Sulejman Vuçitërna | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Sulejman Vuçitërna |
Atësia: | Bajram |
Vendlindja: | Vërbovc, Kosovë |
Vendbanimi: | Durrës |
Datëlindja: | 11/9/1898 |
Profesioni: | Ushtarak |
Shkollën fillore e kreu në Vuçiternë. Në mbarim të luftës së parë iu bashkua lëvizjes kosovare për qëndresë ndaj pushtuesit serb. Në kushtet e përndjekjes vjen në Shqipëri. Titullohet oficer i shtetit shqiptar më 16.3.1921. Gradohet kapiten I më 28.11.1931. Në Shqipëri vijoi Normalen e Elbasanit, shkollën ushtarake në Tiranë, Akademinë Ushtarake në Torino dhe specializimin në Vjenë. Shërbeu deri në vitin 1939. Më pas, në kushtet e reja në tokat e liruara, në vitet 1941-1944 luftoi për mbrojtjen e kufirit verior shqiptar.
U arrestua më 14.11.1944 në Tiranë.
Gjykata Speciale e Tiranës e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, me vendimin nr.1, datë 13.4.1945, e deklaroi fajtor në bazë të neneve 14, 15, 18 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 “Për organizimin e gjykatave ushtarake” dhe e dënoi me 30 vjet burgim me punë të detyruar.
Dënimi i tij dhe disa të tjerëve, është një nga vendimet më qesharake të Gjykatës Speciale, sepse nuk e ka përcaktuar dot ç’lloj krimesh kishte kryer i akuzuari dhe e ka lënë evazive, ose "armik i popullit" ose "kriminel lufte". Shpehimisht vendimi thotë: “Për kriminelët e luftës ose armiqtë e popullit: Sokrat Dodbiba, Mihal Zallari, Ethem Cara, Ndoc Naraçi, Andon Kozmaçi, Lazër Radi, Sami Koka, Sulejman Vuçitërna”, gjykata i dënon me “nga 30 vjet burg e punë të detyrueshme.”
Vuajti dënimin në burgje dhe kampe të diktaturës, në të cilat edhe humbi jetën në Vloçisht më 15.10.1948.