Bariu shpirtëror i Komanit e më vonë i katundit Qelëz dom Engjëll Kovaçi (1920 - 1958) dënohet me vdekje në moshën 38 vjeçare me vendim N° 12 dt 10/11/58 dhe pushkatohet pas tre ditësh për një krim që kurrë nuk e kishte kryer. Ishte viti 1957 kur Dom Engjëll Kovaçi, pas shërbimit disavjeçar në famullinë e Komanit, u transferua në famullinë e fshatit Qelëz. Ato fillime të shërbimit të tij në atë fshat ndodhi një vrasje. I vrari quhej Mark dhe ishte punonjës i sigurimit të shtetit në atë zonë. Viktima u gjet i vrarë pikërisht në vendin ku edhe ai kishte kryer një krim, kohë më parë. Sigurimi i shtetit, akuzoi Dom Engjëll Kovaçin për këtë vrasje. Edhe pse prifti ishte në udhëtim, qysh një ditë më parë në drejtim të Iballës, një fshat tjetër i Pukës, Sigurimi i Shtetit nuk e pranoi si provë. Kishte dëshmitarë që e provonin praninë e priftit në Iballë në atë kohë që kishte ndodhur vrasja në Qelez.  Sipas dëshmive të sotme të fshatarëve qelzorë, pikërisht në ditën e vrasjes së operativit, ishin parë disa sigurimsa në afërsi të fshatit Qelëz, atje ku ndodhi vrasja. Bashkë me ta ishte parë edhe vetë kryetari i degës së punëve të brendshme të Pukës, Medin Bilbili.

Në kulmin e torturave çnjerzore, kur dom Engjëll Kovaçi po jepte shpirt, hetuesit të kryesuar nga i tmerrshmi, Ilmi Saiti, i morën një firmë priftit thuajse të vdekur, për të vërtetuar aktakuzën e tyre të sajuar. Kjo histori e sajuar dhe firma e priftit e vendosur dhunshëm në akuzën e rreme, do të përdorej më pas si propagandë nga komunistët për të denigruar klerin katolik në mbarë Shkodrën. Kur po bëhej gjyqi në Shkodër, e motra e dom Engjëllit, Angje Kovaçi, nuk e duroi skenarin e urryer të sigurimit dhe reagoi në sallën e gjyqit duke kundërsntuar aktakuzën, brenda së cilës kishte gjithfarëlloj sajesash që tentonin, implikimin e priftit, të pandodhura kurrë në atë krahinë. Më sa fuqi kishte uluriti në mes të sallës së gjyqit duke tentuar ta bindte popullin e mbledhur atje për të parë skenarin komunist, se po mashtrohej populli me qëllim për të denigruar klerin katolik. E motra e dom Engjell Kovaçit, ia doli ta ndërpresë atë gjyq por nuk mundi të ndalë dorën gjakatare të diktaturës e cila e dënoi me vdekje dom Engjëll Kovaçin, i cili u dënua me pushkatim. Vetë Angje Kovaçi, e motra e priftit, u dënua me 25 vjet burg.

Një lexues i shkruan kujto.al përmbajtjen e një artikulli të revistës katolike "Rrezja e Dritës", ku shkruhej se një 80-vjeçar i ishte rrëfyer priftit se vrasjen e kishte kryer operativi i zonës dhe e kishte detyruar atë dhe një shok ta çonin trupin e të vrarit, pranë kishës, për të akuzuar dom Kovaçin. Angje Kovaçi në një intervistë të saj, thotë se viktima në grindje me dy vëllezër, kishte plagosur të voglin dhe më pas ishte vrarë nga vëllai i tij i madh, por as ajo, as Engjëll Kovaçi nuk kishin të bënin fare me krimin.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.