U krijua me urdhër të ministrit në shkurt 1966. Qëllimi i krijimit të repartit ishte vendosja e të dënuarve në moshë të re. Më shumë reparti u përdor në drejtim të punëve në bujqësi. Viti 1966 është një kohë kur u mbyll Artizanali i Tiranës. Kërkohej kësisoj të hapeshin kampe të specializuara të ndërtuara sipas veprës penale apo moshës. Reparti 315 funksionoi në rrethet e Elbasanit dhe Lezhës. Të dhënat kur reparti ka qenë në Elbasan janë shumë të pakta. Administrata e repartit nuk ka dorëzuar asnjë dosje në Arkivin e MPB-së.

1966-1970 në Gradishtë të Belshit

Fillimisht reparti u ngrit në kodrën e Gradishtës në Belsh. “Detyra kryesore e këtij reparti ashtu si edhe e reparteve të tjera të riedukimit është që nëpërmjet formave të tjera politiko-edukative të arrijë atë që kërkon partia, të riedukojë këta persona, të cilët si bartës të veseve të këqija mikroborgjeze kanë thyer rregullat e shoqërisë sonë socialiste dhe me veprimet e tyre kanë kryer krime të dëmshme nga ligjshmëria jonë socialiste”, - shkruhet në historikun e repartit në vitin e dytë të jetës së tij.

Siç shihet nga shpjegimi i historikut, një front pune i repartit ka qenë Gjyrala e Belshit. Për ruajtjen e të burgosurve shërbenin 40 ushtarë, 7 oficerë dhe 7 nënoficerë. Në krijim komandant ishte Beqir Liço dhe komisar Refail Bicolli. Puna kryesore e repartit mbeti hapja e tokave të reja. Në vitin 1966 u hapën 250 hektarë tokë, të cilat u mbollën në shumicë me grurë e më pak me misër e patate. Në vitin 1967 u hapën 400 hektarë tokë e re. Në vitin 1968 ferma që kishte krijuar reparti, u shkri dhe i kaloi në administrim fermës së atyshme të Belshit. Reparti ka vazhduar punën me mbjellje dhe me hapje tokash të reja.

Sipas udhëzimit të ministrit në vitin 1968, në këtë repart vuanin dënimin të rinjtë e moshës 14-18 vjeç. Këtë kohë në repart kishte 25 të dënuar politikë dhe 248 ordinerë. Të moshës 14-24 vjeç ishin 302 të burgosur. Vetëm 3 të burgosur ishin me arsim të lartë, 19 ishin analfabetë dhe 63 me të mesëm.

Në vitin 1969 këtu punonin 342 të dënuar politikë dhe ordinerë, si dhe të dënuar nën 18 vjeç. Në rast gjendje lufte, reparti zhvendosej në Fier.

 

1970-1972 Valas, Elbasan

Më 27.11.1970 reparti zhvendoset në Valas, një fshat jo shumë larg Cërrikut. Qëllimi iu zhvendosjes këtu ishin punët bujqësore të fermave të atyshme. Është punuar për hapje tokash të reja dhe për punë të zakonshme në bujqësi. Në vitin 1971 në kamp ishin 373 të dënuar, prej të cilëve 25 të dënuar politikë dhe 348 ordinerë.

1972-1983 Fishtë dhe Leras, Lezhë

Me urdhrin nr. 108, datë 31.1.1972 reparti riorganizohet dhe shkon në ishullin Fishtë në Lezhë. Do vuanin dënimin të dënuarit për krime kundër shtetit të moshës 14-20 vjeç, si dhe ata ordinerë të moshës 14-25 vjeç. Për këta parashikohen kurse profesionale, arsim 8-vjeçar dhe agjitacion intensiv ideologjik. Puna do të bëhej në fermën e atyshme. Urdhri u zbatua më 1.4.1972. Efektivi kuadër i Valasit u shkarkua nga detyra më 16.7.1972.

Kur reparti u vendos në Fishtë kishte rreth 300 të dënuar. Pas pak arriti në 550 të dënuar, derisa në korrik 1973 u bënë 740 të dënuar, prej të cilëve 35 të dënuar për krime politike. Në aspektin shoqëror, mbizotëronte në masën 55%, origjina e varfër e të dënuarve. Të dënuarit janë shfrytëzuar për bonifikime, bujqësi, ndërtim. Të dhënat e vitit 1973 bëjnë fjalë se në repart vuanin dënimin rreth 700 të dënuar. Ata e vuanin dënimin të ndarë në dy sektorë: në Ishull Lezhë (rreth 200 veta) dhe në Fishtë (rreth 500 veta). Ndarja e të dënuarve ishte si vijon: 23 për krime kundër shtetit (politikë), 124 për vjedhje të pasurisë socialiste, 100 për krime seksuale, 20 për vrasje, 13 për aksidente, 120 ushtarë që kishin ikur pa leje nga repartet, 24 të padenjë, 120 të ndryshëm.

Në vitin 1974 reparti kishte rreth 670 të dënuar. Ata e vuanin dënimin në tre sektorë: 200 në Fishtë, 70 në Ishull Lezhë dhe 400 në Leras (Torovicë). Në repart ishin në këtë kohë gjithsej 17 bashkëpunëtorë të Sigurimit. Për ruajtjen e të dënuarve shërbenin 16 oficerë (por vetëm 1 me arsim të lartë), 17 nënoficerë dhe 47 ushtarë. Për vitin 1975 në repart punonin rreth 800 persona, por një raport tjetër thotë se ishin 1.063 të dënuar. në fund të vitit 1975 në repart ra sëmundja e leptospirozës (njolla në lëkurë).

Në vitin 1976 në repart punonin 962 të dënuar, prej të cilëve vetëm 30 politikë. Personeli i burgut për ruajtjen e tyre përbëhej nga 80 persona.

Të dhënat tregojnë se në vitin 1976 një pjesë e të burgosurve punonin në bujqësi në zonën e Bishtit të Jubës.

Në vitin 1977 në repart punonin gjithsej 1.070 të burgosur.

Për vitin 1980 thuhej se kuadri nënoficer ishte me arsim të ulët. Të burgosurit “rrihen nga komandantët e skuadrave, brigadierët dhe në regjimin e brendshëm”.

Sipas raportit të datë 15.9.1981 në repart ishin 750 të dënuar, 11 (5 për agjitacion e 6 për tentativë arratisje) prej të cilëve ishin dënuar për krime kundër shtetit. Pjesa tjetër ishte ordinere.

Nga pikëpamja sociale, 358 ishin me origjinë punëtorë, 360 kooperativistë, 30 nëpunës, 2 kulakë. Nga ordinerët, 190 ishin dënuar për vjedhje të pasurisë socialiste, 111 për krime seksuale etj. Të burgosurit punonin në 4 grupe me 4 brigada e punonin në bujqësi. Me amnistinë e vitit 1982 ishin liruar 523 të dënuar, prej të cilëve theksohej se 12 ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit. Me urdhrin nr. 4, datë 6.1.1983 të ministrit të Punëve të Brendshme, reparti 315 Leras Lezhë u mbyll. Komandantët dhe komisarët e repartit kanë qenë të profesioneve të tilla si punëtor, bujk, këpucar, hyzmeqar dhe arsimtar. Përgjithësisht niveli i tyre arsimor ka qenë fillore. Në raste të rralla ka pasur edhe kuadri me arsim të pjesshëm ose të plotë të mesëm.

Vitet e repartit:

1966-1970 Gradishtë (Elbasan)

1970-1972 Valas (Elbasan)

1972-1983 Fishtë, Leras, Torovicë (Lezhë)

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.