Gjyqi i poetëve

Njihet si “Gjyqi i poetëve”, por për ta shfaqur si ngjarje të rëndë, dy poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshi u akuzuan me prova të sajuara nga sigurimi i shtetit në të ashtëquajtërën grup sabotatorësh në bujqësi. Në përfundim të gjykimit të gjykatës së shkallës së parë Librazhd, më 13.6.1977,  për 8 të arrestuarit mes të cilëve dy poetët Genc Leka e Vilson Blloshmi kërkohet dënimi ekstrem, vdekje me pushkatim. Përfundimisht ata që do të shkonin para pushkatimit ishin dy poetët e rinj të talentuar Leka dhe Blloshmi. Të dënuarit bënë një përpjekje të fundit që të ndryshonin dënimin ekstrem, por gjithçka ishte vulosur.

Më poshtë pjesë nga vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë:

Pasi dëgjoi relacionin e anëtarit S.Krongo, mendimin e prokurorit P.Konomi, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit dhe pasi shqyrtoi e bisedoi në tërësi çështjen

Vëren:

Vendimi i gjykatës është i drejtë dhe si i tillë duhet të lihet në fuqi.

Nga materiali i çështjes rezulton e vërtetuar se të gjykuarit Genc Leka, Vilson Blloshmi, D.Blloshmi, Bedri Blloshmi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një kohë relativisht të lartë, kanë zhvilluar një veprimtari të theksuar kriminale ku kanë synuar minimin e ekonomisë bujqësore dhe për të dobësuar Pushtetin Popullor. Nga këta, tre të parët kanë zhvilluar edhe agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor, kurse të gjykuarit e tjerë R.Çerri, R.Sula, R.Dashi për disa vjet me radhë, sistematikisht dhe në grup të organizuar me njëri-tjetrin dhe me të gjykuarit Bedri e D.Blloshmi, si dhe në bashkëpunim me A.Gocin kanë përvetësuar pasuri socialiste.

Siç del nga të dhënat e gjykimit, të gjykuarit Genc Leka, Vilson Blloshmi, Bedri Blloshmi e R.Dashi, janë persona me prejardhje klasore e përbërje politike shumë të keqe, rrjedhin nga familje shumë të pasura, prindërit e të afërmit e tyre gjatë luftës Nacionalçlirimtare u lidhën dhe bashkëpunuan ngushtë me pushtuesin dhe organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar, si dhe ju kundërvunë lëvizjes nacionalçlirimtare. Pas çlirimit kanë mbajtur qëndrim armiqësor ndaj pushtetit popullor. Kështu, i ati i të gjykuarit Genc Leka, B.Leka, jo vetëm që ka marrë pjesë në radhët e Ballit Kombëtar, por pas çlirimit u arratis në Jugosllavi dhe ishte vënë në shërbim të agjenturave të huaja duke vepruar disa herë si diversant në vendin tonë në zonën e Qukësit. Po kështu, familja e të gjykuarve të tjerë Vilson e Bedri Blloshmi(vëllezër) ka qenë e lidhur me Ballin Kombëtar dhe shtëpia e tyre pas çlirimit qe kthyer në strehë për bandat e diversantëve e të tradhtarëve si Haki Blloshmi, Bardho Leka, Hasan Blloshmi. I ati i tyre Sami Blloshmi është dënuar për krime kundër shtetit.

I gjykuari D.Blloshmi, megjithëse ka origjinë të varfër, por duke pasur një vëlla të pushkatuar gjatë luftës u lidh me këta armiq, duke marrë për grua vajzën e tradhtarit B.Leka, motrën e të gjykuarit Genc Leka dhe duke qenë edhe vetë egoist, llafazan e vjedhës, ra nën presionin e tyre..

Në këto kushte, kërkesat e të gjykuarve për të ndryshuar vendimin e gjykatës në lidhje me dënimet e caktuara, janë të pabaza dhe si të tilla, duhet të refuzohen.

 

Për këto arsye: Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në bazë të pikës 1 të nenit 313 të K.Pr.P, vendosi:

 

Lënien në fuqi të vendimit Nr. 45, datë 13.06.1977 të gjykatës së rrethit Librazhd.

Pushkatimi i dy poetëve: Genc Leka dhe Vilson Blloshmi pasi kishin ezeuruar edhe mundësinë e fundit për falje nga “Presidiumi I Pushtetit Popullor”, pushkatohen në mesnatën e 17 korrikut 1977, pranë një zone të pyllëzuar rreth 6 kilometra larg Librazhit.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.