Gjergj Simoni u lind në 8 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës në një familje me origjinë qytetare, ku të parët e tyre janë vendosur aty tek “Arra e Madhe” që prej 400 vjetësh. Gjyshi i Gjergjit, Moni Simon, ka qenë njëri ndër tregtarët më të mëdhenj të pazarit të Shkodrës (Bezistanit) dhe pasurinë e tij ai e kishte vënë nga tregtia që bënte asokohe me Italinë. Po kështu edhe babai i Gjergjit, Kolë Simoni, trashëgoi zanatin e të atit duke u marrë me tregti, por jo pasurinë që kishtë pasur ai, pasi atyre u falimentoi tregtia dhe familja ra në varfëri të plotë.

Kështu në atë gjendje të mjerueshme ekonomike, Kol Simoni dhe bashkëshortja e tij, Gjyste Hugashi, i lindën dhe i rritën tre fëmijët e tyre, Zefin, Gjergjin dhe vajzën e vetme, Çiljetën.

Lidhur me këtë, Gjergj Simoni kujtonte: “Duke kene se të dy prindrit tanë ishin besimtarë të devotshëm të fesë sonë katolike, si vëllaun tem, Zefin, ashtu dhe mue, na patën çue për me mësue në Kolegjin e Fretënve, ku ne na pat marrë nën kujdestari, Dom Mark Harapi, vëllau i Padër Anton Harapit.

Por pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si unë ashtu dhe vëllau Zefi, u detyruem me u fut në punë të ndryshme për me mbajtë familjen e varfër dhe nuk mundëm që të vazhdojshim rregullisht studimet Teologjike, pasi ajo gja k’je ndalue prej pushtetit komunist.

Por t’uj kenë të brymosun e të devotshëm për fenë katolike, si im vella, Zefi, ashtu dhe unë, morëm fshehtas mësimet fetare nga Dom Mark Harapi e Padër Aleks Baqli.

Por vetëm im vëlla, Zefi, në vitin 1961 mundi me u shugurue mshehtas si meshtar nga Arqipeshkvia e Shkodrës, por pa e ushtrue dot atë gja legalisht. Kështu që ai u detyrue për me mbarue edhe Institutin e Lartë për Gjuhë-Letërsi dhe disa kohë pat punue edhe si mësues në gjimnazet e qytetit të Shkodrës.

Ndërsa unë për vite me rradhë deri ditën që kjeshë arrestue, pata punue në punë të ndryshme si punëtor dhe në Hidrocentralin e Vaut të Dejës”.

Gjatë represionit mbi kishën në vitet 1946-1950, me lejën e arqipeshkvit ai fshehu në oborrin e shtëpisë objekte të arqipeshkvisë për t'i shpëtuar nga shkatërrimi komunist, por një ditë ato sende u gjeten.

U arrestua më 27 shtator 1976, pesë javë pas të vëllait. Vuajti në disa burgje dhe kampe si Burgu i Ballshit, kamp-burgu i Spaçit dhe Qafë-Barit.

Pas daljes nga burgu dhe rinjohjes së lirisë së fesë në Shqipëri, më 20 prill 1991, nisi angazhimin e meshtarit. Shërbeu për 17 vjet në famullinë e Dajçit.

U nda nga jeta më 28 janar 2022.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.