Gjyqi i deputetëve

Cilësohet ndër masakrat e vërteta pas një gjyqi të shpejtë që kishte për qëllim të zhdukte elitën politike dhe kundërshtarët e mundshëm të regjimit. Procesi i njohur  si “Gjyqi i Deputetëve” u zhvillua në 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga Major Niko Ceta -Kryetar, Kapiteni I-Nexhat Hyseni, anëtar dhe Kapiteni II-Mustafa Iljazi, anëtar, shpallën vendimin e dënimit të grupit të deputetëve të Legjislacionit të Parë të zgjedhur në vitin 1945. Përveç deputetëve të zgjedhur, para ekzekutimit dhe dënimeve të rënda me burg shkuan edhe persona të tjerë që iu përfshinë këtij gjyqi tërësisht të trilluar. Ishte periudha kur Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe po shtrinin maksimalisht diktatin e tyre duke mbjellë terror dhe eliminuar kundërshtarët e mundshëm politikë. Nga të gjykuarit, 15 prej tyre dënohen me vdekje dhe forma e ekzekutimit ishte edhe më makabre kur shkuan në litar dhe para togës së pushkatimit. Burgosja dhe dënimi i deputetëve dhe intelektualëve me orientime demokratike e kombëtare bëhej në momentin kur Kuvendi Popullor duhej të ratifikonte Konventën Jugosllave dhe prononcimin e drejtimit të politikës së jashtme dhe të brendshme si prolindore me Bashkimin Sovjetik në krye.

Të dënuarit ishin:

Shefqet Beja deputet, i lindur në Durrës banues në Tiranë, pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ekonomist e financier i zoti, kontribuoi në daljen e gazetës “Bashkimi” organ i Frontit Nacionalçlirimtar, ishte nënpresident i Frontit Nacionalçlirimtar (Fronti Demokratik), dënohet me vdekje, varje

Sheh Ibrahim Karbunara deputet, një ndër ata patriotët që me Ismail Qemalin firmosën Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), organizator dhe delegat i Kongresit të Lushnjës, anëtar i Opozitës Popullore dhe mik i Nolit, Gurakuqit e Bajram Currit, dënohet me vdekje, varje

Dr. Enver Sazani deputet, ka kryer studimet e larta për mjekësi, dy vjet në Monpelie pjesën tjetër në Lion të Francës, specializohet dy vjet të tjera për patologji – radiologji, partizan i Çetës së Krujë-Ishëm dhe i Çetës së Pezës, Drejtor i Spitalit Ushtarak, dënohet me vdekje, pushkatim

Selaudin Toto deputet, ka kryer studimet e larta matematikë-fizikë, internohet në vitin 1941 si nacionalist antifashist, themelues i Institutit të Shkencave Shqiptare dhe kryetar i parë i këtij Instituti, shkroi i pari artikuj mbi energjinë atomike në Shqipëri, dënohet me vdekje, pushkatim

Irfan Majuni deputet, nëpunës në Tiranë, dënohet me vdekje, pushkatim

Sulo Ismail Klosi ka kryer Fakultetin e Gjeologjisë së Naftës në Strasburg, kryeinxhinier në Rubik, dënohet me vdekje, varje

Riza Alizoti ka kryer Kolegjin Robert në Stamboll vazhdon Tekniken e Fultzit në Tiranë dhe studimet e larta në Oksford, specializohet për shfrytëzimin e minierave në Strasburg, punoi në minierën e Kuçovës, dënohet me vdekje, varje

Salim Kokolari është pedagog në Liceun Francez në Gjirokastër, kryen dy vite studimi në Francë, mbështet Luftën Nacionalçlirimtare, anëtar i Këshillit, dënohet me vdekje,  pushkatim

Muhamet Prishtina është djali i patriotit Jahja Prishtina njëri nga anëtarët themelues të Komitetit Për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës dhe nip i kryetarit të këtij Komiteti, patriotit Rexhep Kadri Prishtina, kur u dënua ishte 22-vjeçar, dënohet me vdekje, pushkatim

Tefik Deliallisi me profesion mësues, dënohet me vdekje, pushkatim

Hysen Shehu djali i Sheh Ibrahim Kurbunarës, dënohet me vdekje, pushkatim

Beqir Çela me profesion mësues, dënohet me vdekje, pushkatim

Abdyl Kokoshi ka kryer Fakultetin e Drejtësisë, dënohet me vdekje, pushkatim

Pertef Karagjozi me profesion nëpunësi në Tiranë, dënohet me vdekje, pushkatim

Agathkli Xhitami me profesion notar (shkrues publik), dënohet me vdekje, pushkatim

Ramazan Tabaku, telegrafist nga Tirana, dënohet me burg të përjetshëm

Gjovalin Vlashi, avokat nga Durrësi, dënohet me burg të përjetshëm

Foto Bala, profesor nga Himara, dënohet me burg të përjetshëm

Ramë Marku dënohet me burg të përjetshëm

Rustem Sharra dënohet me 20 vjet burg

Xhevat Xhafa dënohet me 20 vjet burg

Shefki Minarolli dënohet me 20 vjet burg

Sulo Konjari me 15 vjet burg

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.