Rexhep Berom Kika u lind në Tiranë rreth viteve 1905-‘08. Djalë i vetëm pas 2 motrave. Babai i tij kishte një furrë buke në Pazarin e Vjetër, lagjja "Sulejman Pasha". Pasi mbaroi shkollën në Tiranë, studioi disa vite drejtësi në Itali.
Në vitin 1942, filloi punë në prefekturën e Tiranës në administratë pasi kishte miqësi me Qazim Mulletin dhe veçanërisht me Selman Kukaleshin me të cilin kishte punuar për hartimin e kontratave të ndryshme tregtare pranë noterit publik, Jonuz Tafaj.
Më 16 shtator 1943, në kohën kur kishte kapitulluar Italia dhe administrata gjermane ende nuk ishte vendosur, u vra në rrugë kur doli nga shtëpia e tij, nga atentatorët komunistë Bajram Vula dhe Adem Tabaku, vetëm se ishte mik i Selman Kukaleshit.
Pas luftës, emri i Rexhep Kikës përmendej në versionin e parë të komedisë “Prefekti” të Besim Levonjës, por duke qenë se njëra nga motrat e tij ishte martuar me Shyqyri Ballvoren, personazh në LANÇ, që mbulonte edhe degën e kulturës, u ndërhy për heqjen e emrit të Rexhepit nga ajo komedi denigruese.
