Veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare, një nga anëtarët kryesorë të komisionit për përgatitjen e Kuvendit të Pavarësisë së Shqipërisë, drejtor i thesarit në qeverinë e parë shqiptare, një nga njerëzit më të besuar të Ismail Qemalit dhe iniciator dhe organizator i Kongresit të Lushnjës.

Lindi në vitin 1871, në Cakran të Mallakastrës, në një familje aristokrate atdhetare. Shkollën fillore dhe atë qytetëse (ruzhdie) i kreu në Berat. Shkollën e mesme për Ekonomi Agrare e përfundoi në Kajro, ndërsa shkollën e lartë juridike në Stamboll, më vonë, në Sorbonë (Paris).

Në gusht 1912 është një nga organizatorët e mbledhjes së Fierit. Në qeverinë e princ Vidit luftoi me forcat e veta luftarake kundër kryengritjes së Haxhi Qamilit, në Durrës, Myzeqe, Ballsh dhe Berat. Është iniciator dhe organizator i Kongresit të Lushnjës, ku propozoi dhe vetë kabinetin. Udhëhoqi forcat e Mallakastrës në Luftën e Vlorës dhe ishte deputet i grupit indipendent deri në fund të vitit 1923. Pas grushtit të shtetit, që solli në fuqi qeverinë e Fan Nolit, e kritikoi atë me anë të një letre. Megjithëse me pikëpamje republikane, nuk përkrahu republikën e Ahmet Zogut. Më 1935 është një nga krerët mbështetës të Kryengritjes së Fierit. Për këtë arsye, Mbreti Zog e dënoi me vdekje, por falë reputacionit të madh, përfundimisht u dënua me burg.

Me pushtimin italian të Shqipërisë, në krye të një delegacioni të parisë së Mallakastrës, u paraqiti forcave italiane kërkesën për të mos kryer operacione ushtarake në Mallakastër. Për veprimtarinë e tij atdhetare e antifashiste, italianët e arrestuan dhe e burgosën. U lirua vetëm pas kapitullimit të Italisë. U caktua në një komision ekonomik shtetëror, ku pas dy muajsh, për shkak të moshës së thyer dhe sëmundjes, dha dorëheqjen. Më 1945, pas një gjyqi farsë, u ekzekutua me urdhër të vetë Mehmet Shehut.

Sipas Kastriot Bimos (Bektash Bej Cakrani, ministri i thesarit që ngriti shtetin, i cili e vrau, gazeta Telegraf, 24 korrik 2019), përballë akuzës, tha: “E quaj për detyrë të sqaroj para jush dhe opinionit publik akuzat që më bën zotni prokuror, akuza të cilat, po të ishin të vërteta, do të më ngarkonin me tradhti të lartë karshi popullit e atdheut, kurse e vërteta qëndron ndryshe, pasi unë qysh në moshën më të njomë e gjer më sot në moshën e thinjave të bardha, çdo gjë të shtrenjtë e të shenjtë të trupit e të mendjes sime ia kam kushtuar së mirës së përbashkët duke vepruar sipas parimit kryesor: “Çdo gjë për Atdhe, Atdheu mbi të gjitha!”

 

Burimi: Asqeri Llanaj, Bektash Bej Cakrani: Historia flet vetë, Vlorë, 2010.
Burimi: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist I a-ç, ISKK
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.