Lindi në qytetin e Lushnjës në familjen atdhetare Sefa nga Lushnja si fëmijë i tretë i Nebi Sefës dhe femija i vetëm nga nëna e tij, Hajrie, tiranase nga familja atdhetare Kasa. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe edukimin patriotik nga i ati, patrioti Nebi Sefa firmëtar i Pavarësisë në Vlorë në 28 Nëntor 1912 dhe një nga iniciatorët e firmëtarët e thirrjes së Kongresit Kombëtar të Lushnjës të janarit 1920. Si djalë i një familjeje pronarësh në bujqësi, vazhdoi studimet e mesme për agronomi në Firence të Italisë e më pas ato të larta në Universitetin e Firences në specialitetin Fiorikulturë. Me vdekjen e të atit në nëntor 1942 kthehet në atdhe dhe punon pedagog në Institutin Bujqësor të Lushnjës e njëkohësisht merret me administrimin e pronave të familjes mbasi vëllai tij i madh, Ismaili ishte në Tiranë dhe motra e martuar në Elbasan.

Prejardhja patriotike e familjes e rreshtoi së bashku me të vëllanë në krahun nacionalist e si rrjedhim, mbas arratisjes së vëllait të madh, Ismailit, filluan sekuestrimet e pronave nga fitimtarët që në janar 1945 e më pas burgosja e tij në vitin 1946.

Pas dënimit me burgim të përjetshëm (101 vjet) kthyer në 20 vjet, vjen nisja e kalvarit të vuajtjeve nga burgu i Beratit në kampet e punës të Shtyllasit, Vlashukut, Bedenit në Kavaje, Rinasit për aeroportin e për të vazhduar në burgun e Burrelit ku përfundon dënimin në vitin 1962.

Kthehet në Kavajë në familjen e të vëllait që ishte e dëbuar nga Tirana që nga viti 1948. Fatmirësisht martohet me një vajzë tiranase, Jalldiz Begeja Sefa dhe vendoset tek ajo në Tiranë. Punon punëtor për një kohë të gjatë deri sa erdhi dita e internimit familjar në Shtyllas (Levan, Fier). Vitet e fundit të jetës i kaloi në Tiranë. Përjetoi zhvillimet demokratike të vitit ‘90 së bashku me shokun e idealeve nacionaliste si ish-studentë në Itali, por dhe të viteve të gjata të burgut, Osman Kazazi etj.. Vdiq pa fëmijë nga martesa në korrik 1991.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.