Ekonomist, anëtar korrenspondenti Komisionit Financiar të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, Ministër i Financave(1935, 25 korrik-shtator 1944), Ministër i Ekonomisë Kombëtare, bashkëdrejtues i revistës "Ekonomisti shqiptar". Lindi në Shkodër, më 15 gusht të vitit 1901. Pas kryerjes së Kolegjës Saveriane, më 1917 iu dha bursë nga qeveria austro-hungareze dhe vazhdoi studimet në Akademinë Tregëtare në Linz dhe Vjenë të Austrisë. Më 1924, qeveria shqiptare i akordoi një bursë  për të vazhduar studimet e larta pranë Fakultetit të Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare në Universitetin e Vjenës. Më 12 korrik 1928 mbrojti disertacionin me rezultate të shkëlqyera. Pasi kreu praktikën në Vjenë, u kthye në atdhe. Në qershor të vitit 1929, u caktua të shoqëronte albanologun e shquar austriak Friedrich Wallisch, që kish ardhur për një vizitë studimore në Shqipëri. Më vonë u emërua zëvendëskomisar në Bankën Kombëtare të Shqipërisë. Më 18 qershor 1930 u emërua sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Lidhja e Kombeve e zgjodhi anëtar korrespondent të Komisionit të Financave të saj. Më 25 tetor 1935, në kabinetin e kryesuar nga Mehdi Frashëri, u emërua Ministër i Financave. Më 28 korrik 1944 u emërua Minister i Financave në qeverinë e Fiqiri Dines. Në këtë kohe bëri dhe projektin e kombëtarizimit të aksioneve të Bankës së Shqipërisë. Në shtator 1944 jep doreheqjen dhe kthehet në Shkodër, pranë familjes. Por në janar të vitit pasues, u arrestua. Në Gjyqin Special të zhvilluar në Tiranë gjatë periudhës shkurt-prill 1945, u dënua me 10 vjet heqje lirie. Me amnistinë e parë përfitoi 5 vjet zbritje dënimi. U lirua në nëntor të vitit 1949. Nga janari i vitit 1950 e deri në prill 1951 punoi si shef llogarie në Ndërmarrjen e Lëndëve Djegëse në Shkodër. U arrestua sërish më 21 prill 1951. Për afër një vit e gjysmë, u mbajt në qelitë e Sigurimit në Shkodër e Tiranë. Në tetor 1952, Gjykata Ushtarake e dënoi me 20 vjet heqje, me akuzën se kish "ndihmuar në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste dhe ka sabotuar rezistencën e popullit shqiptar". Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit. Por në 8 maj 1958, me vendim të Pleniumit të Gjykatës së Lartë, u deklarua i pafajshëm dhe u lirua më 19 maj të po atij viti. Vdiq fare papritur më 28 janar 1969.

Burimi: Vladimir Misja, Gera Rrok-radikali i financave, në “Monitor”, 29. 07. 2008
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.