Fiqiri Tasim Tufina u lind në Tiranë në një familje të njohur të qytetit. Mik i ngushtë me Osman Kazazin, një nga ish-të dënuarit politik me më shumë vite burg në Shqipëri. U vra nga komunistët pa gjyq, pasi u rrëmbye.
Në librin "Qeverisja e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore (1939-1944)/Nacionalistët bënë Shqipërinë etnike", me autor Gjet Ndoj, ish-drejtor i përgjithshëm i Arkivit të Shtetit Shqiptar, në faqen 425 shkruhet si e dhënë dokumentare se "Më 22 maj 1943, egzekutohet Fiqiri Tufina, oficer i Gjandarmërisë Shqiptare, që edhe ky kishte kryer Akademinë e Policisë në Itali. Aksioni u krye nga shokët Qamil Poda, Hajri Mullaj dhe Vladimir Shantoja".
Sipas familjarëve, Fiqiriu kreu shkollimin në Itali, por nuk punoi asnjë ditë si polic. Ai ishte një tregtar dhe kishte dyqanin e tij në qendër të Tiranës në rrugën "Mbretnesha Elena, nr. 40" nën markën "Fiqiri Tufina". Fiqiriu e kishte ndarë biznesin e tij nga familja, pra nga xhaxhallarët e tij, që punonin nën siglën "Vllazën Tufina".
Bahri Tufina, i cili kaloi afro 8-10 muaj në hetuesi me tortura çnjerëzore, thoshte shpesh: "Ne shkrimë pasurinë mos të përfundonim si Fiqiriu".
Pasuria e tij u vodh nga komunistët. Në mesin e viteve 2000, një orë nga Fiqiri Tufina shitej në ankand në Itali ku kapi shifrat e 10 mijë Euro.
Një nga atentatorët e tij, Qamil Poda kujtohet çdo nëntor si hero i LANÇ, i është kushtuar libër dhe mban titullin "Qytetar Nderi i Tiranës".
Dosja e Fiqiri Tufinës është pothuajse e zhdukur.
