Kryengritja e Zhapokikës

Ishte ndër lëvizjet e para të forta antikomuniste në Jug të vendit, me organizim të mirë, ideale të forta, betim para flamurit dhe vendosmëri kundër pushtetit komunist. Frymëzimin nuk e kishin nga elementë të veçantë, por të gjithë anëtarët e çetës, rreth 25 persona, ishin bujq, me arsim të ulët, e madje të paarsimuar fare. Dolën kundër sistemit komunist, kur e kuptuan se do u tjetërsohej prona, u nëpërkëmbnin zakonet dhe godisnin besimin. Në vjeshtën e vitit 1948, nisi organizimi dhe sulmi ndaj pushtetit komunist. Pakënaqësitë ishin shtuar disa muaj më parë, kur nga kjo zonë ishin vrarë personalitete të respektuar të krahinës së Zhapokikës. Sistemi komunist kishte pushkatuar Zenel Shehun, ish-komisar batalioni, Veiz Vasjarin, intelektual që kishte studiuar në Francë, Babain bektashi Shevqet Mahmutajn, Atë Gjergj Sulin, priftin e fshatit Lekël dhe Baba Ali Tomorin. Katër prej tyre u pushkatuan në Gjirokastër më 14 janar 1948.

Të nxitur edhe nga këto krime të hapura, pas disa mbledhjesh në fshehtësi, shtabi e komanda zgjidhen me votim më 28 shtator 1948: komisar politik Xhemal Brahimi, komandant Bajram Kamberi, nënkomandant Mehmet Yzeiri, Salo Kaso anëtar shtabi, Sefer Yzeiri caktohet kryetar i skuadrës së atentatorëve me emrin “Dora e zezë”. Detyra e çetës ishte: “Të luftojë me armë qeverinë, të vihet në lidhje me çeta të tjera derisa në Shqipëri të krijohet një qeveri nacionaliste, demokratike”. Mes luftëtarësh ishin njerëz të njohur me personalitet në zonë, nga familje të shquara. Sikurse pranohet edhe më vonë nga sistemi komunist, kjo çetë antikomuniste nuk kishte frymëzim apo organizim nga jashtë. Ishte një rebelim i brendshëm, kundër pushtetit komunist. Gjithashtu kjo krahinë kishte jetuar gati në “pavarësi” edhe nga qeveritë e mëparshme dhe si “pushtet” kishte organizimin e brendshëm. Të 25 kryengritësit e identifikuar ishin: 13 nga fshati Zhapokikë, 7 nga fshati Luftinjë, 3 nga fshati Kamçisht dhe 2 nga Salaria.

Çeta kryengritëse erdhi duke u rritur, ndërkohë që krijoi një shqetësim të madh në qeveri. Raportet e Sigurimit të Shtetit për Tepelenën, si edhe të dhënat për kryengritësit, e tregojnë këtë shqetësim, por edhe angazhimin e plotë të pushtetit për ta shtypur, në mënyrë të veçantë forcat policore dhe ushtarake të Tepelenës dhe Beratit.

Në datën 2 tetor 1948, çeta ra në fshatin Kamçisht në luftim  me forcat e Sigurimit e të policisë, që kishin ndaluar tre nga kryengritësit e këtij fshati. Çeta i liroi të ndaluarit, pasi sprapsi forcat qeveritare, duke qëlluar në ajër. Ndërkohë, çeta kapi dy fshatarët spiunë, që kishin kallëzuar bashkëfshatarët e tyre dhe i kërcënoi me vrasje, por gjithsesi i lanë të lirë, pavarësisht tradhtisë ndaj bashkëfshatarëve. Çeta ishte gjithnjë në survejimin dhe ndjekjen e Sigurimit dhe të ushtrisë së Tepelenës dhe asaj që kishte ardhur nga rrethi i Beratit. Për t’i shpëtuar asgjësimit, çeta çau rrethimin në Plashnik e Molisht dhe mori drejtimin e Beratit, po në Gllavë u rrethua sërish. Në përpjekjen me armë të datës 8 tetor 1948, u vranë dy policë të forcave qeveritare, nga ana tjetër nënkomandanti i çetës kryengritëse Mehmet Yzeiri, si dhe anëtari i shtabit të saj, Salo Kaso. Në këtë luftim, forcat kryengritëse u shpërbënë. Disa kryengritës u dorëzuan vullnetarisht, disa u arrestuan dhe të tjerë morën arratinë, por u kapën dhe u asgjësuan. Shaqo Limja dhe Sefer Yzeiri rezistuan më gjatë. I fundit, Bajram Kamberi, u arrestua pas disa rrethimeve në muajin janar 1949. U vra edhe vëllai i tij, Safet Kamberi, njëri ndër organizatorët e kryengritjes.

Në akuzën e prokurorit ushtarak, Mustafa Beqo, dt.4.06.1949, thuhet: “Pjesa më e madhe e kësaj bande ka qenë e inkuadruar në organizatën e Ballit Kombëtar dhe e kanë luftuar Lëvizjen NÇL. Janë prekur nga reformat e pushtetit popullor dhe i kanë kundërshtuar ato. Kanë bërë mbledhje të fshatarëve nën drejtimin e Xhemal Brahimit dhe Bajram Kamberit te Lodha e Madhe në Zhapokikë, në fermën e Zolcit, etj.. Për t’u organizuar nën drejtimin e Komitetit Nacional të Mid’hat Frashërit, Abaz Ermenjit… Qëllimi ishte: “të hidheshin në arrati, të formonin çeta dhe të fillonin veprimet kundër pushtetit. Ata krijuan bandën nën drejtimin e Xhemal Brahimit dhe Bajram Kamberit”. Sipas dokumenteve të ruajtuara nga arkivi i Ministrisë së Brendshme, komandanti i çetës rrëfeu në hetuesi se: “Mbledhjen e parë e kemi bërë në Ledhin e Madh, me iniciativën e Mehmet Yzeirit dhe merrnim pjesë unë, Bajram Kamberi, Sefer Yzeiri, Shaqo Limja dhe Salo Kasoja. Të nesërmen u bë mbledhja në malin e Zhapokikës, ku erdhi edhe Xhemal Brahimi, që ishte në arrati… Xhemali në fjalën e tij tha se kishte lidhje me personalitetet e larta të shtetit dhe ato lokale, si edhe me të arratisurit Dilaver Çerogjafin, Abaz Ermenjin etj.. Në mbledhjen tjetër që bëmë në Kamçisht, morën pjesë edhe kamçishtasit: Bilal Fetahu, Halit Sulo, Sefte Xhemali, Gani Karjolli, Teme Bajrami dhe Qamil Asllani. Edhe këtu foli Xhemali, që e mbylli me fjalët: “Poshtë komunizmi, nga i cili e pësuam të gjithë”.

Sefer Yzeiri, një nga drejtuesit e çetës, dëshmon në hetuesi: “Unë kisha pakënaqësi ndaj pushtetit dhe kam biseduar me Safet Kamberin dhe Xhemal Brahimin, të cilët më folën kundër pushtetit, se ky pushtet na mori tokën, na mori pasuritë dhe na la në të keq. Kemi bërë tri mbledhje, ku foli Xhemal Brahimi. Njerëzit erdhën vullnetarisht. Mua më bindi vëllai im Mehmeti, që kishte 3-4 përgjegjësi në pushtet dhe unë e besova… Në Kamçisht i qëlluam në hava policët që kishin ardhur të na arrestonin, se kishte popull. Policët u kthyen nga kishin ardhur… Në Gllavë na rrethuan ushtria. Unë kam dalë nga rrethimi”.

Thuhet se në këto përpjekje me forcat kryengritëse është vrarë edhe shefi i Sigurimit për Tepelenën, toger Xhezo Makashi. Kjo vrasje është e dyshimtë, sepse nuk përmendet fare gjatë hetuesisë, nuk akuzohet dhe nuk pyetet asnjë i pandehur për vrasjen e togerit, nuk është pjesë e akuzës së prokurorit dhe as në proces-verbalet e Sigurimit të Shtetit. Përmendet vetëm në parashtrimin e gjykimit të gjykatës ushtarake të Gjirokastrës dhe në fjalën e fundit të Bajram Kamberit para pushkatimit, kur ai e mohon vrasjen e Makashit nga ana e çetës. Edhe në gjykimin e çështjes në Gjykatën e Lartë nuk përmendet fare. Dyshohet se Shefi i Sigurimit mund të jetë vrarë në rrethana misterioze, ndoshta edhe i eliminuar se përse nuk arriti të zbulonte në kohë organizimin e kësaj çete.

Kryengritësit dhe mbështetësit e tyre u burgosën dhe u gjykuan nga gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës. Prokurori ushtarak Mustafa Beqo i akuzoi në grup (akuzë kolektive) për faje kundër shtetit dhe popullit. "Kanë marrë pjesë në bandën kriminale terroriste të Tepelenës. Kanë bërë propagandë kundër pushtetit popullor dhe kanë paraqitur gjendjen e brendshme kritike dhe rrëzimin e shpejtë të saj. Kanë propaganduar ngritjen e një qeverie nacionale me ndihmën e imperializmit anglo-amerikan."

Gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës, me kryetar kapitenin Llazi Polena, gjykoi më datën 4.06.1949 disa nga pjesëmarrësit e kryengritjes, duke i akuzuar:

  1. Në shtator-tetor 1948 janë arratisur dhe kanë formuar bandën e armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor.
  2. Kanë marrë pjesë në luftimet ndaj organeve të pushtetit popullor, si në fshatin Kamçisht të Tepelenës, në Gllavë të Beratit dhe gjetkë.
  3. Gjatë luftimeve kanë vrarë dy policë dhe shefin e seksionit të Punëve të Brendshme të Tepelenës.
  4. Kanë lidhur dhe rrahur fshatarët Shefit Myslimin, Hajredin e Qerim Asllanin, të cilët kanë dashur t’i ekzekutonin.

 

Gjykata ushtarake vendosi:

  1. Bajram Kamberi, 49 vjeç, lindur dhe banues në Zhapokikë, bujk, i arrestuar në janar 1949, dënohet me vdekje, si drejtues i kësaj bande, për pjesëmarrjen në gjithë luftimet, për qëndrimin e tij në arrati deri sa është arrestuar, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit.
  2. Sefer Yzeiri, 39 vjeç, nga Zhapokika, bujk, i arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me vdekje.
  3. Shaqo Muçodemaj, 29 vjeç, nga fshati Luftinjë, bujk, i arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 20 vjet burg dhe punë të detyruar.
  4. Xhemil Asllani, 21 vjeç, nga fshati Luftinjë, bujk, i arrestuar më 5 tetor 1948, dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyruar.
  5. Xhelal Begaj, 35 vjeç, nga Zhapokika, bujk, i arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 12 vjet burg dhe punë të detyruar.
  6. Mete Kalo Didaj, 36 vjeç, nga Luftinja, bujk, arrestuar më 19 tetor 1948, dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyruar.
  7. Balil Ahmetaj Veliu, 39 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyruar.
  8. Xhelal Begaj, 35 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 12 vjet burg dhe punë të detyruar.
  9. Gani Kojdheli, 36 vjeç, nga Kamçishti, bujk, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 12 vjet burg dhe punë të detyruar.
  10. Mehmet Muçodemaj, nga Luftinja, bujk, arrestuar më 5 tetor 1948, dënohet me 12 vjet burg dhe punë të detyruar.
  11. Hajri Mahmutaj, 39 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 12 vjet burg dhe punë të detyruar.
  12. Selfo Xhemali, 49 vjeç, nga Kamçishti, bujk, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 4 vjet burg dhe punë të detyruar.
  13. Beg Veizi, 49 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 4 vjet burg dhe punë të detyruar.
  14. Nuredin Xhaferri Rrodhaj, 29 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 16 tetot 1948, dënohet me 4 vjet burg dhe punë të detyruar.
  15. Hajredin Alushi, nga Zhapokika, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 4 vjet burg dhe punë të detyruar.
  16. Mehmet Kalemaj, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 4 vjet burg dhe punë të detyruar.
  17. Teme Pajo, 49 vjeç, nga Zhapokika, arrestuar më 5 tetor 1948, dënohet me 3 vjet burg dhe punë të detyruar.
  18. Shefqet Didaj, 19 vjeç, nga Luftinja, bujk, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 3 vjet burg dhe punë të detyruar.
  19. Sehit Çaushaj, 34 vjeç, nga Zhapokika, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 3 vjet burg dhe punë të detyruar.
  20. Jashar Canaj, 44 vjeç, nga Luftinja, bujk, arrestuar më 16 tetot 1948, dënohet me 3 vjet burg dhe punë të detyruar.
  21. Maliq Dervishi, Didaj, 57 vjeç, nga Luftinja, bujk, arrestuar më 5 tetor 1948, dënohet me 2 vjet burg dhe punë të detyruar.
  22. Demo Aliu, nga Salaria, bujk, arrestuar më 16 tetor 1948, dënohet me 2 vjet burg dhe punë të detyruar.
  23. Riza Çaushi, 49 vjeç, nga Kamçishti, bujk, arrestuar më 10 tetor 1948, dënohet me 2 vjet burg dhe punë të detyruar.
  24. Myfit Islami, nga fshati Dukaj, bujk, arrestuar më 5 tetor 1948, dënohet me 2 vjet burg dhe punë të detyruar.
  25. Adem Memaj, 21 vjeç, nga Salaria, punëtor, arrestuar më 10 tetor, dënohet me 2 vjet burg dhe punë të detyruar.

Të gjithë të dënuarve u sekuestrohet pasuria dhe humbasin të drejtën elektorale.

Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.