Nacionalist.Lindi më 4 maj të vitit 1898, në Krujë. Ishte djali i katërt i Haxhi Fajë Merlikës. Shkollën qytetëse e mbaroi në Krujë. Me porosi të të atit, shoqëroi në Kuvendin Kombëtar të Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë kushëririn e tij të parë Mustafa Merlikën (Krujën) [shih] si delegat i Krujës. Në vitin 1920 mori pjesë në forcat vullnetare krutane në mbrojtje të Koplikut, të drejtuara prej Mustafa Krujës e Abaz Kupit [shih]. U kthyen fitimtarë më 14 shkurt 1921. Në lëvizjen e 22 marsit të 1922, mori pjesë me forcat krutane kundër Qeverisë së Xhfaerr Ypit, për shkak të përjashtimit të deputeteve të Veriut. Pas dështimit të kryengritjes, u largua në Kosovë e pastaj në Jugosllavi, ku u izolua nga serbët në Gorni Milanovac, bashkë me Mustafa Merlikën, udhëheqësin e kësaj lëvizjeje. Për ta patur nën kontroll, autoritetet serbe e regjistruan në shkollën e mesme të këtij qyteti, të cilën e mbaroi më 1925. Pas zgjedhjen se Ahmet Zogut si president, u amnistua dhe u kthye në Krujë. Kur forcat komuniste planifikuan të mësynin drejt Veriut, forcat nacionaliste të komanduara nga Abaz Kupi, filluan mobilizimin për mbrojtje. Për katër orë, në fshatin Luz të Krujës u mblodhën 1.200 forca e, ndër ta, edhe Sulejmani, i cili u caktua komandant i kompanisë për mbrojtjen e Qafë-Shtamës. Vazhdoi luftën e rezistencës edhe pas largimit të Abaz Kupit, deri sa u vra nga forcat e Mehmet Shehut më 2 nëntor të vitit 1949 në Kullas të Ishmit, pas një rezistence 24 orëshë. Familja e tij, që qe internuar ndërkaq në Tepelenë, u lirua më 1 dhjetor 1949.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist V (Tiranë: ISKK, 2016), 304
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.