Lindi në Gjirokastër në 1923. Studioi në shkollën e mesme “Nana Mbretneshë”. Më vonë u arrestua nga fashistët në vitin 1942, por u lirua për shkak të mungesës së provave, dhe më pas iu bashkua Lëvizjes Nacionaçlirimtare, fillimisht si sekretare e rinisë së Beratit dhe pastaj si pjesë e shtabit të Brigadës së V Sulmuese. Ramize Gjebrea shquhej për oratorinë e saj.  Ajo ishte e fejuar me Nako Spirun, por nga disa letra doli që kishte nisur një histori dashurie me Zaho Kokën. Ramizeja ishte përgjegjëse e rinisë, ndërsa ai zv. Komisar i Brigadës.

Në 22 apo 23 shkurt 1944, u arrestua.

Dokumentet dëshmojnë se vetëm 3 ditë më vonë u zhvillua gjyqi partizan që gjykoi Ramize Gjebrenë e që përbëhej nga: Manush Myftiu (kryetar i gjyqit), Dervish Hekali, Bilbil Klosi, Ramadan Xhangolli. Gjyqi filloi më 25 shkurt dhe përfundoi më 6 mars. Por dënimin Gjebresë ia dha gjyqi politik i partisë i cili përbëhej nga: Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Manush Myftiu, Bilbil Klosi, Pajo Islami, Hito Çako dhe Xhako (Ramadan Xhangolli), i deleguari i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste Shqiptare. Ajo u kritikua për shkeljen e moralit partizan. Ishte një kohë kur partizanët përfliteshin për moralin e tyre nga kundërshtarët politikë për shkak që kishin marrë edhe femra në ushtrinë e tyre, çfarë kishte ndikuar në reputacionin e tyre.

Ramize Gjebrea u pushkatua para gjithë Brigadës së saj nga dy partizanë dhe një partizane në fshatin Ramicë të Vlorës. Ishte një dënim tronditës për të gjithë anëtarët e Brigadës që e çmonin Ramizenë.

Zaho Koka u fal, por pas disa muajsh edhe ai ndërroi jetë, pasi i doli përpara autokolonës së gjermanëve.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.