Pas diplomimit shkëlqyeshëm për Inxhienieri në Shën Petërburg, në vitin 1954, u kthye në Shqipëri, ku pas një viti iu bashkua edhe bashkëshortja e re ruse. Irina Sallaku vendosi të qëndrojë pranë bashkëshortit dhe familjes së saj, kur u prishën marrëdhëniet me Rusinë dhe shumë gra u larguan në vendin e tyre. Gjatë këtyre viteve, Xhaviti punonte si inxhinier në Tiranë, ku ishte dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv, më pas në Berat ku u dërgua për ndërtimin e kombinatit të tekstileve dhe më pas në Ballsh, ku drejtonte punimet e ndërtimit të uzinës së rafinerisë së naftës. Në vitin 1965 atij i arrestojnë dy vëllezër, megjithatë për 10 vjet Xhaviti u lejua të punojë deri sa në vitin 1975, kur punimet e rafinerisë së naftës ishin drejt fundit, ai transferohet në Fier. Atje e arrestojnë më 27 prill 1976 dhe pas një viti, më 25 mars 1977, në një gjyq me dyer të mbylluara, e dënojnë me pushkatim. Familja nuk e pa më kurrë që prej kohës që ai u arrestua dhe ende sot nuk e dinë ku janë eshtrat e tij.

Në vitin 1978, bashkëshortja dhe dy vajzat e tij binjake, të cilat u përjashtuan nga universiteti pas arrestimit të babait, u internuan në Sheq-Marinas të Fierit ku punuan në punë të rënda në bujqësi deri në vitin 1988. Për pesë vjet, ato ishin të detyruara të paraqiteshin në apel dy herë në ditë. Në vitin 1988, kur disa grave të huaja, iu lejua kthimi në atdhe, Irina me vajzat u kthyen në Rusi ku jetuan për gati 20 vjet, por tani janë kthyer me shpresë për të gjetur eshtrat e të atit dhe për të pasur një varr ku të vendosin lule për të.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.