Nëpunës. Lindur në një familje bejlerësh, në Frashër më 1914. Kreu shkollën ushtarake Plotësuese në Tiranë. Shërbeu si oficer. Pati kundërshti me qeverinë e Zogut dhe arratiset në Jugosllavi. Në vitin 1939 ishte student në Beograd. Kthehet në atdhe më 1940. Internohet në Peqin dhe në Itali si antifashist. Caktohet në Frashër komandant i batalionit “Naim Frashëri” nga ku dezerton. Arrestohet në Tiranë në dhjetor 1944 dhe lirohet. Në vitin 1949 bashkë me vëllezërit kosovarë Shala, krijojnë organizatën “Grupi i rezistencës”. U arrestua në 8 janar 1950. Në akt-vendimin nr. 736 [pa datë] 1952, të Gjykatës Speciale të Sigurimit, kryesuar nga Rasim Dedja, kap. I-rë, akuzohet se “Ka qenë kryetar i një grupi kundërshtar me emrin ‘Grupi Rezistencës’, ka aktivizuar grupin, ka bërë platformën politike dhe organizative, ka inkuadruar reaksionarë dhe anëtarët e grupit për të punuar për rrëzimin me forcë të pushtetit popullor.” Platforma e grupit në pikën e dytë e dënonte regjimin “si antikombëtar, antipopullor, shtypës, terrorist dhe tradhëtar, i shitur për interesat e të huajve” duke u “përpjekur me çdo kusht që të merrte lidhje me Anglo-Amerikanët dhe Komitetin Kombëtar ‘Shqipërija e Lirë’." Më 9 korrik 1952, dënohet me vdekje (pushkatim) në bazë të nenit 2 e 3 pika 1, 2, 8, 14 si dhe nenit 8 të ligjës nr. 372. M. i P. të Brendëshme Mehmet Shehu, dt. 21 gusht, me shkresë n. 148/1 urdhëron ekzekutimin me pushkatim në “vëndin e caktuar si gjithmonë” me dt. 25 gusht 1952 ora 24. S’pranon t’i bëjë lutje Presidiumit, për t’iu falur jeta.

Burimi: M. P. Mbrëndshme, Gjyk. Speciale e Sgurimit, Akt –Vendim nr. 737 fl. 1-2; M. P. Mbrëndshme, Drejtoria e Sigurimit Shtetit, urdhër nr. 148/1 “A” Res. Pers., fl. 1; Dega P. Mbrendëshme, Tiranë, 25 gusht 1952, Proces – Verbal ekzekutimi, nr. 52, fl. 1

Dokumente

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.