80 vjet nga lëvizja antikomuniste e Postribës

0
4

Pas kryengritjes së Koplikut në janar 1945, ajo e Postribës ishte e dyta më e madhja që rezistenca antikomuniste ndërmori ndaj regjimit komunist. Në shtator 1946, pritej një lëvizje e madhe sepse një muaj më parë, qeveritë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe deklaruan në konferencën e paqes në Paris se nuk do ta njihnin qeverinë komuniste.

Në rastin e kryengritjes së Koplikut, Postriba kishte qenë një prej shtyllave mbështetëse të saj. Figura kryesore e organizimit ishte Jup Kazazi. Më pas, organet komuniste do ta përdornin këtë rast për të dënuar edhe persona që nuk kishin lidhje me këtë proces.

Kësisoj më 8 shtator 1946, rreth 450 antikomunistë të armatosur filluan lëvizjen drejt Shkodrës në tre drejtime. Duke u zbardhur dita e 9 shtatorit 1946, 250 prej tyre u grumbulluan në fushën e Shtojit dhe 200 të tjerë në Renc. Sulmi filloi nga verilindja dhe nga juglindja e Shkodrës. Beteja kryesore u zhvillua te kazermat e qytetit. Nga ballafaqimi ushtarak u vra një drejtues komunist (Jonuz Çulaj) dhe u plagos një tjetër (Shyqyri Rrojlli). Forcat antikomuniste nuk mundën të hyjnë në qytet. Të dhënat komuniste, të paverifikuara me burim të dytë, bëjnë fjalë se, në këtë sulm, u vranë 33 antikomunistë dhe u arrestuan rreth 200 të tjerë.

Një javë më vonë, u zbulua në rrugë operative shtëpia e Rifat Bushatit, vendi ku strehohej antikomunisti i spikatur Jup Kazazi. I gjendur i rrethuar më 15 shtator 1946, Kazazi, për të mos rënë në dorë të trupave komuniste, vret veten. Duke e pasur traditë cenimin e kufomës, komunistët e nxorën trupin e Kazazit dhe e shëtitën duke u tallur nëpër rrugët e Shkodrës. Natyrisht mashtruan duke thënë se e kishin vrarë ata Kazazin. Nuk mjaftoi kjo tragjedi për familjen Kazazi, por po në këtë kohë, u vra edhe vëllai i tij Seit Kazazi. Disa procese penale në Tiranë dhe Shkodër, çuan në plumb drejtues të kësaj kryengritjeje.

Hakmarrje primitive ndërmori regjimi për pjesëmarrësit në kryengritje apo të afërm të tyre. Shumë personave, iu dogjën shtëpitë. Komanda e operacionit komunist, filloi të nxirrte dufin me shtëpitë e malësorëve të atjeshëm. Qindra familje mbetën pa banesë. Shumë prej tyre u internuan në Berat.

Në Shkodër, udhëtoi drejtuesi komunist Mehmet Shehu. Ai bëri një analizë për atë që kishte ndodhur atje duke thënë se dobësi të madhe kishte treguar SEMP-i i atjeshëm. Shënohej se Jup Kazazi kishte mundur të hynte e të dilte disa herë në Shkodër pa u vënë re nga “vigjilenca” e SEMP-it.

Burimet zyrtare të kohës bëjnë të ditur se në ngjarjen e 9 shtatorit 1946, janë vrarë në përpjekje Azmo Hyseni, Nuz Salja, Sahit Duli, Ymer Zeneli dhe Elez Bazi.

Janë ekzekutuar pa gjyq sapo janë kapur:

-Hajdar Dani

-Hysen Velushi

-Ymer Beqiri

-Halit Meti

-Idriz Dibra

-Avdi Zeqiri

-Halit Dauti

-Brahim Selimi

-Metush Alia

-Rexhep Idrizi

-Reshit Beqiri

-Qazim Rroji

Një hetuesi e egër është zhvilluar me personat e ndaluar. Grupe speciale hetuesish e torturuesish janë dërguar nga Tirana për të zhvilluar procesin penal me sa më shumë lëndime. U përfshinë edhe persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen, teknikë e njohur komuniste kjo. Avokati Muzafer Pipa, njëri nga të lakuarit në këtë proces, iu nënshtrua një hakmarrje të egër. Vetë nëndrejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Vaskë Koleci, udhëhoqi torturat kundër tij. Hekuri i skuqur deri në palcë përdorej kundër tij derisa trupi nuk mund të duronte më. Për të mbyllur përfundimisht hetimet për opinionin, u ther një kafshë, gjaku i së cilës u hodh jashtë vendit ku zhvillohet hetuesia. Pasi u qëllua dy – tri herë në ajër, u tha se Muzafer Pipa u qëllua për shkakun se u orvat të arratisej nga burgu. Kjo skenë e tmerrshme tregohej në gjyqin kundër Koçi Xoxes, Vaskë Kolecit dhe të tjerëve. Një torturë e tillë ishte përdorur edhe ndaj Qemal Draçinit apo sa e sa të tjerëve të vdekur në hetuesi, për të cilët është i vështirë identifikimi burimor arkivor.

Procesi kryesor ndaj të akuzuarve për ngjarjen e 9 shtatorit 1946 zgjati shumë. Prokuroria Ushtarake e Shkodrës, më 11 nëntor 1947, dërgoi për gjykim, grupin e akuzuar për këtë ngjarje si “armiq të betuar të popullit”. Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Shkodrës formohej nga: kapiten I Misto Bllaci – kryetar, kapiten II Pertef Alizoti – anëtar, nëntoger Anastas Koroveshi – anëtar. Prokuror ishte kapiten Namik Qemali.

Gjykimi u zhvillua në sallën e kinema “Rozafat” të Shkodrës. Arsyetimi i gjykatës nuk kish lidhje pothuaj me asgjë nga ngjarja. Të pandehurit u akuzuan në bazë të neneve 2, 3 pika 1, 2, 3, 7, 8, 9, 10, 13, 14 të ligjit “Mbi fajet penale kundra shtetit dhe popullit”.

Me vendimin e datës 27.11.1947, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi me konfiskim të pasurisë, pagimin e shpenzimeve të gjyqit dhe avokatëve, me masat përkatëse:

-Cin Serreqi, Xhelal Hardolli, Rakip Meta (kthehet në dënim të përjetshëm), Gjergj Volaj, Bilbil Hajni, Osman Haxhia (kthehet në dënim të përjetshëm), Dulo Kali, Shaban Abdullai (kthehet në dënim të përjetshëm) me vdekje.

-Isa Meta, Rrok Gurashi, Jakup Dani, Myrto Dani, me privim lirie përjetë e punë të detyruar.

-Abaz Hysi, Syrja Anamali me nga 20 vjet privim lirie e punë të detyruar.

-Nuh Duli, Sami Repishti, Hajdin Tafa me nga 15 vjet privim lirie e punë të detyruar.

-Musa Derguti e Sulo Kurti me 10 vjet privim lirie e punë të detyruar.

-Tom Paloka, Abaz Sulejmani, Taf Hyseni me 5 vjet privim lirie e punë të detyruar.

Për Osman Haxhiun dhe Shaban Abdullain u mor parasysh dorëzimi i tyre.

Më 30 janar 1948, në bazë të kërkesës së Gjykatës Ushtarake Shkodër, kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, major Niko Ceta, njoftonte se ishte miratuar ndëshkimi dënim me vdekje për 5 të dënuarit.

Ekzekutimet u kryen më 3 shkurt 1948.

S'KA KOMENTE