta dhe 60% e tyre shkojnë mirë”, - thuhej në raportin e datës 13.8.1948. Përveç lodhjes në punë, me kalimin e kohës u bë e lodhshme edhe largësia e frontit të punës nga vendi i banimit. Gjatësia e kanalit rriste gjatësinë kilometrike prej kampit e në këtë mënyrë kthimi i tyre atje ishte gjithnjë i lodhshëm e i mundimshëm. Puna në Beden u ndërpre për shkak të shirave të dendur që nisën ato kohë. Pamja që ofronte kampi i ngjante një fushe plehrash ose një vendi të pisët me prani njerëzore. “Në gjysmën e tetorit, kampi i Bedenit kishte pamjen e një grumbulli plehrash, që meritonin t’i vihej zjarri për të mos përlyer botën me mikrobe”, - shkruan Pllumi.
Më 28 nëntor 1948 punimet u ndërprenë.
Ish-i dënuari Beqir Ajazi shkruan për kampin e Bedenit: “Pjesa më e madhe e të burgosurve të Tiranës, politikë dhe ordinerë, u dërguan këtë vit në Kampin e Bedenit të Kavajës. Aty kishin sjellë dhe të burgosur nga Berati dhe nga Vlora. Kështu që ishim bërë aty afro 1.200 veta, sistemuar në disa kapanona që karkasën e kishin prej druri, mbulesën prej katramaje dhe anash ishin veshur me rrogoza.
Qëllimi i kësaj pune ishte që të bëhej një kanal vigan për rrëzë kodrave të Bedenit, i gjatë 7 kilometra, i gjerë sa të shkonte lirisht një (makinë tip) “Skoda” në fundin e tij, përfundimi i këtij kanali dilte në kënetë të Zhabjakut. Kjo e fundit do të thahej nga ne, kurse ujërat e kanalit do t’i hidhnin në Shkumbin kullimet e kodrave, si dhe makrosat dhe qelbësirat e kësaj kënete. Puna aty ishte e organizuar në brigada, që kishin një efektiv prej 150-200 të burgosur secila. Komanda e kampit, ngrinte dhe frynte normat me qëllim që të justifikonte ushqimet dhe normat e atyre të shumtëve që nuk punonin.
Komandanti i Kampit ishte një toger Hysniu nga Labëria. Në pamje të jashtme, ky njeri të jepte përshtypjen e një mësuesi ose të një intelektuali të panjohur diku në ndonjë fshat të humbur. Mbante dhe syze. Mjerisht, ky ishte një gjarpër shullëri që të qukte, sa veta, sa dhe me anë të tërë asaj urdie spiunësh, me të cilët e kishte rrethuar veten. Në krye të tërë kësaj brigade prej spiunësh, ishte Hamdi Lemo, nga Kuta e Mallakastrës së egër. Dhe cilësorin “e egër” që kishte kjo pjesë e Mallakastrës; e justifikonte plotësisht me personin dhe personalitetin e Hamdi Lemos... Për të kulluar kënetën e Zhabjakut, na kishin caktuar nja 40 veta djem të rinj dhe të fortë. Kishin sjellë aty dy barka të vogla me lopata, na vendosnin në dy rreshta, sipas dispozitave të inxhinierit dhe në mes tonë qëndronin dy barkat. Duhej të hapnim një savanelë. Megjithëse dija shumë fjalë të huaja, kësaj nuk ia kisha ditur kuptimin. Po këtë do ta mësoja në praktikë. Duhej të zhvisheshim vetëm në brekë, të hynim në kënetë, në vendet e caktuara nga inxhinieri dhe duke respektuar spangon që ishte vënë breg më breg, do ta kërkonim vendin me këmbë dhe të ngulnim belin në llucën dhe në kalmuqin e fundit të kënetës. Si ta kishim mbushur belin, duhej ta nxirrnim nga uji dhe ta shkarkonim në barkë. Ditën e parë e patëm shumë të vështirë, se na nguleshin shushunjat nëpër kofshë”.
Punimet në Beden rifilluan më 20 gusht 1950 dhe më 16 shtator 1950 këtu erdhën edhe forcat e urës së Bonës. Përllogaritej se ishin bërë 60.000 ditë pune e realizuar rreth 6,8 milionë lekë. Përveç hapjes së kanaleve të burgosurit ishin përdorur edhe për shpyllëzime, mbjellje etj., që vlerësoheshin në 16.017 ditë pune.
Në shtator 1950 këtu erdhën të dënuarit që punonin në Bishqem. Ahmet Bushati është një tjetër i dënuar që ka punuar në Beden. Në kamp këtu ishte komandant Beqir Liço, i cili më parë kishte qenë në kampin e Orman-Pojanit. Në këtë kamp ishte sjellë edhe Vangjo Mitrojorgji, i dënuar në procesin e Koçi Xoxes, por ky trajtohej mirë nga komanda. Në nëntor 1950 të burgosurit e Shkodrës janë kthyer në vendet e tyre.
Pak ditë para se kampi të mbyllej, u vra në kamp i dënuari Mustafa Vata, gjoja sikur donte të arratisej. Ai kishte vuajtur 2 vjet dënim dhe donte vetëm disa ditë të lirohej. Edhe vetë komanda e kampit kishte dalë në përfundimin se ai nuk donte të arratisej dhe se roja kishte vepruar gabim.