U lind më 1907 nga një familje e varfër në fshatin Çukë të Sarandës, ku dhe përfundoi shkollën fillore. Në vitin 1937 atëherë kur kishte dy fëmijë nga pesë gjithsej që do t'i bëheshin më vonë, me këshillën e Mitropolitit të Gjirokastrës të asaj periudhe z. Pandeleimon Kotoko, vishet prift prej tij.

Sistemi i ri qeverisës e burgos në vitin 1946 dhe e dënon për motive politike me 101 vite burg. Për sjellje të mirë dhe nga amnistitë e asaj periudhe, kryen 11 vite burg. Përgjatë viteve të burgut, i bënë torturat më të rënda: e linin pa ujë, deri sa pinte edhe urinën e tij. E nxirrnin dhe e linin gjithë natën jashtë në të ftohtë akull vetëm me të brendshme. Pasi e nxorën nga burgu, nuk kishte të drejtë të merrte pjesë në mbledhjet e popullit dhe njëkohësisht e thërritën kulak. Gjithashtu nuk kishte të drejtën e ushtrimit të funksioneve klerikale, ndërsa me veshje priftërore shkonte dhe punonte në bujqësi dhe përgjatë kremtimeve fetare shkonte në kishë dhe bënte detyrën e psaltit.

Para dhe sidomos pas vitit 1967, të gjitha episodet që ndodhnin në fshat kundër regjimit konsideroheshin si të hartuara prej tij. Nëse komunistët pikasnin qirinj të ndezur në varre apo në kisha, kandile në shtëpi dhe të tjera praktika fetare të kryera fshehur dhe në kundërshtim me ligjin e kohës, atëherë ai që duhej të jepte llogari gjithmonë do të ishte papa Jani Dashi. Megjithatë, edhe pse priftit i binin shpesh herë më qafë, ai nuk e humbi humorin e tij edhe gjatë momenteve më të vështira.

Në vitin 1982, arratisen jashtë vendit katër djem dhe ish-priftin Jani Dashi e sajojnë si organizator të kësaj arratisjeje. Në vitin 1984 e internojnë së bashku me familjen në fshatin malor Çorraj. Ndërroi jetë në vitin 1990 duke arritur të gëzojë çeljen e lirisë së besimit në Shqipëri.

Shkëputur nga studimi: “Dritëhije të stigmatizimit të klerit ortodoks në periudhën e regjimit diktatorial në Shqipëri”, botuar në “Dritëhije”, Revistë Shkencore Periodike, nr. 4, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë, 2022, f. 92-102 me autor Dr. Thoma Shkira

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.