U lind më 1938, në Elbasan. Me origjinë nga Gjirokastra. I afërm i Bahri Omarit, kunatit të pushkatuar të Enver Hoxhës dhe i Abaz Omarit, gjithashtu i pushkatuar nga regjimi komunist.

Me një talent të rrallë për fizarmonikën, në moshë të re, bëhet i njohur si instrumentist. Përfundon studimet e larta për mjekësi dhe më pas vishet oficer nga Ministria e Brendshme për t’u bërë mjek ushtarak.

Në vitin 1963 i pushojnë të atin nga puna dhe Gramozin e çojnë mjek në pikën kufitare të Vermoshit, ku ai pas disa ditësh, duke ndier kërcënimin që po i afrohej familjes dhe atij vetë, kapërcen kufirin. Qëndron për pesë vite në Jugosllavi duke punuar herë si mjek, herë si instrumentist në pritje të vizës për në Amerikë ku donte të emigronte, por UDB e kap më 30 korrik 1968 dhe e sjell në Shqipëri ku shkëmbehet në pikën kufitare të Hanit të Hotit me dy të burgosur kosovarë që mbaheshin në Laç.

Pas 3 muajsh hetuesi, Gramoz Omari del para kolegjit ushtarak të Gjykatës së Shkodrës. Me vendim nr. 4, datë 11 nëntor 1968, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e deklaroi fajtor për “tradhëti të lartë ndaj atdheut”, “nxjerrje sekreti ushtarak”. etj. dhe e dënoi me vdekje, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e së drejtës elektorale për 3 vjet kohë.

Vendimi ekzekutohet më 31 dhjetor të atij viti. Sipas dëshmive, pushkatimi është bërë në vendin e quajtur Zalli i Kirit në Shkodër. Eshtrat nuk janë gjetur ende.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.