Hyseni (1912-1989) ishte biri i firmëtarit të Pavarësisë, Hajredin Cakranit dhe vëllai i eksponentit të Ballit Kombëtar, Kadri Cakranit. Kadri Cakrani u arratis nga Shqipëria, por familja e tij vuajti persekutim në regjimin komunist.
Hysen Cakrani u arrestua më 13.12.1944, megjithëse nuk kishte asnjë aktivitet politik dhe në shkrimet e kohës, nuk i përmendej ndonjë krim, por vetëm fakti që ishte vëllai i Kadri Cakranit. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit: Sheh Zenel Aliu, Isuf Margaritari, Sadush Metaj, Halit Morina, Hasan Radeshi, Nijazi Brahimaj, Meto Hyka, Shaqo Qamili, Murat Ferko dhe Qemal Hysenaj, të akuzuar në bazë të neneve 14, 15, 18/gj, të ligjit mbi organizimin e gjykatave ushtarake.
Këshilli Gjyqësor Ushtarak Fier, i drejtuar nga toger Myftar Nexhipi, me pjesëmarrjen e prokurorit Nusret Osmani, me vendimin nr.25-35, datë 6.8.1945, e deklaroi fajtor si “armik i popullit” dhe e dënoi me 30 vjet burgim, konfiskim të pasurisë dhe hubjen e të drejtave qytetare e politike. U lirua nga burgu 13.12.1958.
Pas lirimit nga burgu, banoi në Berat dhe më pas Fier, duke u ndjekur vazhdimisht nga Sigurimi i Shtetit. Ndërroi jetë në azilin e pleqve në Fier, aty ku i kish vdekur edhe i vëllai para disa vjetësh.
