Gjyqi special ndaj 60 ish-funksionarëve u zhvillua në Tiranë më 1 mars deri më 13 prill 1945. Trupa gjyqësore e konsideronte veten si pjesë të qeverisë dhe mbi emërtesën e saj shënohej fjalia “Qeveria demokratike e Shqipërisë”. Historiku i formimit të gjyqit nisi në kongresin e Përmetit.
Me vendimin nr.8, datë 28.5.1944, të Këshillit Nacionalçlirimtar, pranë Kryesisë së saj (KANÇ-it) formohej një komision për “zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës”. Për këtë arsye, sipas “Buletinit të Luftës Nacionalçlirimtare”, datë 16.12.1944 u formua Komisioni qendror për zbulimin e kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit” kryetar i të cilit ishte ministër i Drejtësisë Manol Konomi.
Gjyqi special u krijua me vendimin nr.26, datë 15.12.1944 të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar me synim dënimin e “kriminelëve të luftës”, shqiptarë apo të huaj. Kriteri i përzgjedhjes së “kriminelëve të luftës” ishte sipas rregullores mbi gjyqet ushtarake (duke e kuptuar këtë gafë, më pas e quajtën “ligji” nr.41, datë 14.1.1945, “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”). Me vendimin nr.2, datë 26.1.1945 të Këshillit të Ministrave, u caktuan anëtarët e gjyqi special.
Gjyqi special i dha fund punimeve të tij duke shpallur vendimin më 13 prill 1945.
Gjykata i akuzonte në bazë të neneve 15, 16 e 18 të ligjit nr.41, datë 23.1.1945 “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake” (“ligj” i dalë pas arrestimit të të pandehurve) si “kriminelë lufte” ose “armiq të popullit”. Në vendim, veprimtaria e 60 të pandehurve cilësohej “antikombëtare, antipopullore”, në përputhje me qëllimet e “klikave reaksionare”, para dhe pas 7 prillit 1939. Gjykata akuzonte se të pandehurit kishte bërë “vrasje, varje, internime, masakrime dhe plaçkitje”, pavarësisht se nuk kishte mundur të sillte asnjë provë rreth tyre.
Për këtë arsye u vendos:
I-Dënimin me vdekje, pushkatim të “kriminelëve të luftës:
10-Reshit Mërlika
12-Tahsim Bishqemi
13-Dik Cami
15-Daut Çarçani
17-Aqif Përmeti
18-Qemal Vrioni
19-Tefik Mborja
Por nisur nga fakti se Qemal Vrioni ishte dorëzuar brenda afatit, “përfitonte lehtësime” duke u dënuar me burg të përjetshëm. Po ashtu Tefik Mborja pas largimit nga funksioni qeveritar ishte tërhequr e “kishte simpatizuar lëvizjen”, duke sjellë si pasojë dënimin e tij “lehtësues” me 30 vjet burgim.
II-Dënoheshin me burgim të përjetshëm e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Kostaq Kotta, Xhavit Leskoviku dhe Koço Tasi dhe “kriminelët e luftës Ibrahim Biçakçiu, Xhevat Korça, Refat Begolli, Bajram Pustina, Shuk Gurakuqi.
III-Dënoheshin 30 vjet burgim e punë të detyruar “kriminelët e luftës ose armiqtë e popullit”: Sokrat Dodbiba, Mihal Zallari, Et’hem Cara, Ndoc Naraçi, Anton Kosmaçi, Lazër Radi, Sami Koka, Sulejman Vuçiterni.
IV-Dënoheshin 20 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Mihal Sherko, Fiqri Llagami, Akile Tasi.
V-Dënoheshin 15 vjet burgim e punë të detyruar: “Armiqtë e popullit ose kriminelë lufte” Gjergj Bubani, Rrok Kolaj, Bilal Nivica, Ismet Kryeziu, Jakov Milaj.
VI-Dënoheshin 10 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Rrok Gera, Nedin Kokona, Rifat Tartari, Ih’san Libohova, Vangjel Goxhomani.
VII-Dënoheshin 5 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Emin Toro, Zef Benusi, Mahmut Golemi, Zija Bejleri, Manush Peshkëpia.
VIII-Dënoheshin 3 vjet burgim e punë të detyruar “armiqtë e popullit”: Zenel Prodani, Sami Visoka.
IX-“Armiku i popullit” Zef Shiroka dënohej me 2 vjet burgim, por meqë ishte tërhequr nga politika dhe meqë ishte sjellë mirë kur ishte ministër, dënimi i pezullohej në 5 vjet dënim me kusht, brenda së cilës duhej të mbante qëndrim të mirë politik.
X-Për “armiqtë e popullit” Dedë Jakova, Abedin Xhiku, jepej dënimi me 1 vit burg, i cili pezullohej në 5 vjet dënim me kusht.
Për të pandehurit Abdurrahman Telqiu dhe Luigj Filaj, për mungesë provash u vendos lirimi i tyre e deklarimi i pafajësisë.
Për të gjithë të pandehurit, kërkohej heqja e të drejtave civile e politike.
Brenda së njëjtës ditë, 17 të ekzekutuarit me vdekje i kanë drejtuar Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, kërkesën për faljen e jetës. Kërkesa është e përbashkët, e shkruar me pak rreshta. Ajo nuk ka asnjë shënim. Për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje nuk është mbajtur procesverbal.
Procesverbali i faljes së jetës
Në mbledhjen nr.4 të datës 13.4.1945 të Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar, u diskutua mbi faljen e jetës së të dënuarve nga gjyqi special. U zhvillua ky diskutim:
-Bedri Spahiu kërkon që të mos merret parasysh lutja e tyre, por të dënohen ashtu si ka vendosur gjyqi.
-Prof.Gjergj Kokoshi thotë se vendimet janë me vend.
-Kryetari (Omer Nishani) thotë se refuzimin tonë ta justifikojmë me arsyen se dënimi është dhënë prej një gjyqi, vendimet e të cilit janë të prera.
-Prof.Sejfulla Malëshova thotë se gjyqi ushtarak vendimet ia dërgon Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe ajo ia dërgon Kryesisë.
Kjo procedurë duhet të ndiqet edhe në gjyqin special.
-Manol Konomi shpjegon se kurdoherë të dënuarit kanë të drejtë të luten. “Grace” nuk është rekurs.
-Spiro Moisiu thotë se po të mos jepet përgjigje, kuptohet se aprovohet vendimi i gjyqit.
-Prof.Gjergj Kokoshi insiston në faktin se duhet dhënë një përgjigje.
Me unanimitet vendet që të refuzohet lutja dhe përgjigja t’i dërgohet prokurorisë së gjyqit special.
Mbledhja mbyllet në orën 20.00