Lindi më 3 dhjetor të vitit 1934, në Shkodër. Vinte nga një prej familjeve më të vjetra dhe me traditë të qytetit, familja Bjanku, shumë e njohur në fushën e tregtisë që në shek XVII-XVIII. Kolë Bjanku, kaloi një fëmijëri të vështirë, pasi u rrit pa praninë e të atit, të cilin nuk e njohu asnjëherë, pasi i vdiq pak kohë para se të vinte në jetë. Për këte arsye, ai trashëgoi emrin e të atit. Formimin kryesor arsimor e mori në Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës. Në moshë fare të re, pas mbarimit të kolegjit, fillimisht punoi mësues në disa zona të thella të Kukësit (Mborje, Krumë të Hasit etj.) e më pas të Lezhës (Manati, Mali i Shengjinit etj.). Më pas, punoi si llogaritar në Fabrikën e Duhan-Cigares në Shkodër. Në të gjitha pozicionet e punës ra në sy përkushtimi, disiplina dhe aftësitë e tij profesionale. U dallua sidomos për kaligrafinë e tij. Më 6 gusht 1966, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e deklaroi fajtor për «krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor» dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie. Pavarësisht se nuk kishte konsumuar asnjë veprim të kundraligjshëm, dënimi iu dha bazuar në prova dhe dëshmitarë të rremë, në vazhdën e persekutimeve të intelektualëve të rinj, sidomos atyre që vinin nga familje të shquara qytetare. Vitet kryesore i vuajti në burgun famëkeq të Spaçit të Mirditës. Pasi u dënua shtëpia iu sekuestrua duke i marrë edhe të gjitha orenditë dhe sendet shtëpiake, të cilat nuk iu kthyen asnjëherë. I morën sendet me vlerë, librat dhe objektet e artit, ndër to një pikturë autoportret origjinal i të mirënjohurit Kol Idromeno, të cilin e kishte të afërm nga e ëma. Pas vuajtjes së dënimit, persekutimi i tij vazhdoi, duke e dërguar që të punonte në pozicione të vështira deri në daljen në pension në fillim të viteve 1990 (fermë, zooteknikë etj.). Nderroi jetë në vitin 2019 në moshën 84 vjeçare.

Burimi: AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 305.
Burimi: Nga familja
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.