Klerik katolik. Lindi në Shkodër me 7 shkurt 1886. Kishte kryer studimet për teologji e farmaci. Njeri me kulturë të gjerë, njohës i anglishtes, italishtes, latinishtes, spanjishtes e serbishtes, nuk u mjaftua me detyrën e meshtarit, por qysh prej 8 qershorit 1942, kur ishte emëruar epror në Kishën Françeskane të Pejës, e deri sa e prangosen, nuk reshti të bashkëpunonte me luftëtarët e lirisë e t'u gjendej atyre. Ai është një ndër organizatorët, sadoqë pa pjesëmarrjen e tij fizike, të Kuvendit të Dobërdolit dhe i Organizatës së NDSH-së. Si gjithmonë, kishte prej atyre që përpiqeshin të futnin përçarjen fetare, sidomos duke qenë katolikët pakicë. Atyre ai u përgjigjej me pak fjalë e prerë: "Na nuk jemi romakatolikë, por katolikë, e para së gjithash jemi shqiptarë". Ndërsa në një letër që iu gjet Marie Shllakut, ai i shkruante: "Asht i lumë ai që des për Atdhe". Në gjyqin e Prizrenit u akuzua për verimtarinë e tij atdhetare, por dhe me akuza të rreme. U  mbrojt me një gojëtari të rrallë. Dënimin me vdekje e priti me këto fjalë: "Vdekja si kjo, vdekja për Shqiptarizëm, asht kapak florini". Si farmacist, ai ishte në prag të zbulimit të ilaçit për shkrirjen e gurëve të veshkave. U kërkoi organeve  të larta t'i jepnin një vit kohë të përfundonte kërkimet, por nuk iu miratua.

Burimi: Daniel Gazelli "Natë mizore- Në kujtim të 4 martirëve: Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini"
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.