Kampi i Maliqit | |
---|---|
Informacione | |
Emri: | Kampi i Maliqit |
Vendndodhja: | Maliq, Korçë |
Viti i Ndërtimit: | 1946 |
Viti i Mbylljes: | 1951 |
Tharja e kënetës së Maliqit ishte një synim i hershëm i shtetit shqiptar për të përfituar tokë buke, kishte nisur qysh pas lufte. Qeveritë e mbretërimit të A. Zogut kishin dështuar në tharjen e kënetës me gjithë masat që kishte marrë. Kjo pasi nga fshatarët e zonës kishte ardhur një lloj “sabotimi”. Këneta shfrytëzohej për lëndë të parë e peshkim prej tyre. Pasi dështimi vazhdoi në kohën e luftës, ishte regjimi komunist që kërkoi të dilte si regjimi që me shpejtësi “thante këneta”. Në vitet 1945-1946 nisi puna me mjete primitive për të hapur kanalet kulluese. Në krye të punimeve ishin inxhinierët më të njohur që kishte vendi. Natyrisht do duheshin vite me të tilla mjete për të përfunduar tharjen e kënetës. Regjimi kërkonte të promovohej si rendi që bënte punime të mëdha. Liqeni i Maliqit ishte një sipërfaqe tejet e madhe, e cila nuk mund të thahej për disa muaj. Në fund të prillit 1945 ishin marrë masat për të filluar tharjen e kënetës. Më 5 maj 1946 me anë të një ceremonie filluan punimet për tharjen e kënetës së Maliqit. Koçi Xoxe ka mbajtur fjalën e rastit duke thënë se punimet për tharjen e kënetës do të mbaronin brenda afatit.
Premtimi i kotë ishte dhënë se përurimi do të bëhej më 28 nëntor 1946. Mosplotësimi në kohë i tharjes së kënetës u shfrytëzua si kombinacion i rekomanduar nga jugosllavët për të sjellë procesin e nëntorit 1946, me të cilin u pushkatuan me skena makabre mesjetare teknikët më të mirë të asaj kohe në Shqipëri. Ky proces ishte përdorur si sebep për largimin e misionit amerikan nga Shqipëria. Me mbarimin e vitit 1946, qeveria komuniste duhet të provonte se e thante kënetën edhe pa specialistët e pushkatuar, të cilët ishin “sabotatorë”. Pak muaj më vonë, në pranverë 1947 u hap kampi i Orman-Pojanit (Vloçisht). Qendra e kampit ishte në Vloçisht, por front pune kishte edhe në Nishavec. Në këtë mënyrë kemi nisjen e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, me të burgosur politikë.
Mars-nëntor 1948
Në mars 1948 qeveria komuniste grumbulloi mbi 2.500 të burgosur nga burgje të ndryshme të vendit. Komandanti i kampit Tasi Marko përbënte një lloj garancie për mbarëvajtjen e punimeve, pasi ishte vëllai i Rita Markos. Punimet në Maliq ishin me disa faza, të kushtëzuara nga shirat stinorë. Ish-i dënuari Beqir Ajazi shkruan:
“Enver Hoxha kishte përgatitur prej vitesh një sasi të madhe materialesh, kish ngritur një kamp shumë të madh pune në fshatin Vloçisht të Fushës së Korçës, i cili mund të zinte deri 3.000 veta brenda. Kështu që, në pranverë të vitit 1948, ai kishte mbledhur gati të gjithë të burgosurit politikë të tërë burgjeve të vendit dhe i kishte grumbulluar atje, me qëllim që të thante kënetën e Maliqit dhe të bonifikonte kështu fushën moçalore të Korçës. Për t’ia hyrë kësaj pune, Enveri kish leverdi të madhe, sepse, në vend të mekanizmave të sofistikuara të kohës, që kushtojnë shumë dhe që harxhojnë shumë karburante, ai do të përdorte të burgosurit politikë, ashtu siç kishte bërë dhe modeli i tij Stalini, në kanalin Vollga-Don, paçka se do të linin kockat aty gjysma e tyre. Të ndërtoje një vepër të tillë, duke u dhënë punëtorëve nga 800 gramë bukë të zezë dhe nga një lugë supë, kjo ishte një nga mrekullitë e sistemit socialist, që provonte egërsinë e tij mbi sistemin e vjetër dhe të kalbur kapitalist, ku shfrytëzohej njeriu nga njeriu!
Prandaj që në fillim të majit, qeveria kishte grumbulluar në kamp të Vloçishtit mbi 2.500 veta nga armiqtë e popullit dhe kriminelët e luftës”.
Është mundur të dokumentohet nga një raport i datës 1.7.1948 kur kampi ishte në Vloçisht, i nënshkruar nga nëndrejtori Jorgji Sako. “Urrejtja karshi të burgosurve ka qenë në lartësinë e duhur. Nuk është konstatuar as afrimi më i vogël”, - shkruante nëndrejtori teksa theksonte se nuk kishin lënë asnjëherë pa punë të burgosurit.
Më 20.10.1948, një dokument i sekretarit të organizatës bazë të kampit bënte të ditur se vendndodhja e kampit është në Pojan.
Makasen Bungo ishte një tjetër i ri, i cili ka përshkruar në mënyrë letrare karakteristikat dhe përmasat e kampit të kënetës së Maliqit. Për brezat e sotëm ky përshkrim duket i pabesueshëm.
Prill-nëntor 1949
Në pranverën e vitit 1949 rifilluan punimet për hapjen e kanalit që do kalonte ujin e kënetës. Patër Zef Pllumin, njëri prej të dënuarve që ka lënë kujtime, e kanë çuar në këtë kënetë. Përkthyesi i famshëm Pashko Gjeçi, nëpunësi i lartë Nedin Kokona etj., punonin aty. Sektori i punës ishte 70-80 cm nën ujë, plot ushunjëza e bretkosa, kallami i kënetës shumë i fortë. Karrocat e drurit ishin të rënda para se të ngarkoheshin, e jo kur bëheshin me peshë, që nuk lëviznin vendit. Prej kanalit të madh i kanë çuar në Dunavec, rreth 20-25 km.
Po ashtu, Sami Repishti ishte një ndër të burgosurit e burgut të Shkodrës. Sipas kujtimeve të tij, të burgosurit ishin vendosur në baraka të gjata dykatëshe, të ngjashme si stalla bagëtish. Çatia ishte prej teneqeje e muret me kallama të kënetës. Ishte ftohtë në dimër e vapë e tmerrshme në verë. Mungonin ekskavatorët, puna bëhej nga njeriu i zhytur në ujë të ftohtë, mes atij pisllëku të trashëguar ku ushunjëzat ishin përpara një gjahu të pafund njerëzor. Një roje i kampit i kishte qorruar një sy me cigare një të dënuari me origjinë armene. Repishti i përshkruan të burgosurit “kufoma lëvizëse”, “leckamanë të mbuluar me baltë”, që po transportoheshin të lidhur me zinxhirë e litarë.
Maj-nëntor 1950
Pas një pushimi, punimet rifilluan përsëri më 15 maj 1950 me 550 persona dhe në fund të qershorit edhe 350 të tjerë. Punohej deri në brez në ujë, mes vështirësisë së kallameve e ushunjëzave. Transporti i baltës ishte shumë i vështirë. Punohej edhe për kanale dytësore që derdheshin mbi kanalin kryesor. Më 28.4.1950, Tasi Marko, i besuari i udhëheqjes emërohet sërish komandant i kampit. Gjatë gjithë vitit 1950 Tasi ka qenë komandant kampesh në Maliq dhe në Peqin.
“Në punë për çdo ditë kanë marrë pjesë 1.068 të burgosur. Rendimenti i tyre ka qenë i mirë. Në një konferencë u vendos që ushqimet që u vijnë të burgosurve nga shtresa e lartë, t’u merreshin e t’u jepeshin të gjithëve. Kjo edhe për arsye se ata mbajnë qëndrim të keq duke mos dhënë rendiment në punë”, - thuhej në raportin e datës 13.8.1948.
Për vitin 1950 ishin realizuar 110.000 ditë pune, duke bërë më shumë se 15 milionë lekë. Për këtë qëllim kishin punuar 900 të burgosur.
Të dënuarit që kishin punuar në hekurudhën Peqin-Kavajë, Urën e Bonës, kishin përfunduar në Orman-Pojan (Vloçisht) të Korçës për të vazhduar tharjen e kënetës së Maliqit. Mbi bazën e këtij kampi u krijua kampi nr. 1 (reparti 301 më vonë) në Potdorie. Më 1951 mbaruan punimet e Maliqit.