U lind në Shkodër. Mbaroi studimet për Inxhinieri pyjesh në Akademinë Ushtarake në Firence të Italisë në vitin 1942. U kthye në Shqipëri me gradën toger i milicisë pyjore. Qëndroi dy muaj në Tiranë dhe më pas u transferua në Prishtinë ku punoi dy vjet deri në gusht 1944. Qëndroi i papunë në Shkodër deri në janar 1945, kur u emërua teknik i pyjeve në atë qark nga Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës së Shkodrës. Në mars të vitit 1945, u transferua me të njëjtin pozicion në Peshkopi dhe më 20 prill të atij viti, u transferua nga Ministria e Bujqësisë dhe Pyjeve në sharrën e Kryeziut si teknik.

U thirr edhe në vende të tjera si specialist si ishte sharra e Llogorasë.

Në 16 gusht të vitit 1946 u arrestua. Akuzohej si armik dhe sabotues i pushtetit. Në akuzë i përmendeshin abuzime me fondet dhe që kishte punësuar të atin dhe vëllezërit në ndërmarrjen e tij duke u dhënë rroga të pajustifikuara, sipas akuzës, me sasinë e punës  por akuza kryesore ishte sabotimi dhe bisedat kundër pushtetit. Ai akuzohej se kishte shkaktuar defekte dhe vonesa në punë si edhe se kishte montuar një sharrë në një vend të papërshtatshëm ku mund të përmbytej nga shirat dhe që kishte zhvilluar biseda kundër pushtetit dhe kishte miqësi me Nikollë Mazrekun, priftin e dënuar tashmë si armik.

Laca, sipas dokumenteve në dosjen e tij, pranon punësimin e të afërmve për shkak të vështirësive ekonomike në familje dhe mosmbajtjen në rregull të librit të shpenzimeve, por në asnjë rast nuk pranon sabotimin. Edhe në fjalën e fundit, para ekzekutimit, ai i drejtohet familjes që është i pafajshëm dhe është akuzuar kot.

Gjykata Ushtarake e Tiranës me kryetar Irakli Bozo vendosi më 30 shtator 1946, të dënohej me ekzekutim, siç kishte kërkuar në pretencën e tij, prokurori Petrit Hakani. Edhe prokurori Ushtarak, Nevzat Haznedari ra dakord me vendimin që e la në fuqi edhe Gjykata e Lartë Ushtarake e Tiranës, më 5 tetor 1946 për dënimin e tij me pushkatim dhe sekuestrimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme. Në dosjen e Sigurimit të Shtetit për Bernard Lacën, gjendet edhe shkresa e ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Enver Hoxhës, drejtuar Gjykatës së Lartë Ushtarake, i cili, po atë ditë, aprovon dënimin dhe kërkon njoftimin e ekzekutimit.

U ekzekutua më 29 tetor 1946.

 

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.