U lind në qytetin e Pogradecit më 02.02.1897. Studioi në shkollën greke dhe në vitin 1916, për arsye ekonomike mërgoi në  Amerikë bashkë me babain e tij. Me vajtjen e tij në Amerikë u bë anëtar i shoqërisë "VATRA". Në vitin 1920 u kthye në atdhe dhe në 1921 u emërua sekretar i rekrutimit Pogradec. U emërua kryetar bashkie Pogradec më datë 06.06.1931. Me këtë detyrë u transferua në Përmet dhe Delvinë. Më datë 24.02.1937 mori në dorëzim bashkinë e Përmetit dhe e dorëzoi më datë 22.05.1940 dhe u kthye në Pogradec si kryetar bashkie në 29.05.1940, detyrë që e mbajti deri në çlirimin e vendit. Llambi Basho ka qenë si kryetar bashkie për 12 vjet rresht. Ai bashkëpunoi me intelektualët e qytetit që ishin miqtë e tij më të mirë si: Dr.Filip Papajani, Dr.Jani Basho, Miri Popa, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Spiro Mojsiu, Gjokë Basho etj.. Llambi Basho kontribuoi në shumë drejtime për Pogradecin, si: qetësinë e qytetit, pastërtinë, harmoninë mes qytetareve, mbrojtjen e ujërave nga ndotja dhe ndihmoi për liqenin dhe florën e faunën e tij. Revista "Minerva" e vitit 1933, shkruan midis të tjerash: "...duke u marrë parasysh bukuria dhe përshtatja natyrore e Pogradecit, i cili pas dhuratave të natyrës, ka dhe fatin të ketë një kryetar bashkie shumë të zot". Llambi Basho në vitin 1946 e arrestuan dhe e dënuan me 5 vjet heqje lirie. Mbas kryerjes së dënimit, u kthye në qytetin e lindjes ku u emërua si punëtor krahu. Vitet e fundit të jetës së tij punoi si lulishtar dhe i dha qytetit shumë kopshte dhe lule të bukura. Ai punoi me dinjitet deri sa plotësoi vitet për pension. Dashurinë për punën ua kultivoi dhe 3 vajzave të tij duke u thënë vazhdimisht : "Të punoni gjithmonë me ndershmëri kudo që të jeni". Vdiq më janar të vitit 1982 në moshën 85-vjeçare.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.