Figura nr.2 pas Hamdi Frashërit në organizatën "Grupi i Rezistencës" që u formua për rrëzimin e regjimit komunist. Isai ishte me origjinë nga Peja, i lindur më 1914, i pamartuar, ardhur në Shqipëri në vitin 1930 bashkë me dy vëllezër, për t'i shpëtuar përndjekjes serbe, ndërkohë që në vitin 1927, kishin ardhur edhe dy vëllezër të tjerë.

Në vitet 1942-1943, Isa Shala u burgos si antifashisht. Gjatë kësaj burgosjeje, ai u njoh me Hamdi Frashërin. Pasi doli nga burgu, u bë partizan me formacionet e Kosovës dhe në nëntor 1944, hyri në brigadën e 3-të partizane.

Me vendosjen e regjimit komunist, ai mbeti i pakënaqur për shkak të marrëdhënieve që komunistët lidhën me Jugosllavinë. Miqësia me Hamdi Frashërin u bë boshti i organizatës "Grupi i rezistencës". Isai kishte hapur një dyqan rrobaqepësie në pazarin e ri në Tiranë, ku mblidheshin elementët e pakënaqur nga regjimi, por edhe agjentët, që arritën t'i zbulonin.

Pavarësisht se të dhënat nuk përputhen, sipas Kastriot Dervishit, arrestimi i Isa Shalës ka ndodhur më 27 gusht 1949 në Durrës, kur është mbajtur edhe hetuesia e tij. U arrestua pranë banjave te Shkëmbi i Kavajës. Arrestimi është mbajtur i fshehtë duke legjenduar arratisjen e tij.

U dënua pasi qëndroi gati 3 vjet në burg. Më 7 gusht 1952, u dënua nga Gjykata Speciale e Sigurimit me 20 vjet burgim. Në vendim thuhej se Isai ishte një prej udhëheqësve të Grupit të Rezistencës,"kishte propaganduar kundër pushtetit popullor", shtypur me makinë shkrimi traktet e organizatës, për misionin e Halil Bozhës, mbajti lidhje me të arratisurit, etj..

U lirua më 8.7.1963. Pas burgut, nuk iu ofrua punë.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.