Klerik i lartë mysliman Shkodër 3 mars 1888 - 15 mars 1961 . Lindur në një familje qytetare të njohur shkodrane. Musai mësimet fillestare i mori në mejtepin e lagjes “Ndocej” dhe të mesmen, në Medresenë e Pazarit. Pas përfundimit të studimeve për teologji-filozofi në Medresenë e Lartë të Stambollit; emërohet “hoxhë” në xhaminë Efendisë në Shkodër. 1920-1924 merr pjesë në veprimin politik opozitar. Pas përmbysjes së Fan Nolit, mbahet në gjendje arresti për 2 muaj; me ndërhyrjen e klerit mysliman lirohet nga burgu. Gjatë pushtimit, H. Musai ishte bërë një figurë e rrezikshme për grupin komunist të Shkodrës, i cili e dënoi me vdekje, pasi Hafizi e stigmatizoi këtë ideologji me shkrimet e tij në shtypin e kohës si të papajtueshme me traditën shqiptare. Më 1945 arrestohet tri herë, duke e mbajtur nën mbikëqyrje nga 45 ditë. Më 11 shtator 1946 arrestohet me pretekstin e Lëvizjes së Postribës. Torturohet për disa muaj në birucat e sigurimit. Gjyqi Ushtarak u zhvillua më 27 nëntor 1947, ku u gjykuan 22 të pandehur: i përfshirë në akuzën kolektive të Prokurorisë Ushtarake të Shkodrës në lidhje me Lëvizjen e Postribës, kjo Prokurori vendosi masën e dënimit 10 vjet burg. Për të quajturin Musa Dërguti, i biri i Et’hemit dhe i Meleqes, lindur në Shkodër, me vendimin nr. 463, dt. 27.11.1947, nga Gjykata Ushtarake Shkodër është deklaruar fajtor "për krimin si armik i popullit", neni 2 dhe 3 të ligjit 372, dënuar me 10 dhjetë vjet privim lirie dhe heqjen e së drejtës civile. Në burgun e madh të Shkodrës, Hafiz Dërgutin e bashkëlidhnin me të burgosur për ta penguar në ritualin e faljes. Rojet ia ndalonin faljen, e poshtëronin, e dënonin me izolim në birucë, etj. Në burg, prej çka i dërgonte familja mbante për vete vetëm ullinjtë, me të cilët ushqehej, e të gjitha të tjerat ua shpërndante nevojtarëve. Vitet e fundit i vuajti në burgun e Burrelit, nga doli 66 vjeç. Bashkëshortja e priti pas internimit të saj, ndërsa djali i vogël, Sabriu, lirohet pas tetë vjetësh. Dy djemtë e mëdhenj, Fejziu dhe Hamiti, arratisen që në ditët e para, ndërsa djali i tretë, Eqeremi, mbahet në burg edhe katër vjet. Hafiz Dërguti ndërroi jetë më 15 mars 1961, populli i Shkodrës e përcolli me nderim në banesën e fundit. I dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë”.

 

 

 

 

Burimi: At Zef Pllumi: Rrno vetëm për me tregue, rib.,sh.b. 55, Tiranë 2006; Uran Butka: Kryengritjet e para kundërkomuniste, ISKK, Tiranë 2013, f. 254-260; Beqir Ajazi: Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan, sh. b. 55, 2007, f. 59, 559, 565-567; Eqerem Dërguti: Hafiz Musa Dërguti, gazeta Drita Islame, viti i I-rë i botimit, nr. 12, 11 06 1992: 3; BKSH 1994, Vol. XV, f. 256; Gjyk.U. Shkodër: Vend. nr. 463, dt. 27.11.1947;“100 personalitete shqiptare të kulturës islame:Shekulli XIX-XX”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Tiranë, 2012, f. 155-158; Dëshmi nga Regjistri i Gjendjes Gjyqësore, nr. prot. 7596, Tiranë, 27. V. 1993; F. 1, Viti 2013, D. 5, f. 604.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.