Ish-drejtor i shtypshkronjës “Bashkimi”. Ishte arrestuar nga fashistët më 20.4.1942, dënuar me vdekje më 7.9.1942 dhe dërguar në Itali për të vuajtur dënimin në ishullin e Shën Stefanit. Ka vuajtur dënimin së bashku me shqiptarë të tjerë, si: Hasan Reçi, Nikolla Bruka, Ndue Nikolla, Ndue Gega, Haxhi Braja dhe dy minoritarë.

U liruan nga burgu nga amerikanët më 13.9.1943. Në korrik 1944, u kthye në Shqipëri.  Arrestuar më 19.4.1946. U gjykua bashkë me Spiro Ruçon, Kolë Berishën.

Çështja u gjykua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës e përbërë nga major Gjon Banushi, kapiten I Avdul Hakiu, kapiten I Shaban Rezha, duke pasur pranë ndihmësprokurorin kapiten Faik Minarollin. Procesi u hap më 30.1.1948, pra gati 2 vjet pas hetuesisë. Me vendimin nr.85, datë 11.3.1948, Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Tiranës i deklaroi fajtorë në bazë të neneve 10, 17 të ligjit nr.368 “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake”, dhe i dënoi me vdekje. U la në fuqi me vendimin nr.121, datë. 20.3.1948, Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga major Niko Ceta, kapiten I Nexhat Hyseni dhe kapiten II Mustafa Iljazi.

Të pandehurit akuzoheshin se kishin marrë pjesë në kurset e spiunazhit në Bari dhe ishin vënë në shërbim të SBS-së, që udhëhiqeshin prej Fultz-it dhe Llazar Apostolit. Pas kësaj ishin përfshirë në repartet partizane. Në dosje ka akuza, por nuk ka prova.

Sinan Gjoni akuzohej se kishte kryer kursin e spiunazhit në Villa Azzona të organizuar prej SBS-së, për nënshkrimin e deklaratës së besnikërisë, për lidhje me Lari Postin, Fultz-in etj.

Në seancën e fundit, ai deklaroi: Mua nga imperializmi më ndan një oqean i madh; nuk kam qenë agjent i tyre. Gabime kemi bërë në Itali, porse qëllimi jonë ishte të ktheheshim sa më parë në vendin tonë.

Ekzekutimi u krye më 22.3.1948, në prani të prokurorit Petrit Hakani, të deleguarit të seksionit të brendshëm të qytetit të Tiranës Maqo Pecani, drejtorit të burgut të armiqve të popullit Thanas Bimi.

Më 24 maj 1948, me vendim nr. 53, Komiteti Ekzekutiv i K.P. të Vlorës urdhëroi «sekuestrimin e gjithë pasurisë të tundshme dhe të patundshme të kriminelit të luftës S. Gj., nga katundi Tragjas»

Burimi: AISKK, F. 1, V. 2014, D. 10, Fl. 580-581; Gazeta Zyrtare, 31 maj 1948, f. 14
Burimi: Kastriot Dervishi, Gazeta 55, 21 mars 2018
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.