Zef Prela | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Zef Prela |
Atësia: | Kol |
Vendlindja: | Gimaj |
Vendbanimi: | Shkodër |
Datëlindja: | 6/5/1922 |
Datë Vdekja: | 11/3/1948 |
Arsyeja e Vdekjes: | Ekzekutim me pushkatim |
Ngjarja i përfshirë: | Kryengritja e Postribës, gjyqi i parë |
Ekzekutimi | |
Lloji Ekzekutimit: | Ekzekutim me pushkatim |
Akuza: | "Faje penale kundër popullit dhe shtetit" |
Gjykata: | Gjykata Ushtarake Shkodër |
Vendimi: | Nr.450 |
Data Ekzekutimit: | 11/03/1948 |
Zefi, fëmija i parë i Kol Prelës u lind në fshatin Gimaj në vitin 1922. Mbas disa vitesh familja Prela u vendos në qytetin e Shkodrës ku Zefi u regjistrua dhe filloi mësimet si konviktor në Konviktin “Malet Tona” të gjimnazit klasik të atij qyteti që njihej si një nga më të famshmit e asaj kohe. Në atë gjimnaz ku mësonin shumë prej nxënësve që më pas do të bëheshin eksponentët kryesorë të luftës antifashiste nacionalçlirimtare si Qemal Draçini, Tom Kola, Hajdar Dushi, Qemal Stafa, Emin Duraku, Fadil Hoxha etj., Zef Prela u lidh me lëvizjen antifashiste nëpërmjet Prof. Kol Prelës që do të bëhej më pas një nga njerëzit më të afërt të tij.
Aty nga viti 1943, pasi Zefi mbaroi maturën, i nxitur dhe nga Prof. Kol Prela ai u bashkua me rrethet nacionaliste të Qarkut të Shkodrës që formuan dhe çetën e tyre e cila udhëhiqej prej Ndue Palit dhe kishte mbështetjen e disa eksponentëve të klerit katolik si Dom Zef Shestani, Padër Gjon Shllaku etj. Menjëherë pas mbarimit të luftës, forcat e reparteve të ndjekjes ose siç quheshin ndryshe Brigadat e Mbrojtjes së Popullit, e arrestuan Zef Prelën me akuzën se kishte marrë pjesë si efektiv i Batalionit të Major Dodë Nikollës me forcat e xhandarmërisë duke luftuar kundër partizanëve në Shqipërinë e Jugut. Si rezultat i kësaj akuze, Zefi u dënua me 5 vjet burg dhe u dërgua në burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës. Me rastin e njëvjetorit të çlirimit, duke përfituar nga amnistia që u dha për një pjesë të dënuarish politikë, Zefi mundi që të lirohet nga burgu dhe të kthehet në shtëpinë e tij në Shkodër.
Pas lirimit nga burgu, Sigurimi i Shtetit i bëri thirrje Zefit që ai të bashkëpunonte me ato forca, por ai nuk pranoi. “Sa të jem gjallë, kurrë nuk do të bashkpunoj me forcat tuaja dhe komunistët, pasi ju jeni kundër Shqipërisë”.
Arrestimi i deputetit Kol Prela aty nga fillimi i vitit 1946, i cili ishte zgjedhur në parlamentin shqiptar nga zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, ishte një sinjal i qartë dhe për Zefin i cili ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij, që kishte zbatuar porositë e deputetit për formimin e grupeve antikomuniste. Nisur nga kjo gjë, duke parë rrezikun që i kanosej, Zefi la qytetin dhe u arratis duke qëndruar në malet e Dukagjinit ku asokohe në shpellat e asaj zone qëndronin rreth katërqind burra të armatosur që ishin kundër pushtetit komunist. Mbas dështimit të Lëvizjes së Postribës, për forcat e rezisencës antikomuniste pasuan dhe disa disfata të tjera që çuan në kapjen apo ekzekutimin e disa prej krerëve kryesorë të asaj lëvizje.
Në një nga ekspeditat e forcave partizane të ndjekjes kundër pjesëtarëve të forcave të rezistencës antikomuniste në zonat e malësisë së Dukagjinit, si rezultat i një tradhtie u gjet i rrethuar prej tyre në shpellën e Gimajve dhe Zef Prela së bashku me disa të arratisur të tjerë. Mbas një përpjekje të gjatë me armë ndërmjet të ngujuarve në shpellë dhe forcave partizane të reparteve të ndjekjes, u vra Dush Myftari shoku më i afërt i Zefit. Më pas u plagos dhe vetë Zefi, e forcat e ndjekjes arritën ta kapin të gjallë. Mbasi e mjekuan për disa kohë në spitalin e Shkodrës, atë e dërguan në qelitë e hetuesisë të cilat asokohe ishin mbushur plot me të burgosur politikë kundërshtarë të regjimit komunist, të cilët ishin arrestuar të akuzuar si pjesëtarë të Lëvizjes së Postribës, organizatës “Bashkimi Shqiptar” etj., ku pjesa më e madhe përbëhej prej klerikëve katolikë.
Gjatë asaj kohe që Zefi qëndroi në hetuesi, ndaj tij u bënë tortura të vazhdueshme duke i thyer gjymtyrët dhe duke i fikur cigaren në sy.
Me 29 shkurt të vitit 1948, Zef Prela doli para trupit gjykues ushtarak të Shkodrës që kryesohej nga kapiten P. Alizoti, togerët B. Idrizi, A. Koroveshi dhe Prokuror Z. Shehu. Ai gjyq e dënoi Zefin me vdekje dhe humbjen e të drejtës politike dhe civile si dhe me konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme, duke iu ngarkuar dhe pagimi prej 162 lekësh i shpenzimeve të gjyqit. Pas pak ditësh nga dhënia e atij vendimi natën e 11 marsit të vitit 1948 në burgun e fretënve ku Zefi mbahej i izoluar, qëndruan dy makina të mbuluara ku policët hipën 16 të arrestuar që ishin dënuar me vdekje për t'i dërguar drejt ekzekutimit. Bashkë me Zef Prelën në ato dy makina të rrethuara me një numër të madh policësh, zunë vend dhe Imzot Frano Gjini , Imzot Nikoll Deda, At Mati Prendushi, At Çiprian Nika, Caf Dragusha, Cin Serreqi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Abdulla Kazazi, Pjetër Pali, Dulo Kali, Xhelal Haradolli, Gaspër Simon Gaspëri, Murat Hysen Haxhija dhe Bilbil Hajmi, të cilët ish dënuar me vdekje nën akuza të ndryshme si agjentë të anglo-amerikanëve, Vatikanit, pjesëmarrës në Lëvizjen e Postribës, futjen e armëve në Elterin e Shnandout etj.
Edhe pse ishte dënuar me vdekje, atë vazhdonin ta torturonin. Një natë përpara se ta ekzekutonin, ai i tha shokut të qelisë: A thue e kam fatin me u pushkatue dhe unë me ato burra që do të vriten nesër? Dhe lutja e tij u bë realitet. Të nesërmen me 11 mars të vitit 1948, ai u pushkatua së bashku me 15 burra që ishin të dënuar me vdekje dhe mbaheshin të izoluar aty në burgun e fretënve.