Ekonomist, politolog. Lindi në Tassos (Maqedoni), më 1896, në familjen e gjykatësit libohovit Haki Bejleri. Shkollën fillore e kreu në Stamboll dhe të mesmen në Liceun franko-turk të Gallata Sarajit po në Stamboll (1918). Me mbarimin e Luftës I Botërore, u dërgua në Francë për studime universitare, pranë shkollës së lartë të shkencave politike në Paris. Vitin e fundit e mbaroi në Romë, ku mbrojti dhe doktoratën për shkenca politike-ekonomike. Më 1925 u emërua pranë Ministrisë së Financave, ku punoi deri në shtator të vitit 1930. Me vendim qeverie, Zija Bejleri u dërgua nga shteti në Paris, ku për një vit akademik u specializua për problemet e Bankës Bujqësore. Në qershor të vitit 1931 rifilloi punën në Ministri dhe në tetor u zgjodh në përbërje të delegacionit, që përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën Ballkanike të Athinës. Në dhjetor 1936 u emërua Drejtor i të Ardhurave Kombëtare pranë Ministrisë së Financave. Këtë funksion e ushtroi deri në gusht 1937, kur u caktua drejtor i Bankës Bujqësore Shqiptare. U arrestua më 1 mars 1945, dhe u dënua me 5 vjet burg nga Gjyqi Special i zhvilluar në muajt mars-prill të vitit 1945, me akuzën: « Ka qenë eksponent i organizatës tradhëtare e mercenare të Ballit Kombëtar. II. Si nëpunës i lartë i qeverive Kuislinge i ka shërbyer okupatorit».  U lirua tre vjet më vonë me amnisti. Pas burgut u mor me përkthime nga frëngjishtja, turqishtja etj. Vdiq në qershor të vitit 1963, në moshën 67 vjeçare. Është përfshirë në fjalorin «Who’s Who in East and Central Europe», të botuar në Zyrih, më 1937.

Në foto, Zija e Idajete Bejleri

 

Burimi: Gazeta «Besa», 6 prill 1932 dhe 2 gusht 1937; Stephen Taylor,

Dokumente

Burimi: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist I a-ç, ISKK, Tirane 2012
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.