Kolë Berisha | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Kolë Berisha |
Atësia: | Gjon |
Vendlindja: | Shkodër |
Vendbanimi: | Tiranë |
Datë Vdekja: | 22/3/1948 |
Ekzekutimi | |
Lloji Ekzekutimit: | Ekzekutim me pushkatim |
Gjykata: | Gjykata e Lartë Ushtarake e garnizonit të Tiranës |
Vendimi: | Nr.85 |
Data Ekzekutimit: | 22/3/1948 |
Vendi Ekzekutimit: | Tirane |
U lind në Shkodër. Mbaroi liceun e Korçës në vitin 1928 dhe punoi si gazetar e redaktor deri në vitin 1939. Në fillim të vitit 1943 arrestohet prej italianëve dhe burgoset në Bari të Italisë. Atje lirohet prej amerikanëve në tetor 1943. Më tej e dërguan në kampin nr.1 në Bari. Në këtë kamp erdhën edhe shqiptarë të tjerë antifashistë të liruar nga burgjet.
U formua një këshill që kryesohej prej Hasan Reçit, ku bënin pjesë Kolë Berisha, Spiro Ruço dhe Galip Hatibi. Këta u bënë ndërlidhës të shqiptarëve dhe amerikanëve. Thotë se kanë nënshkruar nga një deklaratë bashkëpunimi me ushtrinë amerikane deri në mbarim të luftës. U khtye në Tiranë, ku u arrestua më 9.1.1946. E akuzonin se si radiotelegrafist ishte vënë në shërbim të SBS-së, gjë të cilën e kishte vazhduar në misionin ushtarak në Bari. Në Shqipëri i kishte vijuar lidhjet me amerikanët e gjoja kishte dhënë informata me karakter ushtarak, politik e ekonomik. Në gjyq, hodhi poshtë procesverbalin pasi tha se kishte qenë i sëmurë me temperaturë.
U gjykua bashkë me Spiro Ruçon dhe Sinan Gjonin, të akuzuar gjithashtu për spiunazh te amerikanët dhe britanikët. Askush nuk e pranoi akuzën.
Me vendimin nr.85, datë 11.3.1948, Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Tiranës i deklaroi fajtorë në bazë të neneve 10, 17 të ligjit nr.368 “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake”, dhe i dënoi me vdekje. U la në fuqi me vendimin nr.121, datë. 20.3.1948, Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga major Niko Ceta, kapiten I Nexhat Hyseni dhe kapiten II Mustafa Iljazi.
Ishte 41 vjeç kur u pushkatua bashkë me Sinan Gjonin dhe Spiro Ruçon në breg të lumit, në Tiranë, më 1948.
Fotoja: Gjatë hetuesisë