Kamp pune ku sipas dëshmive kanë vdekur shumë të dënuar prej lodhjes, kequshqyerjes dhe dhunës.

Dëshmia/Estref Musaj, ish-i dënuar: "Prej aty na çuan në Varibop. Atje ka qenë tmerri, në Varibop, atje nuk kishte ditë mos të vdisinin dy, tre, katër, në ditë.

...Ne në mëngjes, se ishte dimër, na futnin në kanal dhe do vinim nëpër kanal atje ku punonim. Atje ku punonim kishte dalë Vjosa dhe ishte me zhavorr. Plus zhavorrit, kishte edhe rrënjë shelgu… T'i bije me kazëm, s'bënte, s'të linte uji. Edhe me bel edhe me gjëra të tjera. Ishte një Adem Skëndo operativi atje. Kur vinim që këtej ne, nëpër ujë, te kampi, ky Ademi vinte aty edhe u thoshte atyre: kush e ka bërë normën, kush s’e ka bërë. Në të vërtetë, nuk e kishte bërë asnjë, se s’bëhej. Edhe brigadieri atëherë do nxirrte 5 a 6, 10 a 15, i nxirrte këta. Mirëpo ne ishim 6 brigada, në këmbë aty, dy orë a tri orë a, bënte qejfin e vet ai. Si përfundim, i merrte këta, ai kampi ishte pak si dishezë kështu. Këtu në fund drejtohej. Edhe ishte i mbushur me ujë. I merrte këta, edhe i fuste në atë kanal, në atë ujë, tak e tak, se s’ kishin bërë normën. Ne të tjerët atëherë, natë bëhej, na jepnin atë kafshatë bukë, atë kafshatë gjellë, hynim brenda. Hynim brenda ne, na numëronte në ora nëntë. “Oo ka dalë gabim”! Na nxirrnin dhe një herë përsëri. Ai i bënte të gjitha, aq shpirtkeq ishte, Adem Skëndoja. Si përfundim ia vunë atëherë, dy, tre, katër, në ditë. I linin ata të vdekur, do varroseshin, do futeshin në dhe na merrnin ne. Vinim ne nga puna, merrte cilin të kapte."

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.