U lind në Tiranë më 12.3.1949. U dënua pas arratisjes së të vëllait në vitin 1976. U ridënua përsëri ndërsa vuante dënimin. Vuajti 14 vjet, 3 muaj dhe 16 ditë heqje lirie në vitet 1976-1991. Kishte pasur edhe babanë të dënuar politik.
Fillimisht u arrestua më 25.9.1976. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal të vitit 1958, në kombinim me nenin 12, d.m.th. për agjitacion e propagandë. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit: Fatos Kërluku, Petrit Alushi, Arian Gjergji, Bektash Satko. Për të gjithë theksohej se në bashkëpunim me njëri-tjetrit kishin bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
Gjykata e Rrethit Tiranë, e drejtuar nga Jani Vasili, me pjesëmarrjen e prokurores Afroviti Gjebero, me vendimin nr.51, datë 8.2.1977, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 9 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.64, datë 28.2.1977 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
U arrestua më 21.7.1980, duke vuajtur dënimin në Repartin nr.303 Spaç. U akuzuan në bazë të nenit 55/1 në kombinim me nenin 13 të Kodit Penal të vitit 1977, për agjitacion e propagandë. U përfshi në një proces së bashku me të dënuarit: Gjokë Margjoni, Nikollë Frroku, Ferit Tahja, Gëzim Medolli, Enver Mustafaraj, Bardhyl Çitozi.
Deri ditën e ridënimit kishte vuajtur 3 vjet, 10 muaj e 27 ditë. Me punë kishte fituar 2 muaj e 5 ditë. I mbeteshin edhe 4 vjet, 10 muaj dhe 28 ditë heqje lirie. Midis të tjerash në vendim thuhej: “Edhe i pandehuri Shpëtim Stërmasi, megjithëse i dënuar një herë për krimin e agjitacionit e propagandës, të cilin e vuan në Repartin nr.303 Spaç, nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e tij armiqësore për dobësimin e minimin e pushtetit popullor”.
Procesi gjyqësor u zhvillua në Repartin nr.303 Spaç. Dolën 22 dëshmitarë, prej të cilëve vetëm një nënoficer.
Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e drejtuar nga Mihal Kazanxhi, me pjesëmarrjen e prokurorit Vaskë Dimoshi, me vendimin nr.39, datë 11.9.1980, e deklaroi dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve, u dënua me 14 vjet heqje lirie. U lirua më 10.1.1991 nga Reparti nr.305 Përparim, me dekretin nr.7444, datë 5.1.1991 të Presidiumit të Kuvendit Popullor
U nda nga jeta më 24.8.2026 në Tiranë.
