Veprimtar politik, mësues. Lindi më 15 prill të vitit 1933, në qytetin e Gostivarit, në Maqedoni. Arsimin e mesëm e kreu në Tetovë e Shkup. Më 1952 filloi studimet për filozofi në Universitetin e Shkupit, ku krijoi organizatën nacionaliste «Shkëndija». U arrestua më 12 janar të vitit 1953 dhe, pas torturash çnjerëzore në hetuesi, u dënua me 7 vjet heqje lirie. Dënimin e vuajti në burgun e Idrizovës, në Shkup. Pas lirimit, më 1962 kaloi në Shqipëri. Pas muajsh hetuesie, u internua në kampin e Semanit për më tepër se katër vjet. Në vitin 1966 iu dha e drejta e studimit: mbaroi Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Tiranës (1970). U emërua në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, por me ndërhyrjen e Sigurimit u transferua në rrethin e Beratit, gjë që nuk e pranoi. U arrestua më 12 nëntor të vitit 1970 dhe më 28 qershor 1971, Gjykata e Rrethit të Tiranës e dënoi me 3 vjet heqje lirie për «agjitacion e propagandë kundër R.P.SH.». Pas lirimit, iu mohua e drejta e ushtrimit të profesionit të mësusesit dhe u detyrua të bënte punë nga më të rëndat. Në korrik të vitit 1990 krijoi grupin ilegal «Fronti Antikomunist Tanshqiptar». Në janar të vitit 1993, u emërua konsull i Shqipërisë në Konfederatën Zvicerane. Pesë vjet më vonë, më 1998, emigroi në Belgjikë.

U shua më 10 dhjetor 2020.

 

 

Burimi: AISKK, F. 1, V. 2012, D. 1, Fl. 374; Myrteza Bajraktari, Një vështrim tjetër i historisë, Tiranë, 2011.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.