I biri i Bajram Kovaçit. Bajrami, i cili ishte ish-partizan, oficer, gazetar i ushtrisë dhe autor librash, në vitet '60, u shkarkua nga të gjitha detyrat dhe më pas u dënua me burg për agjitacion e propagandë për qëndrimet e tij. U dënua përsëri pasi doli nga burgu herën e parë.

Pas dënimit të atit, Dashamirit të ri iu prenë të gjitha mundësitë në jetë, siç ishte mundësia për të marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar të Mundjes, ku ai ishte pretendent për titull kampion. Pasi kreu ushtrinë, vendosi t'i bënte atentat diktatorit Enver Hoxha, me lëndët eksplozive që kishte siguruar gjatë ushtrisë. Megjithëse planin nuk ia tregoi askujt, urrejtja e shprehur ndaj diktatorit, bënë që të arrestohej. Gjatë hetuesisë, ai pranoi se do i bënte atentat Enver Hoxhës, por kur filluan pyetjet për shokët, vendosi të mos hapte gojë dhe si pasojë, e shtruan në spitalin psikiatrik ku e mbajtën të lidhur në shtrat për gati 1 muaj.

Pasi e nxorën që andej, doli para Gjykatës, e cila në një proces me dyer të mbyllura e dënoi 10 vjet për agjitacion e propagandë dhe 25 vjet për akte terroriste, si përfundim, 20 vjet heqje lirie me bashkim nenesh. Në atë kohë ishte 22 vjeç dhe e dërguan në Spaç. I ati vuante dënimin në burgun e Burrelit, ndërsa nënën me vëllanë dhe motrën e vogël i internuan në fshatin Vrap të Tiranës. Gjatë kryerjes së dënimit, u ridënua edhe me 10 vjet të tjera për agjitacion e propagandë.

Ka vuajtur dhe punuar veç Spaçit, në Ballsh, Qafë-Bari, ku pësoi aksident gjatë punës në minierë, në Tale të Lezhës, në Bulqizë, në Tërnovë, në Tiranë, për ndërtimin e pallateve të Tiranës së Re dhe në zyrën e përkthimeve, në kampin e Ali Demit. Gjuhët e huaja i kishte mësuar në burg me ndihmën e bashkëvuajtësve.

Burimi: Zërat e kujtesës, Vëllimi VI, Intervistoi Luljeta Lleshanaku, ISKK, Tiranë 2020
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.