Burgu i madh i Tiranës | |
---|---|
Informacione | |
Emri: | Burgu i madh i Tiranës |
Vendndodhja: | Tiranë |
Viti i Ndërtimit: | 1944 |
Viti i Mbylljes: | 1991 |
Burgu | |
Pune e Detyruar: | Jo |
Gjinia: | Jo |
Kapaciteti: | 448 persona Persona |
Burgjet nr. 2 dhe nr. 5 Tiranë ose Reparti i Riedukimit nr. 313, vitet 1944-1991
Burgu i madh i Tiranës u ndërtua në vitin 1940 nga italianët. Ai u bë i pari burg me parametrat e plota të një vendi izolimi. Ndërtimi i tij në atë vend nuk ishte i rastësishëm. U mendua të ndërtohej një kompleks, që të kishte bashkë Komandën e Përgjithshme të Karabinierisë (sot godina e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave) e lidhur kjo me burgun prapa saj. Burgu filloi të funksionojë qysh gjatë kohës së luftës. Aty u strehuan elementët antifashistë si dhe ata ordinerë. Mbahet mend një arratisje e komunistëve nëpërmjet ujërave të zeza më 25 prill 1943 me në krye Koçi Xoxen nga ky burg.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, burgu u mbush menjëherë me kundërshtarët e këtij regjimi. Burgu u ngrit me urdhër të qeverisë komuniste më 1.12.1944, duke marrë numrin 5.
Ai shërbente si burg kalimtar në të cilin vuanin dënimin të burgosurit që ishin në proces hetuesie në Tiranë. Në këtë funksion burgu ngeli gjatë gjithë kohës së sundimit komunist.
Burgu te rruga “Mine Peza” u ndërtua në vitin 1930 dhe njihej me emrin “burgu i vjetër”. Ishte ndër të vetmit burgje të trashëguara që u shfrytëzua për të burgosurit politikë pas lufte. Në muajt e parë të sundimit komunist, ky burg u mbipopullua ndjeshëm nga “armiqtë e popullit”. Vetëm në fillim të vitit 1945 kërkoheshin të arrestoheshin rreth 600 persona për arsye politike.
Në këtë burg kaloi pothuaj gjithë elita shqiptare e dënuar me procese speciale në Tiranë. Për të përballuar “gjendjen”, në vitin 1946 u ndërtuan disa biruca të reja të quajtura “birucat e Koçit (Xoxes)”. Këto mundësuan shtimin e kapacitetit të burgut që ishte në nevojë të madhe, pasi “armiq” kishte me shumicë. Shifrat e para janë të vështira të merren, por numri i të burgosurve ka qenë shumë i madh. Më vonë shifra bie.
Sipas të dhënës nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit, në vitin 1946 në Tiranë për të dy burgjet shërbente një personel prej 123 vetash (103 ushtarë, 15 nënoficerë, 5 oficerë). Sipas raportimeve të vitit 1950, të dy burgjet e Tiranës kishin një kapacitet prej 448 (287 politikë dhe 151 ordinerë) të burgosurish, ndërsa ishin brenda tyre rreth 1.800 të burgosur, shumica politikë. TBC-ja dhe zgjebja ishin sëmundjet mbizotëruese në vitin 1950.
Në vitin 1954 në burg shërbente një personel prej 83 personash, ushtarë, policë e oficerë, përfshi këtu edhe personelin e Punëtorisë Qendrore të Artizanalit.
Në vitin 1954 burgjet e Tiranës strehonin të burgosurit e qarqeve Tiranë, Durrës, Elbasan, Dibër me rreth 440 persona. Ato kishin një komandë të përbashkët, e cila ishte te “burgu i vjetër”. Në të dy burgjet në fund të vitit 1954 ishin 347 të burgosur politikë dhe 281 ordinerë. Në fund të vitit 1955 ishin 302 politikë dhe 214 ordinerë. Duke përmbledhur kemi këtë historik deri në këtë kohë:
- Burgu nr. 5 (burgu i ri), vitet 1944-1958.
- Burgu nr. 2 (burgu i vjetër), vitet 1954-1958.
- Reparti 314, nga bashkimi i dy burgjeve, vitet 1958-1991.
Rreth vitit 1954 burgu nr. 5 i Tiranës u nda në dy pjesë: burgu i ri vazhdoi të mbante numrin 5, ndërsa ai te rruga “Mine Peza” mori numrin 2...
Të dhënat e vitit 1957 për të dy burgjet, bëjnë fjalë për 320 të paraburgosur politikë dhe 300 ordinerë.
Në fillim të nëntorit 1962 në burg ishin gjithsej 575 të dënuar, prej të cilëve 225 të dënuar politikë dhe 350 ordinerë.
Në vitin 1963, raportohet për 161 të dënuar politikë dhe 187 ordinerë. Në burgun e ri u vendos në vitin 1965 dispanseria e kurimit të sëmundjeve tuberkulare.
Në burgun 313 kanë vuajtur dënimet gati të gjithë të dënuarit e grupeve antiparti, si Beqir Balluku, Koço Theodhosi, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu etj.
Burimi: "Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste", autor Kastriot Dervishi