Lindi më 1896, në Shkodër. Babai i Xhelal Koprënckës. Pas dështimit të qeverisë së Fan Nolit u dënua me vdekje, si përkrahës i saj. Qëndroi disa vite në arrati brenda vendit dhe në Itali. U kthye në Shqipëri më 1938, u vendos në Korçë, ku zotëronte një mulli me ujë, në Bulgarec. Më 24 qershor 1946, me vendim nr. 146, Gjykata Ushtarake e Korçës e deklaroi fajtor "për krime kundër shtetit" dhe e dënoi me burgim të përjetshëm, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave për aq kohë. Vuajti shumë vite burg në Burrel. Mulliri iu shtetëzua nga regjimi komunist. Vdiq në Shkodër më 1965. Uran Kalakulla, ish-i burgosur politik, e përshkruan kështu në një portret kushtuar djalit të tij: “...ishte burrë fisnik, i ndershëm, serioz, me kulturë të gjerë, patriot dhe nacionalist i flakët. Ai provoi mbi kurriz dhunën komuniste për shumë vjet me radhë në burgun e Burrelit nga doli i plakur dhe i sfilitur, por kurrë i përkulur, edhe pse i takoi të vuajë mjerimin dhe varfërinë në një kasolle, në një qoshe të Shkodrës. Dhe vdiq po në mjerim, krenar dhe i papërkulur, edhe pse i dëshpëruar, jo aq për hallet e mëdha të familjes, por për fatin e zi që e gjeti Shqipërinë në dekadat më të errëta të historisë sonë kombëtare.”

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist IV (Tiranë: ISKK, 2015), 315
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.