60 vjet nga janari 1946, kur u arrestuan dhjetëra opozitarë, që do të merrnin, më pas, dënime nga më të rëndat
Me vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, në nëntor 1944, kundërshtarët kryesorë të tyre u larguan nga vendi. Ajo pjesë që mbeti u dënua me pushkatime, burgime të gjata apo keqtrajtime të ndryshme sociale. Komunistët përveçse kishin favorin të qeverisnin si të donin, nuk kishin përballë një opozitë me përvojë e të organizuar. Ata kundërshtarë të komunistëve që ngelën në Shqipëri e që nuk ishin implikuar me kolaboracionizëm, vinin nga shtresa e mesme. Nuk ishin të njohur në politikë. Megjithatë, disa prej tyre guxuan të bënin diçka. Synuan të merrnin pjesë në zgjedhje e më pas të organizoheshin. Por nën hundën e misioneve britanike e amerikane, komunistët e shtypën këtë opozitë pa mëshirën më të vogël. I veshën asaj ngjyra terroriste sikur kushedi çfarë do bënte, duke dhënë mesazhin e qartë se as do lejonin opozitë dhe as do ndanin pushtetin me ndonjë forcë tjetër të ndryshme nga ata. Individët e opozitës së parë u grupuan në atë që u quajt Koalicioni Demokratik, i përbërë nga monarkistët e Qenan Dibrës (M), socialdemokratët e Musine Kokalarit (SD) dhe grupi i rezistencës i Sami Çeribashit (R). Për monarkistët ishte përdorur edhe një veprim agjenturor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit. Koalicioni ishte themeluar më 17 nëntor 1945 kur u bë mbledhja e tre grupeve në shtëpinë e Shaban Ballës, me praninë edhe të Gjergj Kokoshit si të pavarur. Koalicioni i çoi nota përfaqësive anglo-amerikane në Tiranë, duke kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945. Nota të veçanta kishin dërguar edhe si grupe. Gjithë historia ishte vetëm një kërkesë për shtyrje zgjedhjesh. Regjimi i arrestoi dhe u shtoi akuza të paqena. Janari 1946 ishte muaji kryesor i arrestimeve sipas këtyre datave:
Arrestimet e datës 10 janar 1946:
-Sami Kasem Çeribashi (R), lindur më 1887 në Gjirokastër e banues në Tiranë, ish noter publik, tregtar, me arsim të mesëm. U pushkatua.
-Xhahit Mustafa Koka (M), lindur më 1908 në Leskovik e banues në Tiranë, nëpunës me arsim të lartë ekonomik. U pushkatua.
-Myrteza Haki Beli, lindur më 1902 në Korçë e banues atje, nëpunës.
-Lluka Kostandin Bibi (R), lindur më 1901 në Përmet e banues në Korçë, me arsim të lartë drejtësie, noter.
-Stefan Pjetër Bumçi (M), lindur më 1915 në Shkodër e banues në Tiranë, me arsim të lartë ushtarak në Modena Itali, ish-oficer.
-Nesti Vangjel Orolloga (R), lindur më 1899 në Korçë e banues atje, me arsim të mesëm, tregtar.
-Hivzi Hysen Golja (M), lindur më 1895 në Dibër e banues në Tiranë, tregtar me 2 klasë gjimnaz. U pushkatua.
-Qenan Abdurrahman Dibra (M), lindur më 1912 në Dibër e banues në Tiranë, avokat, me arsim të lartë juridik në Paris. U pushkatua.
-Taip Merepeza (Peza) nga Dibra.
-Reshat Asllan Beqiri, lindur më 1920 në Çorrush. Ndërhyri te gazetarët e huaj.
-Ruzhdi Emin Barbullushi nga Shkodra, lidhje e Nush Radovanit.
-Shazivar Islami, për lidhje me Kolë Rodhen.
-Nush Gjon Radovani, lindur më 1920 në Shkodër, ish-shef i studimeve në Kryeministri.
-Ali Hysen Vadenja, lindur më 1917 në Burrel, ish-oficer.
-Pjetër Palok Berisha, lindur më 1915 në Grudë, ish-oficer.
Arrestimet e datës 15 janar 1946:
-Mahmut Mahmut Mëniku (M), lindur më 1907 e banues në Tiranë, me arsim fillor, tregtar. U pushkatua.
Arrestimet e datës 17 janar 1946:
-Hasan Haxhi Kalaja (R), lindur më 1910 në Krujë e banues në Tiranë, me arsim fillor, ish-nëpunës.
-Ali Jonuz Kavaja (R), lindur më 1912 në Kavajë e banues në Tiranë, me arsim të mesëm (ish-nxënës i Fultzit), nëpunës. U pushkatua.
-Anton Mark Dukagjini (R), lindur më 1892 në Iballë të Pukës e banues në Tiranë, pensionist.
-Shaban Qamil Balla (R), lindur më 1908 në Tiranë, gjeometër, me arsim të mesëm, hetues Misto Treska. U pushkatua.
Arrestimi i datës 19 janar 1946:
-19 janar 1946, Reis Ali Hasho (M), lindur më 1924 në Gjirokastër e banues në Tiranë, student.
Arrestimet e datës 23 janar 1946:
-Suat Maz’har Asllani, lindur më 1903 në Nepravishtë, banues në Tiranë, avokat, me arsim të lartë juridik, mbaruar në Francë.
-Mehmet Ali Beshiri (M), lindur më 1904 e banues në Tiranë, me arsim të mesëm, ish nëpunës. U pushkatua.
-Musine Reshat Kokalari (SD), lindur më 25.10.1918 në Adana të Turqisë e banues në Tiranë, me arsim të lartë letërsie mbaruar në Romës, librare.
-Enver Beqir Hasa (M), lindur më 1919 në Dibër të Madhe e banues në Tiranë, ushtarak me arsim të lartë, mbaruar në Itali.
-Gjergj Jacim Kokoshi, lindur më 1904 në Shkodër e banues në Tiranë, me arsim të lartë letërsie në Paris, profesor.
-Qemal Biçakçiu, lindur më 1920 në Elbasan e banues në Tiranë, pronar.
-Llazar Dhimitër Papapostoli, lindur më 1915 në Hoçisht e banues në Durrës, me arsim të lartë në SHBA, nëpunës.
-Haki Riza Karahoxha (R), lindur më 1912 në Elbasan e banues në Tiranë, me arsim fillor, administrator prej 11 muajsh i pasurisë së Qemal Biçakçiut.
Arrestimet e datës 24 janar 1946:
-Haki Tahsin Gjinishi (R), lindur më 1891 në Peqin e banues në Tiranë, me arsim të mesëm, ish-nëpunës tatimesh.
-Pjerin Noc Shala, lindur më 1920 në Shkodër e banues në Tiranë, ish oficer.
-Zija Çausholli nga Shkodra (R), ish-nëpunës.
Arrestimet e datës 25 janar 1946:
-Nefail Jusuf Skikuli (M), lindur më 1916 në Dibër të Madhe e banues në Tiranë, me arsim të lartë ushtarak në Modena, ish-oficer.
-Kolë Pandeli Rodhe, lindur më 1912 në Korçë e banues atje, me arsim të mesëm, ish prefekt, i arrestuar më 25.1.1946.
Arrestimet e datës 26 janar 1946:
-Niko Andon Beça (R), lindur më 1913 në Elbasan e banues në Tiranë, me arsim të lartë, tregtar.
Arrestimet e datës 27 janar 1946:
-Pal Llazi Terova (R), lindur më 1909 në Terovë të Korçës, me arsim të mesëm, ish-nëpunës.
Arrestimet e datës 28 janar 1946:
-Xhemal Hysen Belegu, lindur më 1890 në Krujë, arsimtar.