Lindi më 1885, në Dushar, Korçë. Veprimtar në shpalljen e Pavarësisë. Më 7 prill 1939 luftoi me 200 dusharakë kundër zbarkimit të ushtrisë italiane në Shqipëri. Punoi për bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me Frontit Nacionalçlirimtar, në shtëpin e tij u bënë disa mbledhje të përfaqësuesve të të dy palëve. Komandant i një çete nacionalistësh, luftoi kundër italianëve në Berat, gusht 1943, Pocestë, shtator 1943, dhe kundër gjermanëve në Prezë, shtator 1944. Me nisjen e luftës civile, frocat e tij u sulmuan nga tre batalione partizane, ku humbi 7 luftëtarë dhe 3 të plagosur. Kur e morën pushtetin komunistët, ai nuk u largua, megjithëse e kishte të qartë fatin e tij. U arrestua më 25 dhjetor 1944. Komunistët e shëtitën mbi gomar nëpër rrugët e Korçës, njerëzit e indoktrinuar e pështynë dhe e goditën me shuplaka. Më 28 korrik 1945, me vendim nr. 2, Gjykata e Korçës e dënoi me vdekje dhe konfiskimin e pasurisë, për akuzën "armik i popullit". E ekzekutuan, duke i prerë kokën.

 

 

Burimi: AISKK, F.1, V.2013, D.5/1, Fl.500-501. Uran Butka, Lufta civile në Shqipëri, 1943-1945, (Tiranë: Drier, 2006), 218-19.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.