Informacione | |
---|---|
Ngjarja: | Gjyqi i deputetëve |
Data: | 27/9/1947 |
Vendi: | Tiranë |
Viktimat: | Shefqet Beja, Sheh Ibrahim Karbunara, Dr. Enver Sazani, Salaudin Toto, Irfan Majuni, Sulo Klosi, Riza Alizoti, Salim Kokolari, Muhamet Prishtina, Tefik Deliallisi, Hysen Shehu, Beqir Çela, Abdyl Kokoshi, Pertef Karagjozi, Agathkli Xhitami, Ramazan Tabaku, Gjovalin Vlashi, Foto Balla, Ramë Marku, Rrustem Sharra, Xhevat Xhafa, Shefki Minarolli, Sulo Komjari |
Cilësohet ndër masakrat e vërteta pas një gjyqi të shpejtë që kishte për qëllim të zhdukte elitën politike dhe kundërshtarët e mundshëm të regjimit. Procesi i njohur si “Gjyqi i Deputetëve” u zhvillua në 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga Major Niko Ceta -Kryetar, Kapiteni I-Nexhat Hyseni, anëtar dhe Kapiteni II-Mustafa Iljazi, anëtar, shpallën vendimin e dënimit të grupit të deputetëve të Legjislacionit të Parë të zgjedhur në vitin 1945. Përveç deputetëve të zgjedhur, para ekzekutimit dhe dënimeve të rënda me burg shkuan edhe persona të tjerë që iu përfshinë këtij gjyqi tërësisht të trilluar. Ishte periudha kur Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe po shtrinin maksimalisht diktatin e tyre duke mbjellë terror dhe eliminuar kundërshtarët e mundshëm politikë. Nga të gjykuarit, 15 prej tyre dënohen me vdekje dhe forma e ekzekutimit ishte edhe më makabre kur shkuan në litar dhe para togës së pushkatimit. Burgosja dhe dënimi i deputetëve dhe intelektualëve me orientime demokratike e kombëtare bëhej në momentin kur Kuvendi Popullor duhej të ratifikonte Konventën Jugosllave dhe prononcimin e drejtimit të politikës së jashtme dhe të brendshme si prolindore me Bashkimin Sovjetik në krye.
Të dënuarit ishin:
Shefqet Beja deputet, i lindur në Durrës banues në Tiranë, pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ekonomist e financier i zoti, kontribuoi në daljen e gazetës “Bashkimi” organ i Frontit Nacionalçlirimtar, ishte nënpresident i Frontit Nacionalçlirimtar (Fronti Demokratik), dënohet me vdekje, varje
Sheh Ibrahim Karbunara deputet, një ndër ata patriotët që me Ismail Qemalin firmosën Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), organizator dhe delegat i Kongresit të Lushnjës, anëtar i Opozitës Popullore dhe mik i Nolit, Gurakuqit e Bajram Currit, dënohet me vdekje, varje
Dr. Enver Sazani deputet, ka kryer studimet e larta për mjekësi, dy vjet në Monpelie pjesën tjetër në Lion të Francës, specializohet dy vjet të tjera për patologji – radiologji, partizan i Çetës së Krujë-Ishëm dhe i Çetës së Pezës, Drejtor i Spitalit Ushtarak, dënohet me vdekje, pushkatim
Selaudin Toto deputet, ka kryer studimet e larta matematikë-fizikë, internohet në vitin 1941 si nacionalist antifashist, themelues i Institutit të Shkencave Shqiptare dhe kryetar i parë i këtij Instituti, shkroi i pari artikuj mbi energjinë atomike në Shqipëri, dënohet me vdekje, pushkatim
Irfan Majuni deputet, nëpunës në Tiranë, dënohet me vdekje, pushkatim
Sulo Ismail Klosi ka kryer Fakultetin e Gjeologjisë së Naftës në Strasburg, kryeinxhinier në Rubik, dënohet me vdekje, varje
Riza Alizoti ka kryer Kolegjin Robert në Stamboll vazhdon Tekniken e Fultzit në Tiranë dhe studimet e larta në Oksford, specializohet për shfrytëzimin e minierave në Strasburg, punoi në minierën e Kuçovës, dënohet me vdekje, varje
Salim Kokolari është pedagog në Liceun Francez në Gjirokastër, kryen dy vite studimi në Francë, mbështet Luftën Nacionalçlirimtare, anëtar i Këshillit, dënohet me vdekje, pushkatim
Muhamet Prishtina është djali i patriotit Jahja Prishtina njëri nga anëtarët themelues të Komitetit Për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës dhe nip i kryetarit të këtij Komiteti, patriotit Rexhep Kadri Prishtina, kur u dënua ishte 22-vjeçar, dënohet me vdekje, pushkatim
Tefik Deliallisi me profesion mësues, dënohet me vdekje, pushkatim
Hysen Shehu djali i Sheh Ibrahim Kurbunarës, dënohet me vdekje, pushkatim
Beqir Çela me profesion mësues, dënohet me vdekje, pushkatim
Abdyl Kokoshi ka kryer Fakultetin e Drejtësisë, dënohet me vdekje, pushkatim
Pertef Karagjozi me profesion nëpunësi në Tiranë, dënohet me vdekje, pushkatim
Agathkli Xhitami me profesion notar (shkrues publik), dënohet me vdekje, pushkatim
Ramazan Tabaku, telegrafist nga Tirana, dënohet me burg të përjetshëm
Gjovalin Vlashi, avokat nga Durrësi, dënohet me burg të përjetshëm
Foto Bala, profesor nga Himara, dënohet me burg të përjetshëm
Ramë Marku dënohet me burg të përjetshëm
Rustem Sharra dënohet me 20 vjet burg
Xhevat Xhafa dënohet me 20 vjet burg
Shefki Minarolli dënohet me 20 vjet burg
Sulo Konjari me 15 vjet burg