Kish mbaruar Shkollën Teknike Amerikane të Tiranës, me profesion gjeometër. Gjatë kohës së Zogut kish ardhur në Shqipëri nga Preveza dhe marrë shtetësinë shqiptare. Edhe ndaj tij u përdor skema e njohur e dënimit të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit.

Namiku arrestua më 27.5.1947. U akuzua në bazë të nenit 4 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 dhe të nenit 15 të ligjit nr.373, datë 12.12.1946, se kish marrë pjesë në kurset e Harry Fultz-it, të cilave u jepej ngjyrë agjenturore, si dhe për sabotime në zonat ku kish punuar. Përmendej edhe Beqir Çela në akuzë, person që u pushkatua në procesin e parë kundër deputetëve.

Bëhej fajtor se “ka sabotuar në fabrikën e cigareve duke ngadalësuar punën dhe prishur motorët; ka sabotuar zgjedhjet e 2 dhjetorit (1945)”, sabotim në kanalin e Sulovës si dhe Llixhat në Elbasan, sabotim në spitalin e ri të Gjirokastrës. Te kjo e fundit thuhet (si edhe në Maliq) se “nuk e ka hedhur hekurin sipas udhëzimeve të inxhinierit jugosllav”, se kish paguar punëtorët më shumë nga ç’duhej, etj.. Po ashtu bëhej fajtor se kish shoqëruar një gazetar amerikan të cilit i kish folur se zgjedhjet nuk ishin të lira, ndërhyrë pranë misionit amerikan në Tiranë, shpërndarë trakte.

U përfshi në një proces së bashku me Haxhi Sejkon, i cili ishte nëndrejtor i kantierit të spitalit. Gjykata e bënte fajtor se kish marrë përsipër detyrën për të furnizuar amerikanët me informacione.

Gjykata Ushtarake Gjirokastër, e drejtuar nga kapiten II Llazi Polena, me pjesëmarrjen e ndihmësprokurorit toger Mustafa Beqo, me vendimin nr.249, datë 22.11.1947, e deklaroi fajtor dhe dënoi me vdekje, humbjen e të drejtave civile e politike dhe pagimin e shpenzimeve gjyqësore. U la në fuqi me vendimin nr.13, datë 7.1.1948 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

U ekzekutua në Gjirokastër.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.