Me pengun që nuk i kemi përmendur të gjithë, kujtojmë sot, në Ditën Botërore të Poezisë, poetët e vrarë për fjalët dhe vargjet, por dhe aryse të tjera që gjithaq nuk meritonin dënime…Kujtojmë dhe ata që mbijetuan, por që diktatura u mori lirinë dhe u dha ushqim vuajtjesh dhe torturash për artin e tyre
“Ai kishte një aftësi të veçantë, me të cilën të bënte për vete, aftësinë e komunikimit. Ai nuk fliste, por cicërinte. Kishte një fjalor të pasur me figura dhe me humor. Dhe mbesje i shtangur përpara tij. Mendo tani që këtë njeri ta kesh profesor letërise. Veçanërisht kur ai kishte pjesë të komentit, për ne ishte moment magjie…Ky shkrihej me ne. Komunikonte me ne sikur të ishte moshatari ynë. Por ne ishim të topitur sepse ishim shumë puritanë. Ai të merrte me vete. Ti fluturoje, ti ndiqje atë frymën që shpërndante ai, jetoje në atë ambient. Ai nxehej, skuqej, e mbulonte djersa, recitonte, ishte artist me të vërtetë. Neve na vinte keq kur binte zilja dhe mbaronte ora e mësimit. Fikej ajo magjia”.
Kemi dashur që mësuesi për të cilin tregon ky nxënës të përvijohej fillimisht në mendimet tuaja para se të kishte një identitet, ndaj dhe emri i tij nuk është përmendur. Shumë nga ne duhet të kenë menduar, herët a vonë, për mësuesin e letërsisë te “Dead Poets Society”, por këto fjalë të shkëputura nga emisioni “Dosja K” i Admirina Peçit, në Report Tv, i përkasin ish-gjimnazistit të Shkodrës, Nexhmi Bushati dhe janë për mësuesin e tij të letërsisë, Qemal Draçinin. Qemali iu dha mësim për 9 a 10 muaj në vitet ’45-’46, gjatë të cilave i magjepsi në klasë dhe u bë shok me ta jashtë saj, kur u tregonte barcoleta, qeshte, luante me top.
Ata muaj kishin qenë shpresëdhënës edhe për vetë mësuesin, i cili, prej kthimit nga Italia, i zhgënjyer tashmë nga lufta partizane ku ishte përfshirë në adoleshencë, ishte kapluar nga pesimizmi dhe trishtimi për shokët e rënë në luftë. Megjithatë, ato muaj entuziazmi nuk zgjatën. Në verën e vitit 1946, e thirrën në Tiranë në komisionin pedagogjik, ku iu ngarkua maketi i antologjisë së letërsisë për klasat e larta të gjimnazeve. Një ditë pasi e dorëzoi, e arrestuan në stacionin e autobusit që do e kthente në Shkodër. U mbajt në birucat e Sigurimit nga vera e vitit 1946 deri në tetor të vitit 1947, kur edhe ndërroi jetë. Ishte vetëm 25 vjeç. La pas shtatë ditarë, artikuj studimorë e përkthime të botuara në revistën letrare “Fryma” të drejtuar nga Myzafer Pipa, ku ishte redaktor dhe shumë kujtime te njerëzit që e takuan gjatë jetës së tij të shkurtër. Një pjesë e krijimtarisë së tij është publikuar në librin "Era" më pas, në vitin 1995.
Qemal Draçini kishte tiparet e një heroi letërsie dhe për këtë diktatura u hakmor, duke e vrarë dhe duke e lënë pa varr sepse ajo i zhdukte pa mëshirë këta personazhe që dilnin jashtë skenarit të saj. Le të ishin të vyer. Le të ishin të rrallë siç ishte për shembull, Musine Kokalari, që mbahet si poetja e vetme grua e viteve '37'-45 e cila u burgos e u internua deri në fund të jetës. Sipas disa burimeve, madje, Qemal Draçini preu damarët kur pa dëshminë e shkruar me gjak nga Musine Kokalari në burg. Ndaj tyre vlonte urrejtja. Ndaj dhe shumë poetë që tërhiqeshin natyrshëm nga liria, humanizmi, e vërteta, të cilat binin ndesh me diktaturën, u vranë ose u mbyllën në burgje. Është e gjatë poema e pashkruar e poetëve të dënuar në diktaturë dhe aq të rënda vargjet e saj me vuajtje njerëzore sa të duket se nuk mund t’u shkosh deri në fund. Lazër Shantoja, prifti, publicisti, përkthyesi e poeti lirik u dënua me pushkatim, por gjatë hetuesisë iu thyen të katër gjymtyrët në tortura aq sa dhe e ëma kur e pa me duart e këmbët që vareshin të pakomanduara nga trupi, ato duar me të cilat dikur i binte pianos dhe shkruante poezi, u lut që ta vrisnin. Ca ditë më vonë, po në dimrin e ‘45-ës arrestojnë dhe dënojnë me pushkatim një tjetër prift e shkrimtar që e thërrisnin “poeti i ambëlsisë” e që diktatura i gatoi një fund të hidhur. “Nuk besoj të ketë provue kush torturat që i banë Dom Ndre Zadejës”, ka thënë Kardinal Mikel Koliqi, që kishte qenë në burg në ditët para pushkatimit. U pushkatuan për motive politike, Manush Peshkëpia, Beqir Çela, Trifon Xhagjika. Sa krime të rënda iu ngarkuan poetëve! Sa krim i rëndë u bë vetë poezia! Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u pushkatuan për poezitë e tyre. Havzi Nela u var në litar.
Ndërruan jetë në burg, Et’hem Haxhiademi, klerikët Bernardin Palaj dhe Vinçenc Prennushi, i cili në çastet e fundit kishte pranë një tjetër edhe-poet të burgosur, Arshi Pipën. “Nji natë të tillë më tha copa copa: Tash po kuptoj fjalët e Goethes: “Mehr Licht!” Ajo dritë, së cilës i kishte thirrë në pikë të mortjes Poeti nuk ishte sigurisht, drita qi shohin syt tanë shqisorë. Dhe ktê Imzoti e dinte mirë”, shkruan Arshi Pipa në esenë kushtuar Vinçenc Prenushit. Arshiu, që arriti të dalë i gjallë nga burgu dhe më pas u arratis nga Shqipëria, humbi në oborret e Sigurimit të vëllanë, avokatin Myzafer Pipa, të cilit i ka kushtuar poezinë “Elegjia vëllazërore”, shkruar pak para se të dilte në gjyq për herë të dytë, kur edhe e mori vesh që Myzaferin e kishin goditur me armë duke u justifikuar sikur donte të ikte. Arshiu mundi t'i nxjerrë nga burgu dhe më pas nga Shqipëria poezitë e "Librit të burgut", të shkruara në letra cigareje. Disa të tjerë i mësuan përmendësh krijimet e veta, si Uran Kostreci që i memorizoi 2500 vargjet e "Epopesë së karkalecave". Të tjerë i shkruan mbi rrasën e shpirtit që nuk mbeti e zbrazët as në terr. Pas 47 vitesh internim, Lirim Biçaku e rinisi jetën duke pikturuar, por edhe duke shkruar poezi. Visar Zhiti, Sami Repishti, Lekë Previzi, Lazër Radi, kanë publikuar në vitet e lirisë krijimet e tyre të burgut apo internimit. Të burgosur për poezitë, si Ylber Merdani, apo për një arsye tjetër njëlloj të pafajshme, poetët nuk mund t'i ndanin me hekura nga poezia. Poezinë e kishin me vete. Diktatura donte ta bënte mallkim, por ajo mbeti shpëtim për ta edhe në terr. Janë shumë poetët që u detyruan të ndrydhin vite dhe vargje në burgje: Daut Gumeni, Frederik Rreshpja, Jorgo Bllaci, Beqir Haçi, Gjergj Komnino, Mark Ndoja, Zyhdi Morava, Pjetër Gjini, Kujtim Aliaj...Edhe shkrimtarët e njohur, njëkohësisht autorë vargjesh, Mitrush Kuteli, Petro Marko, u burgosën. Më vonë do të dënohej edhe i biri i Petros, poeti Jamarbër Marko. Hakmarrja ishte e pamëshirshme ndaj bijve të poetëve dhe etërve të poezisë. Shkoi deri te eshtrat e Gjergj Fishtës, ndërkohë që krijimtaria e tij, por edhe e shumë poetëve të tjerë të dënuar, ose edhe të lirë, u hoq nga sytë e publikut duke u fosilizuar në fondet e rezervuara të bibliotekës.
Të tjerë u vetëcensuruan ose protestuan duke i lënë faqet e bardha. Lasgush Poradeci që, me ndjeshmërinë e rrallë të një njeriu-poet, e quante veten bashkëfajtor në këtë krim të shtetit ndaj poetëve teksa shprehej “kur e dënuam Vinçenc Prenushin”, edhe pse ai nuk kishte asgjë në dorë, zgjodhi të revoltohet me një heshtje të thellë, të plotë, të palëkundur, si një liqen në orët e tij më të qeta. Kasëm Trebeshina shkruante e shkruante, por vetëm për vitet që do të vinin.
A nuk vdes një poet kështu? Dhe jeton megjithatë.
a.çano