E bija e Dionis Karbunarës nga Vlora, diplomat. Kur e arrestuan të atin, Jolanda ndodhej në Shqipëri, ndërsa e ëma me dy fëmijët e mëdhenj në Itali. Jolanda u rrit nga gjyshja dhe që nga mosha 14 vjeç, kur gjyshja ndërroi jetë, banoi te kushërinjtë.

Në korrik 1951, u arrestua sepse nuk pranonte të ikte nga Tirana. U burgos 28 ditë dhe u dëbua në Durrës. Banoi te një shoqe austriake, Marcela Karli dhe punoi në kooperativën e konsumit, prej nga ku u largua se doli 6000 lekë deficit. Në shkurt 1952 vjen sërish në Tiranë për të punuar në kooperativën e leshpunuesve.

U arrestua më 22.2.1952, kur ishte vetëm 22 vjeç. E shkëputën nga vajza që ishte 13 muajshe. Në procesin gjyqësor quhet Jolanda Bashi (Karbunara). Arrestimi i saj u kërkua nga punëtori operativ i Sigurimit, toger Dhimitër Andoni i Degës së 5-të (që njihej këtë kohë si Reparti nr.3011) i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit.  Akuzohej se kishte “zhvilluar spiunazh në favor të klikës së De Gasperit”. U pyet nga operativi që e arrestoi. Në thelb kërkohej të pranonte që ishte informatore e legatës italiane në Tiranë. Pavarësisht se akuza bën fjalë “për të dhëna të rëndësishme”, nuk doli asnjë përcaktim se çfarë mund të ishin këto të dhëna. Aktakuza u miratua nga nënkomandanti i Repartit nr.3011, major Dhosi Progri dhe ndihmësministri i Punëve të Brendshme.

Mbi bazën e saj, prokurori, toger Kulla Kullaj, ngre akuzat në bazë të neneve 3/10, 4, 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, se ishte “rekrutuar nga spiunazhi amerikan”, takime me misionin amerikan dhe më vonë vënie në shërbim të legatës italiane; si dhe nenit 8 të ligjit nr.781, datë 17.11.1949 “Mbi fajet penale kundra pasunis” (për 6000 lekët deficit).

Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.167, datë 25.6.1952, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 18 vjet privim lirie, punë të detyruar, heqjen e të drejtave zgjedhore për 3 vjet dhe zhdëmtimin e 6000 lekëve për arkën e shtetit. U la në fuqi me vendimin nr.349, datë 31.7.1952 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U lirua më 30.11.1965 nga Punëtoria Qendrore e Artizanatit në moshën 35-vjeçare.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.